E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Zv/Komandantin e Përgjithshëm të Policisë Ushtarake të Republikës Popullore të Kinës, Gjeneral Dai Shujun

Kryeministri Berisha priti, sot paradite, në një takim Zëvendës Komandantin e Përgjithshëm të Policisë Ushtarake të Republikës Popullore të Kinës, Gjeneral Dai Shujun dhe delegacionin që e shoqëronte atë.

Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen Gjeneral Dai Shujun, shprehu vlerësimin për këtë vizitë, e para e këtij niveli të lartë ushtarak të Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, duke theksuar se ajo është një kontribut i madh real në forcimin edhe më tej të marrëdhënieve shumë të mira tradicionale dhe të miqësisë mes dy kombeve dhe vendeve tona. Në këtë kontekst, të dy personalitetet ndanë të njëjtin vullnet dhe shprehën bindjen se bashkëpunimi tradicional do të intensifikohet në të ardhmen në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën ushtarake dhe policore.

Më tej, Kryeministri e njohu gjeneralin Dai Shujun me zhvillimet dhe reformat e rëndësishme të ndërmarra në vend, si në aspektin politik, atë ekonomik, në fushën e integrimit europian, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, etj. Shqipëria, theksoi Kryeministri, është një vend atraktiv edhe për investitorët kinezë, duke pasur parasysh se ka potenciale të mëdha për biznesin dhe është pjesë e rëndësishme e tregut evropian.

Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishme platformën e paraqitur vetëm disa muaj më parë nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Wen Jiabao, në Varshavë, për bashkëpunim të ndërsjellë mes vendeve të këtij rajoni dhe Republikës Popullore të Kinës. Në këtë kontekst, Kryeministri bëri me dije se qeveria shqiptare e ka shqyrtuar me shumë interes këtë platformë, me synimin për të konkretizuar e jetësuar bashkëpunimin me Republikën Popullore të Kinës, bashkëpunim i cili shtrihet e do të shtrihet në të gjitha fushat.

Nga ana e tij Gjeneral Dai Shujun, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë që po realizonte në Shqipëri. Shkëmbimet në nivele të larta delegacionesh, nënvizoi Gjenerali i lartë kinez, tregojnë më së miri nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit dypalësh. Në këtë kuadër, edhe kjo vizitë do të vendosë piketat për një bashkëpunim më intensiv mes policive ushtarake të të dy vendeve, në aspekte të rëndësishme si;, lufta antiterror, asistimi dhe mbështetja e popullsisë civile në raste të emergjencave civile, etj. Ai shprehu besimin se, me mbështetjen e Kryeministrit Berisha, ky bashkëpunim do të njohë edhe më shumë suksese.

Gjenerali Dai Shujun vlerësoi zhvillimet dhe ndryshimet pozitive që Shqipëria ka njohur në këto vite të fundit dhe shprehu gjithashtu falënderimet për rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur në anëtarësimin e Republikës Popullore të Kinës në OKB, si dhe për politikën konstante të qeverisë shqiptare për njohjen e një Kine të vetme.

Kryeministri Berisha e siguroi Gjeneralin Dai Shujun se do të jetë një mbështetës dhe nxitës i fuqishëm i forcimit të marrëdhënieve Shqipëri- Kinë, si dhe në bashkëpunimin midis dikastereve dhe ministrive përkatëse në fushën ushtarake. Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin dhe përkushtimin e Ambasadorit kinez dhe stafit diplomatik të tij në Tiranë, në nxitjen e këtyre marrëdhënieve.

Të dy personalitetet vlerësuan edhe bashkëpunimin në fushën kulturore e arsimore, duke sjellë në vëmendje se, në këtë drejtim, së shpejti, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës, do të konkretizohet në Tiranë ngritja e Institutit të Konfucit, sikundër, qeveria shqiptare ka vendosur që gjuha kineze të mësohet në shkollat shqipe.


24/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›