E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Egjiptit në Shqipëri, Ahmed Hassan Abdellah, me rastin e marrjes së detyrës

Kryeministri Berisha priti sot, në takim, ambasadorin e Egjiptit në Shqipëri, Ahmed Hassan Abdellah, me rastin e marrjes së detyrës.

Kryeministri Berisha i uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, duke theksuar se ndodhej në një vend mik dhe shumë i interesuar për të zhvilluar marrëdhënie të ngushta e bashkëpunim në të gjitha fushat, me Egjiptin.

Ambasadori Abdellah, pasi e falenderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore, i përcolli përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit dhe autoriteteve të tjera të larta të Egjiptit.

Ambasadori Abdellah e uroi Kryeministrin për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Në takim u rikonfirmua vullneti i të dyja palëve, për të forcuar më tej marrëdhëniet miqësore, në interesin e ndërsjellë të të dy vendeve. Në këtë kontekst, dy vendet janë të angazhuara për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare, veçanërisht nxitjen e ndërsjellë të investimeve.

Ambasadori Abdellah shprehu vlerësimet më të larta për arritjet e rëndësishme që Shqipëria ka shënuar vitet e fundit, në të gjitha fushat, veçanërisht në konsolidimin e demokracisë dhe standardeve të saj dhe zhvillimin e shpejtë ekonomik.

Kryeministri Berisha i përcolli ambasadorit Abdellah, dëshirën për të pritur në një vizitë në Tiranë, Kryeministrin e Egjiptit, në një kohë të përshtatshme për të, si Kryeministrin e një vendi mik dhe shumë të rëndësishëm për rajonin e më gjerë.  


25/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›