Kryeministri Berisha: Sistemi i prokurimeve publike garanton transparencën maksimale
Kryeministri Berisha tha sot, se qeveria ka vendosur standardet më të larta të transparencës në sistemin e prokurimeve publike. Këtë vlerësim Kryeministri e bëri mbështetur edhe në përfundimet e dala nga prova pilot e kryer në komunën e Farkës për një punim publik, me qëllim përfshirjen në këtë sistem edhe të prokurimeve me non objection të Bankës Botërore. Kryeministri shpreh kënaqësinë se “sistemi garanton transparencën më maksimale dhe në tërësinë e tij ka të konsoliduar hallkat e shqyrtimit të ankesave”.
“Kam kënaqësinë – u shpreh Kryeministri, duke folur për këtë çështje në mbledhjen e qeverisë - t’ju njoftoj se me kërkesën e qeverisë, Banka Botërore, e cila kishte certifikuar më parë sistemin e prokurimeve publike me buxhetin e shtetit, bëri edhe testin për të përfshirë në këtë sistem edhe prokurimet me non objection të Bankës Botërore, pasi ne kemi konstatuar dhe jemi të bindur se sistemi ynë garanton transparencën më maksimale dhe është sistem që në tërësinë e tij ka të konsoliduar hallkat e shqyrtimit të ankesave. Banka Botërore ka marrë parasysh sugjerimin e insistimin tonë dhe prova pilot u bë në komunën e Farkës, për një punim publik që do realizohej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe në tender morën pjesë 14 kompani. Dhe ky test mund të quhet test i shkëlqyer. Unë dua të falenderoj Bankën Botërore, këtë partner të shkëlqyer të Shqipërisë të këtyre 20 vite dhe kjo praktikë do t’u kërkohet edhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, në interesin më të mirë të transparencës. Ne jemi të gatshëm të adaptojmë e të përdorim standardet më të mira që ata kërkojnë për mjedisin, respektimin e ruajtjen e tij, ndërkohë standardet tona, përsa u përket transparencës, janë standardet më të larta që ekzistojnë. Kështu që do të kërkojmë që e njëjta rrugë të ndiqet edhe me fondet e tjera. Banka Botërore dha një shembull të shkëlqyer, sepse sa më i hapur të jetë sistemi, aq më e madhe është transparenca.”
07/02/2012