Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Malit të Zi Ferhat Dinosha, me rastin e fillimit të detyrës në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti sot, ambasadorin e Malit të Zi, zotin Ferhat Dinosha, me rastin e fillimit të detyrës në Shqipëri.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen ambasadorit Dinosha dhe suksese në këtë detyrë.
Ambasadori Dinosha, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen, i përcolli përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit Igor Luksic dhe Presidentit Filip Vujanovic.
Ndërsa vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve, që bazohen në miqësinë e kontaktet e ngushta midis dy popujve fqinj, Kryeministri Berisha dhe ambasadori Dinosha konfirmuan vullnetin e plotë të dy qeverive për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në interesin më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve, veçanërisht atë ekonomik, në fushën e turizmit, të infrastrukturës lidhëse midis dy vendeve dhe investimet për to etj..
Ambasadori Dinosha i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet për rolin dhe kontributin e tij personal e të qeverisë shqiptare në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon.
07/06/2012