E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha sot në Parlament

Zonja deputete,

Zotërinj deputetë,

Dje në Strasburg u zhvillua një nga ceremonitë më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë por edhe një nga ceremonitë më simbolike në historinë e Këshillit të Evropës. Shqipëria mori Kryesinë e radhës së tempullit të demokracisë europiane. Për këtë vend, i cili feston këtë vit  100 vjetorin e pavarësisë së tij, kjo është një arritje e madhe për këtë komb që 100 vjet më parë në përpjekjen  mbinjerëzore do të shpallte veten të pavarur në një kundër rrymë të madhe të fuqive të mëdha të asaj kohe.  Sot ky vend, kryeson tempullin e demokracisë evropiane, Këshillin e Europës. Ngjarja e djeshme ishte ndër më simboliket për këtë institucion, sepse demokracia më e re e kontinentit mori Kryesinë nga demokracia më e vjetër e tij, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar,  Britania e Madhe. Ngjarja ka një simbolizëm të madh sepse dje mori Kryesinë e Këshillit të Europës vendi që 22 vite më parë kishte të ndaluar me Kushtetutë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ndërsa dje ajo mori Kryesinë si një vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, si një vend, qytetarët e të cilit lëvizin lirshëm në mbarë Evropën. 

Natyrisht kjo është një përgjegjësi e madhe dhe historike për Shqipërinë.  Ne do të bëjmë gjithçka që të qëndrojmë në lartësinë e kësaj detyre. Ne jemi të vendosur të promovojmë axhendën e këtij institucioni, reformat e ndërmarra nga paraardhësit tanë, do të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë britanike dhe qeveritë që do marrin më pas Kryesinë e Këshillit të Europës, në mënyrë që ky institucion të ecë drejt reformave më të thella veçanërisht në reformën e gjyqësorit.  Shqipëria në kushtet aktuale, si një shoqëri e njohur tashmë për tolerancën, dialogun, respektin  e hekurt do të thosha ndërfetar, do të bëjë gjithçka, që ketë thesar të çmuar kombëtar ta promovojë në të gjithë hapësirën europiane dhe më gjerë.  Shqipëria do të bëjë gjithçka, që këto 6 muaj, të rinjtë të jenë në epiqendër të përpjekjeve të Këshillit të Europës për dialog, për punësim dhe problematikën e tyre komplekse. Shqipëria do të bëjë gjithçka, që vende, të cilat dolën nga revolucionet e pranverës arabe më të lira, të mund të përfitojnë nga eksperienca  e shkëlqyer dhe institucionet e Këshillit të Europës, të mund të përfitojnë në rrafshin ligjor dhe në të gjitha rrafshet e tjera të këtij institucioni.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Marrja e Kryesisë së radhës së Këshillit të Evropës është një përgjegjësi e madhe, para së gjithash për tempullin e demokracisë. Unë jam sot këtu për tu ftuar ju, të nderojmë këtë datë dhe detyrimet tona. Kemi një thirrje që me datën 24 maj të votojmë në Parlament reformën zgjedhore. Duke shprehur vlerësimin tim të palëkundur për punën serioze që kanë bërë grupet e ngarkuara në këtë detyrë, mendoj se reforma është tërësisht dhe lehtësisht e kompletueshme.  Kanë mbetur këto probleme dhe cili është propozimi im! Ka mbetur problemi elektronik.  Ne e kemi pranuar me bindjen më të thellë se nuk është i sigurt, por nuk na takonte neve ta refuzonim. Ju duhet të dini dhe qytetarët shqiptarë duhet ta dinë, se katër muaj rresht  në një  “marrëveshje gentilmenash”  përfaqësuesit tuaj, ata dhe vetëm ata, kanë sjellë të gjitha amendamentet për rekomandimet e  OSBE/ODIHR-it.  Shumë mirë.  Unë e konsideroj shumë normale. Tani, e theksoj prapë, ODIHR-i  nuk është se ka mungesë  njohurish për sistemet dixhitale. Jo. I njeh shumë më mirë se ne, por ODIHR nuk  i hedh poshtë ato, kërkon të fillohet me një studim pilot. Kërkon që me një studim pilot të krijohet  besimi  dhe ne jemi plotësisht dakord. ODIHR nuk pranon që kjo të jetë në shkallë vendi, sepse në vendin më të zhvilluar, sepse në një vend ku teknologjia është në krye të Europës, në një vend që ka klimën së paku 5-6 gradë më të freskët se Shqipëria , një vend që ka një traditë në të gjitha aspektet, sërish rastin e fundit, makinat u bllokuan, pati xhel në makineri dhe pati mungesë elektriciteti.  E bën militantët apo ndodhi nga rrufeja, atë nuk e dimë, por ja që pati. Çfarë propozojmë ne!  Zgjidhni qytetin pilot që doni dhe ne ta fillojmë , është në interesin tuaj. Ka një kritikë, ndonëse sistemi i numërimit në Shqipëri është vlerësuar si më sakti në botë, sërish ka një kritikë. Kritika është kjo, se komisionerët i kalojnë shpejt. Siç keni vënë penalitet dhe rregulloren ushtarake që prutë për komisionerët, 8 vjet burg, vini 7 vjet burg  po qe se i kalojnë 25 apo 35 fletë në minutë, dhe bëjeni të matshme këtë. Të blejmë aparaturën që mat çdo sekond .  64 apo 66 qendra, sa janë gjithsej  u provuan se e japin ngadalë rezultatin. Atëherë  kaloni në ligj 100 apo 120 qendra. Por  ju keni frikë nga komisionerët njëlloj si ai nga temjani, por atë se çlirojmë dot ne.  Çdo gjë mund të bëjmë ne por komisionerë nuk ju jap dot unë ju.  Ju keni tmerr nga komisionerët tuaj.

Megjithatë mblidhuni dhe njëherë caktoni qytetin pilot . Jam plotësisht dakord dhe të përcaktoni rregulla në pamjen dhe kalimin elektronik të fletës së votimit dhe ka shumë mundësi të behët. Kërkoni që Avokati i Popullit  të propozojë kryetarin e KQZ-së.  Ju këtu  e bëni gabimin. Mos  e lëndoni atë. Avokati i Popullit  ka një detyrë, ai erdhi nga selia e Partisë Socialiste,  e votuam me zëmër të hapur. Detyra e tij është të provojë që është Avokati i Popullit  i të gjithë shqiptarëve, lëreni të përmbushë këtë detyrë. Se me këtë tregoni se doni të përdorni kërrabën për të marrë gjithnjë nga vetja juaj.  Gjeni një mënyrë tjetër propozimesh dhe ne jemi dakord.  Ka një problem të fundit që është çështja e dy komisionerëve.  Nëse ka opozitë që në momente të caktuara funksionon kundër saj, absolutisht jeni ju. Çfarë kërkoni ju?! Ju kërkuat që 80%  e vendimeve të jenë  5 me 2 dhe unë këtë  e kuptoj si të drejtë. Pse?  Sepse ju kërkoni të keni minorancë bllokuese dhe unë ju jap të drejtë. Kanë mbetur disa vendime me votim  4 me 3 e tani kërkoni të ngrini themelin e gjithë këtij sistemi me dy partiak. Kjo nuk bëhet. Ka një vendim gjykate. Ju e keni provuar që ne nuk lëvizim nga vendimi i Gjykatës. Vendimi i Gjykatës është vendimi i Kolegjit  Zgjedhor.  Bashkërisht kemi rënë dakord në mënyrë përfundimtare për këtë Kolegj  Zgjedhor që ka tagrin për të gjykuar të gjitha problemet zgjedhore. Unë nuk them që të hiqni dorë, por nuk ka interes më jetik për opozitën sesa të sigurohet. Se mazhoranca nëse do të abuzoje me 2 vetë, abuzon dy herë më shumë se opozita, prandaj merrni vendimin e Gjykatës, përcaktoni rregullat e funksionimit të këtyre dy vendimeve, nuk jam kundër , por ka rregulla të cilat nuk mund të përdoren për abuzim. Por nëse ti thua se KQZ nuk ka asnjë pune me këta të dy, ti i ke dhënë autoritetin për të gjithë procesin zgjedhor dy vetëve. Të gjithë ata, të cilët  e njohin procesin zgjedhor  e kuptojnë se ky është mekanizmi i shtyrjes në kalendat  e pafundme të   finalizimit të procesit zgjedhor. Po ju them se ju bëni një gabim të rëndë, sepse me këtë kërkesë kërcënoni më shumë se çdo gjë tjetër opozitën. Juve ju duket se mund ta përdorni ju, por mos harroni se një ditë mund ta përdorë qeveria. Gjykata ka përcaktuar se kërkesa e dy komisionerëve e pabazuar në fakte nuk mund të pranohet. Në qoftë se ju kërkoni  që të shkelmohet vendimi këtë ne nuk mund ta pranojmë, por nëse ju kërkoni që vendimi të mishërohet  në nen dhe të ecet përpara ne jemi plotësisht dakord. Unë e pranoj që në variantin e fundit keni bërë  një hap para, prandaj dhe ju përgëzoj. Tani vijmë tek problemi tjetër ,deklarata e djeshme e z. Rama. Ai tha se, “Berisha nuk do të mbyllë reformën për shkak të zgjedhjes së presidentit”. More zotërinj, pse ju duket vetja juve president këtë muaj!  Rrini gjithë ditën duke hedhur fall me letra. Asnjëri prej jush nuk bëhet president jua them me bindje këtë, sepse nuk votoni njëri-tjetrin juve.  Ky është problemi. Por për presidentin do të flasim kur të vijmë tek presidenti.

Për rregulloren e Parlamentit. Keni kërkuar që kryetari i opozitës të ketë të drejta njëlloj si Kryeministri. Më gjeni Kushtetutën e vetme europiane që e ka dhe do ta pranoj.  Në qoftë se thoni lideri i opozitës?! Po nëse lideri i opozitës nuk është në Parlament? Kush do të jetë, zëdhënësi?  Po ju doni të krahasoni Kryeministrin me zëdhënësit e liderit të opozitës, kjo është qesharake.  Mendoni për një moment se do të jetë një sistem maxhoritar  dhe Kryeministri do të bëjë gjithçka në zonën e liderit të opozitës që ai të mos vijë në Parlament. Ju e nxisni me këtë nen. Megjithatë e mbyll me këtë fjalë. Gjeni një  Kushtetutë të vetme të kontinentit që e ka dhe e dyta do të jetë e Shqipërisë. Por të pretendoni se do ta bëhet Kushtetutë për një person këtë nuk e pranoj, megjithëse në parim e kam pranuar, derisa pranoj që gjeni një Kushtetutë që ne ta bëjmë të dytën, nuk kam asnjë kundërshtim. Nuk jam unë që dua të bllokoj, jeni ju që doni ta bllokoni, po ju them urdhëroni që nesër të votojmë, por absolutisht ju nuk doni. Por unë ju them prapë që është interesi i vendit , interesi i partive që ato reforma, për te cilat është punuar për katër muaj të vijnë dhe të votohen nesër në Parlament.

###

[Kryeministri rimerr fjalën, pas replikës së kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi] 

Në fjalën time i bëra thirrje opozitës, bëra vlerësimin tim për punën, ndonëse e vërteta është që jam skeptik dhe asgjë tjetër nuk më bën skeptik, veç asaj, që kryetari i opozitës dhe lejtnantët e tij po e përdorin rëndom çdo ditë: Rilindja. Por e vetmja Rilindje që ka ndodhur është rikthimi i ‘bllokut’ në krye të Partisë Socialiste. Kjo është e vërteta! Rilindja e fundit e këtyre 5 viteve është rikthimi i ‘bllokut’ në krye të PS-së. Por kjo është çështje e Partisë Socialiste, jo e imja. Unë me sinqeritet ju ftova në rast se keni vullnet, ndonëse e di që nuk ju lejojnë, të kalojmë këto pengesa, të cilat janë plotësisht të kapërcyeshme.

Përsa i përket zgjedhjes së presidentit, sot është hapur procedura. Unë nuk jam për show, por për një proces, siç e kam deklaruar, të negociueshëm dhe kushtetues. Këtu qëndroj plotësisht dhe ju garantoj se procesi, në përkushtimin tim, do të jetë i tillë. Unë nuk eci me klishenë e armikut dhe të demonit. Unë nuk demonizoj askënd dhe asnjë forcë politike. Unë nuk eci në parime klasiste. Sigurisht, e kam deklaruar dhe e pohoj sërish dhe këtë e bëj në bindjen time se në Partinë Demokratike ka personalitete të shquara, të cilat janë të afta që me përkushtimin e tyre t’i shërbejnë vendit. Sigurisht, vendi është i pari. Jam i përcaktuar për këtë. Doni që të them se do të propozoj një personalitet të Partisë Socialiste?! Është detyra juaj ta propozoni, jo e imja! Unë nuk bëj hipokritin, as maskën. Unë them që është një proces i negociueshëm dhe kushtetues. E doni në këtë mënyrë, atëherë provojeni, do të jetë i tillë. Do të ulemi këtu në Parlament. Sot, kryesia mandaton përfaqësuesit e Partisë Demokratike, jo për show, por për negociata.

Faleminderit.


24/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›