E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Sekretarin e Përgjithshëm të Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik, z. Samah M. Sotouhi

-       Kryeministri Berisha theksoi se është e një rëndësie parësore rritja e numrit të investimeve private dhe bizneseve egjiptiane në Shqipëri
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me zotin Samah M. Sotouhi, Sekretar i Përgjithshëm i Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik.
Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë egjiptiane për ndihmën e dhënë qeverisë shqiptare, kryesisht në ofrimin e një numri të madh bursash trajnimi për rreth 2000 specialistë të Administratës Publike. Kryeministri theksoi rëndësinë që qeveria i jep thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi nëpërmjet realizimit të projekteve në fushat prioritare për qeverinë shqiptare ku përmendi bujqësinë dhe Shqipëria Digitale.
Nga ana e tij, zoti Samah M. Sotouhi shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe takimet shumë të frytshme që ka zhvilluar me disa ministra të qeverisë gjatë kësaj vizite dhe i ritheksoi Kryeministrit Berisha se qeveria egjiptiane është e gatshme të mbështesë me financime dhe për këtë do të mirëpriste çdo propozim për projekte konkrete që mund të paraqiteshin pranë  Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik.
Kryeministri theksoi se është e një rëndësie parësore rritja e numrit të investimeve private dhe bizneseve egjiptiane, si dhe siguroi se qeveria shqiptare ka krijuar një klimë biznesi shumë atraktive dhe të sigurt për investimet e huaja në Shqipëri. 15/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›