Kryeministri Berisha pret Zëvendëspresidentin e Parë të KfW-së z. Roland Siller
Kryeministri Berisha priti në takim Zëvendëspresidentin e Parë të KfW-së z. Roland Siller dhe ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Tiranë, z. Bernt Borchardt. Kryeministri Berisha falënderoi zotin Siller për bashkëpunimin financiar ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, bashkëpunim i zbatuar nga KfW. Aktualisht KfW ka në zbatim 11 projekte, me vlerë totale të angazhuar në rreth 205 milionë euro.
Kryeministri Berisha vlerësoi vazhdimësinë e angazhimit të qeverisë gjermane për nënshkrimin e fondit të ri prej 70.4 milion Euro për periudhën 2010-2011, të projekteve në kuadër të Protokollit të Bashkëpunimit për Zhvillim në sektorë me rëndësi për ekonominë shqiptare, si projekti i fazës së III të ujësjellës – kanalizime për qytetin e Pogradecit, të fondit të investimeve për furnizim me ujë dhe rrugët rurale, të infrastrukturës komunale, të projektit të menaxhimit të mbetjeve urbane në Korçë, të hartimit të master planit për investimeve në sektorët ujësjellës – kanalizime dhe të projekteve për eficiencën e energjisë dhe agrobiznesit në zonat rurale.
Zoti Roland Siller, Zëvendëspresident i Parë i KfW, në vazhdim të bashkëpunimit për zhvillim ka kërkuar konfirmimin e qeverisë shqiptare për një fond deri në 100 milion, me kredi të butë, për periudhën 2011-2012 për financimin e projekteve prioritare të qeverisë shqiptare.
Në këtë kuadër është diskutuar për financimin e projekteve të Linjës së Transmetimit të Energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, të zgjerimit të kapaciteti të prodhimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës në mbi 30 MgWat, si dhe të projekteve të infrastrukturës së rrugëve rurale dhe të furnizimit me ujë.
30/06/2010