E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon alpinistët shqiptarë, protagonistë të ngjitjes në majën më të lartë të botës, Everest

Kryeministri Berisha priti sot në një takim, ekipin prej 6 alpinistësh shqiptarë, të përbërë nga Xhim Begeja, i biri Mateo Begeja, Gjergji Bojaxhi, Gerti Pishtari, Fatjon Plaku dhe Erlin Rrudho, të cilët pak javë më parë u ngjitën në majën më të lartë të botës, Everest. Alpinistët shoqëroheshin në këtë takim nga Ministri i Turizmit, Rinisë dhe sporteve, zoti Aldo Bumçi.

Udhëtimi i tyre, i cili nisi në mesin e muajit prill të këtij viti, u kurorëzua mëngjesin e 25 majit me ngjitjen në lartësinë prej 8840 metrash, mbi nivelin e detit, nga faqja veriore e malit Everest, mali më i lartë i planetit ku u vendos edhe flamuri shqiptar, përkrah flamujve të vetëm rreth 30 vendeve nga e gjithë bota.

Ekspedita Everest 2012, inisiativë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, u ndërmor dhe u realizua me sukses të plotë, në kushtet më ekstreme të motit dhe të lartësisë. Ngjitja e alpinistëve shqiptarë në “çatinë e botës” është i dyti në botë pas atij të SHBA për ngjitjen si ekip. Gjithashtu kjo ekspeditë shënoi një rekord tjetër në nivel evropian me 18 vjecarin Mateo Begeja i cili është alpinisti më i ri në Evropë që ngjit majën e Everestit.

Në bashkëbisedimin me ta, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo ngjarje e bukur për alpinizmin shqiptar do të kujtohet edhe si një arritje historike e jashtëzakonshme për sportin shqiptar në tërësi, duke shndërruar në realitet një ëndërr që alpinistët shqiptarë e kanë patur që në fillimet  e tyre. Kryeministri u shpreh se kjo ngjitje e shkëlqyer u realizua në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. “U ngjitët në majën më të lartë të botës në 100 vjetorin e pavarësisë, një zotim që e morët dhe  e përmbushët me dinjitet, duke vendosur flamurin shqiptar në majën e Olimpit të botës, në këtë vit jubilar”, u shpreh kryeministri.

Duke përgëzuar alpinistët për përgatitjen e lartë fizike dhe psikologjike, kryeministri vlerësoi se kurajo dhe trimëria që ata dëshmuan, shpirti i garës dhe pasioni për alpinizmin bënë që flamuri shqiptar të valëvitet krenar në majën më të lartë të botës.” Ngjitja juaj në Everest kishte një veçanti shumë specifike. Ju u ngjitët si skuadër dhe kjo ishte një nga ngjitjet më shkëlqyera. Keni patur ekspeditën më të vështirë të kohërave, por e realizuat me sukses, duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët”, tha Kryeministri.

Kryeministri përgëzoi në mënyrë të veçantë djaloshin 18 vjeçar Mateo Begeja, më të riun e grupit, i cili njësoj si të tjerët, duke mos përfillur vështirësitë ia doli të renditet ndër shqiptarët që prekën me guxim, lartësinë simbol të botës.

Kryeministri u shpreh se Mateo bëri përfaqësimin më dinjitoz të të rinjve shqiptarë që adhurojnë sportin dhe sfidat, duke eksploruar të pamundurën  dhe duke u shndërruar në shembull frymëzimi për moshatarët  e tij.

Nga ana e tyre, alpinistët shqiptarë shprehën kënaqësinë që ndanë në këtë takim emocionet e paharruara të asaj dite të veçantë që i shndërroi ata në protagonistët e ngjarjes më të bukur për alpinizmin shqiptar. Ata vlerësuan interesimin e kryeministrit për këtë ngjarje dhe premtuan se pasioni për këtë sport do të jetë frymëzues për arritje të reja.

Kryeministri Berisha i siguroi ata për mbështetjen e qeverisë në promovimin e këtij sporti.

Kjo ekspeditë u vlerësua si një shembull shumë i mirë për nxitjen e alpinizmit dhe sporteve malore në vend ashtu si edhe të turizmit malor ku Shqipëria ofron potenciale të jashtëzakonshme.


08/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›