Kryeministri Berisha pret në takim z. Jean-Claude Mignon, President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Kryeministri Berisha priti sot në një takim z. Jean-Claude Mignon, President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), i cili viziton vendin tonë, në kuadër të marrjes së Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga Shqipëria.
Kryeministri Berisha e çmoi si moment historik marrjen e presidencës së KiE nga Shqipëria, jo vetëm sepse ky moment përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, por se është dëshmi e transformimit të vendit nga diktatura më e egër komuniste në kontinent, në një sistem demokratik.
Presidenti i APKE, z. Mignon, gjithashtu e vlerësoi si një moment me shumë rëndësi për KiE marrjen e Presidencës nga Shqipëria dhe e vlerësoi këtë si tregues të qartë të transformimit demokratik të Shqipërisë dhe shembull të shkëlqyer të arritjes prej një vendi të standardeve të KiE. “Askush nuk do ta besonte dikur se Shqipëria do të kryesonte KiE” , u shpreh z. Mignon.
Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria do të mbështesë vazhdimin e reformimit të organizatës, të nisur nën presidencën britanike, në mënyrë të veçantë, të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe ilustroi prioritetet e presidencës shqiptare.
Vend të veçantë në këtë kuadër zuri roli dhe kontributi i mundshëm i KiE në transformimin demokratik të vendeve që dolën nga Pranvera Arabe. Duke nënvizuar modelin e jashtëzakonshëm që Evropa mund t’u japë këtyre vendeve, ai u përqendrua në ndihmën e madhe që institucionet e KiE mund të japin me ekspertizën e tyre të çmuar në këtë drejtim. Shqipëria është model i tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore ndërfetare, u shpreh Kryeministri, dhe si e tillë do përpiqet që ta përçojë këtë model dhe mesazh gjatë presidencës së saj. Më tej, duke u ndalur tek dialogu me të rinjtë, Kryeministri nënvizoi se kjo çështje merr prioritet edhe më të madh në këto kohë krize.
Në takim u bisedua për çështje të rajonit dhe përpjekjet që duhen bërë për të siguruar stabilitet e paqe të qëndrueshme. Kryeministri, pasi theksoi rëndësinë që kanë minoritetet etnike dhe respektimi I të drejtave të tyre, u shpreh se Paketa Ahtisari garanton nivelin më të lartë të këtyre të drejtave në Kosovë. Ai vlerësoi marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë dhe rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për ruajtjen e kufijve, si në interesin më të mirë të stabilitetit dhe paqes në rajon dhe të prosperitetit të popujve të tij, ashtu dhe në vullnetin e palëkundur për të mbajtur dhe zhvilluar marrëdhënie sa më të mira me vendet fqinjë dhe ato të rajonit.
Në përfundim, Kryeministri e siguroi Presidentin e APKE-së se procesi i zgjedhjes së presidentit do të bazohet plotësisht në germën dhe frymën e Kushtetutës, si dhe për vendosmërinë dhe vullnetin për të përmbyllur me sukses reformat e rëndësishme, si ajo zgjedhore, parlamentare dhe e imuniteteve.
24/05/2012