E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Sekretarin e Përgjithshëm të MPJ greke, Ambasadorin Yannis-Alexios Zeppos

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Ambasadorin Yannis-Alexios Zeppos, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë, si pjesë e një grupi ndërkombëtar diplomatësh dhe personalitetesh që po zhvillojnë një tur vizitash konsultimi, në kuadër të projektit për hartimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen dhe e falënderoi përzemërsisht Ambasadorin Zeppos për mbështetjen e jashtëzakonshme që Greqia, në vazhdimësi, i ka treguar Shqipërisë, si në procesin e anëtarësimit në NATO, ashtu edhe për ecjen para me shpejtësi në projektin për anëtarësim në BE dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Ambasadori Zeppos e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, duke i transmetuar atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit të Greqisë, z. Jorgos Papandreu. Ambasadori grek e njohu Kryeministrin me misionin e grupit ndërkombëtar për konceptin e ri strategji të NATO-s.

Në takim, Kryeministri Berisha vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të domosdoshëm hartimin e konceptit të ri strategjik për një aleancë efikase, të aftë për t’iu përgjigjur me sukses të plotë sfidave të shekullit 21. Në këtë kontekst, Kryeministri i ripohoi Ambasadorit vendosmërinë e Shqipërisë, si aleate e re e NATO-s, për të dhënë kontributin e saj, si në konceptin e ri strategjik, ashtu edhe për të vazhduar mbështetjen për të gjitha misionet e Aleancës, në shërbim të paqes e sigurisë globale.

Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe u shpreh angazhimi dhe vendosmëri e plotë e qeverive të të dy vendeve për të vazhduar me nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për t’i zhvilluar ato edhe më tej në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin ekonomik me vendin fqinj si jashtëzakonisht të rëndësishëm, në veçanti investimet të mëdha e të suksesshme të investitorëve grekë në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i shprehur ambasadorit Zeppos dëshirën për të pritur në Tiranë Kryeministrin e Greqisë, z. Jorgos Papandreu.


10/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›