E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryeministrin e Azerbajxhanit z. Artur Rasi-zade

Në vijim të vizitës së tij në Azerbajxhan, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e  Azerbajxhanit  z.Artur Rasi-zade, takim i cili vijoi më pas, mes dy delegacioneve përkatëse. Pas takimit, të dy Kryeministrat ishin të pranishëm në nënshkrimin e Marrëveshjes për mbrojtjen dhe nxitjen reciproke të investimeve mes dy vendeve, si dhe një Memorandumi Mirëkuptimi midis Ministrive të Ekonomisë të dy vendeve, për bashkëpunimin në fushën e industrisë dhe energjisë.

Të dy Kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike, ekonomike e të gjithanshme mes dy vendeve, si dhe shprehën vullnetin e plotë për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok.

Kryeministri i Azerbajxhanit  z.Artur Rasi-zade e falënderoi Kryeministrin Berisha për vizitën dhe shprehu rëndësinë që ka kjo vizitë për të kontribuar pozitivisht në zhvillimet e mëtejshme të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe qeverive. Ai theksoi mundësinë e bashkëpunimit në shumë fusha të rëndësishme si; energjia, nafta, turizmi, bujqësia, etj. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, nënvizoi Kryeministri azerbajxhanas, intensifikohet më tej edhe përmes nënshkrimit të 2 marrëveshjeve të rëndësishme që u bënë gjatë kësaj vizite.

Të dy kryeministrat vlerësuan edhe rëndësinë e ngritjes së një komisioni të përbashkët ekonomik, për të çuar më tej axhendën e bashkëpunimeve në fusha me interes reciprok. Për këtë, do të punohet për të përshpejtuar procesin e përfundimit të kuadrit të plotë ligjor për bashkëpunimin mes dy vendeve.

 Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Artur Rasi-zade diskutuan veçanërisht për mundësitë e nxitjes së bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe të investimeve. Kryeministri Berisha, duke e njohur homologun azerbajxhanas me zhvillimet në Shqipëri, nënvizoi se investimet azere janë të mirëpritura në një sërë sektorësh me interes reciprok si; energjetika, turizmi etj dhe se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për të krijuar një klimë sa më të favorshme dhe lehtësuese për investimet e huaja.  Ai theksoi se ekonomitë e vendeve tona, si ekonomi të orientuara drejt tregut, ofrojnë shumë mundësi zhvillimi dhe potenciale të jashtëzakonshme. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se nënshkrimi  i dy marrëveshjeve përbën një hap të domosdoshëm për të institucionalizuar vullnetin e palëve  për një bashkëpunim ekonomik në fusha me  interesa të përbashkët. Shqipëria, theksoi Kryeministri, ka potenciale të vërteta për t’ua ofruar kompanive të Azerbajxhanit, si dhe çdo qytetari të këtij vendi që dëshiron të vizitojë vendin tonë si turist.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha dhe kryeministri azerbajxhanas shprehën vullnetin dypalësh edhe për zhvillimin më tej të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve përmes shkëmbimeve në fushën e kulturës e arsimit.

Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin azerbajxhanas Artur Rasi-zade të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u prit me kënaqësi prej tij.


09/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›