Fjala e Kryeministri Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

E nderuar Kryetare e Kuvendit,
I nderuar Kryetar i Grupit,
Të nderuar deputetë dhe deputete,
Së pari dua t’ju përshëndes shumë përzemërsish, t’ju falenderoj për kontributin tuaj të çmuar në shqyrtimin, diskutimin dhe paraqitjen e buxhetit të shtetit për vitin 2013. Dua të theksoj edhe njëherë se puna juaj, analizat tuaja e kanë bërë këtë buxhet, i cili ka meritën të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit, pavarësisht nga kriza që ka pllakosur financat dhe ekonominë e Europës dhe të botës, të shkoi edhe më afër interesave të drejtpërdrejta të qytetarit. Por mbështetja juaj, vota juaj për këtë buxhet ishte para së gjithash e mbi të gjitha mbështetje për punësimin e qytetarëve shqiptarë.
Buxheti përkushtohet vetëm në investimet në infrastrukturë, mbi 720 milionë dollarë, në rrugë, shkolla, ura, ujësjellës, kanalizime, një pjesë e madhe e të cilave do të shndërrohen në rroga për punëtorët që do të realizojnë këto projekte. Ruajtja e këtij niveli investimesh përbën njëkohësisht krijimin e mijëra e mijëra vendeve të reja pune dhe ky është qëllimi më final, më madhor i të gjitha reformave dhe përpjekjeve tona. Së pari, investimet e mëdha në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, të gjitha janë investime, ku punësohen mijëra e mijëra qytetarë të vendit, në të katër anët e Shqipërisë. Por buxheti parashikon heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë dhe ju me votën tuaj keni bërë që dhjetëra e dhjetëra milionë euro t’i lini në kontot e bizneseve shqiptare dhe vetëm me këtë masë, ai rrit mundësitë e krijimit gjatë këtij viti, të dhjetëra mijëra vendeve të reja të punës, kompanive të fasonëve, kompanive të prodhimit. Kjo bën që ato të konsiderojnë në mënyrën më serioze investimet kapitale të tyre, në Shqipëri. Pra, buxheti ka qëllim kryesor krijimin e vendeve të punës.
Ne hoqëm TVSH-në për çimenton dhe çelikun për ndërtimin e hidrocentraleve. Janë mbi 70 projekte në zbatim e sipër në fushën e energjisë. Pak kohë më parë, unë sëbashku me deputetët e Kukësit dhe Peshkopisë inauguruam një hidrocentral 14 megavat në luginën e Drinit. Në ndërtimin e tij ishin punësuar e kishin marrë rrogën 2500 qytetarë të atyre zonave, punëtorë të thjeshtë, teknikë, inxhinierë. Katër hidrocentrale të tjerë janë në ndërtim e sipër në kuotat e tjera; pesë hidrocentrale janë në ndërtim e sipër në drejtim të Shishtavecit; tre hidrocentrale janë në Lurë; në Martanesh, në lartësinë 1510 metra, kanë përfunduar dhe janë në përfundim hidrocentrali në Vithkuq, në Stravaj, Langaricë e kudo. Pra, janë mijëra në mos dhjetëra mijëra vende pune, të cilat janë të padukshme për mediat, pasi po nuk shkoi Sali Berisha atje, nuk marrin kurrë mundimin të shkojnë. Unë mediat i kam miq, por me këtë gjë nuk mund të jem dakord, sepse atje janë rrogat e qytetarëve, atje është puna dhe djersa, atje kudo po krijohet Shqipëria tjetër. Ndaj nxitja, inkurajimi i këtij procesi, përveç energjisë së prodhuar, konvertohet në dhjetëra mijëra vende pune.
Pak ditë më parë, teksa bisedoja me specialistët e ullirit, ata, shumë vlerësues e entuziast për projektin kombëtar, më thanë se me këto ritme të shpejta të krijimit të ullishtave, problem madhor del krahu i punës për vjeljen e tyre. Sipas specialistëve, këtë vit, për vjeljen e ullirit, së paku duhen 1.2 milionë ditë pune. I konvertoni këto ditë në punësim, sa janë. Të gjitha projektet që mbështeten nga qeveria, për drurët frutore, serat, blegtorinë, krijojnë sipërmarrje bujqësore ose blegtorale, pra, krijojnë biznesin, në të cilin ka gjithmonë më shumë se një të punësuar, pasi nuk ka sipërmarrje bujqësore apo blegtorale që mund të përballohet nga një njeri i vetëm. Por nga t’i dijë ai në selinë e PS, këto! Nuk i di, sepse shkon në fshat dhe përpara i del kërriçi, të cilin ai e paraqet si heroin e bujqësisë shqiptare dhe poston në të gjithë botën, foton e tij me kërriçin, sikur zbuloi Amerikën, për t’i thënë botës se ja ku ka mbetur bujqësia shqiptare. E ka harruar Dhimon [Dhimo Kote, fermer komuna Xarë], nuk e keni dëgjuar më të flasë për të, sepse suksesi nuk i leverdis. Tani i duhet kërriçi. Më pas shkoi diku tjetër dhe gjeti ish-kryetarin e tij të komunës me 500 gjela deti, i cili i thoshte jam keq, se dua t’i bëj 1 mijë. Unë i uroj t’i bëhen 2 mijë, por 500 i kishte. Pra, jo vetëm po i kthejnë në sipërmarrje, por po krijohen premisa për një punësim, që nuk ka ekzistuar kurrë më parë.
Ne po bëjmë gjithçka, me këtë buxhet, të nxisim përshtatjen e arsimit me tregun, në mënyrë që të përgatiten punëtorët e rinj të kualifikuar për tregun.
Ne po bëjmë gjithçka, me këtë buxhet, për të mbajtur stabilitetin makro- ekonomik si një kusht, si një infrastrukturë ekonomike dhe financiare për sipërmarrjen private dhe suksesin e saj.
Ky buxhet, më i madhi në historinë e vendit, 410 miliardë lekë, në tërësinë e tij i është kryekëput përkushtuar krijimit të vendeve të reja të punës. Është e dhimbshme, sesi kjo opozitë nuk paraqiti qoftë edhe një amendament të vetëm për krijimin e vendeve të punës. Në një anë shpall gjithë ditën statistikën e Ramiz Alisë, 1 milionë të papunë, që nga viti 2000, nga ana tjetër ka zero alternativë për krijimin e vendeve të punës. Kavërdiset me mashtrimet dhe trillimet e veta.
Megjithëse nuk e kanë votuar ndonjëherë, mirë do të ishte ta votonin këtë buxhet. Ata kanë kundërshtuar të gjitha rritjet e rrogave dhe pensioneve, në mënyrën më të paimagjinueshme, kanë bërë betejën më të egër në historinë e parlamentit, kundër Rrugës së Kombit, kundër tunelit Tiranë-Elbasan - ju kujtohet seanca për tunelin Tiranë-Elbasan, në të cilën na mbajtën deri në orën 5 të mëngjesit. Unë nuk besoj se kjo është e shëndetshme për opozitën.
Sidoqoftë, unë e mbyll këtë ekspoze me thirrjen time që zoti Rama t’i votojë tre ligjet e kërkuara, pavarësisht se dëmin e ka bërë dhe mesazhi është i pariparueshëm. Dua t’i njoftoj shqiptarët se mesazhi që u dërgua në Bruksel, ishte qartësisht negativ: Kur ju nuk votoni për veten tuaj, përse duhet të votojmë ne për ju, kur ju nuk votoni tre ligjet që ju kërkohen për statusin, përse do të votojmë ne për ju. Megjithatë procesi i integrimit është një proces i gjatë dhe kompleks dhe unë i bëj thirrje që, në nderim edhe të këtij 100 vjetori, por edhe në reflektim të dëmit të madh që i bëri vendit, le t’i votojmë ato. Është kalkulim absolutisht i gabuar, në qoftë se vazhdon të besosh se votimi i tyre ndihmon qeverinë. Jo. Votimi i tyre ndihmonte çdo shqiptar. Ndërsa mosvotimi do të jetë një faturë shumë, shumë e rëndë mbi ata që përdorën pushtetin e qytetarëve për t’i bllokuar. Prandaj, pavarësisht se e bllokove procesin, le të votojmë dhe në këtë mënyrë të dëshmosh se nuk mund të qëndrosh në një politikë bllokuese.
Zonja e zotërinj deputetë,
Më duhet t’ju rrëfej një “darkë të gabuar”, jo si ajo e Kadaresë, por në disa nuanca shumë e gabuar, që ka ndodhur 5 ditë më parë, tek Rozafa, te kazinoja. Aty, në dukje po festohej ditëlindja e njërit prej ish bashkëpunëtorëve të mi. Në thelb, jo me një, por me disa dëshmitarë, kjo darkë ishte një lloj përpjekjeje për një gjysmë komploti apo puçi, që, natyrisht, nuk ishte ndaj kurrkujt tjetër, përveçse ndaj Sali Berishës. Së pari filloi me tezat se Enver Hoxha bëri shtet. Ideolog i kësaj teze ishte përzgjedhur nënkryetari i gjithëfuqishëm i PS-së, Koço Kokëdhima. Por dëshmitarë të çështjes ishin Edi Rama, Spartak Ngjela. Ndërkohë një ish mik i imi, një gazetar i një gazete që nuk botohet më, i thotë: Spartak, po çfarë shteti bëri Enveri, sepse ai të futi në burg ty dhe prindërit e tu. Spartaku ia kthen: Në burg më futi, por më futi me ligje. Të pranishmit i kthehen Edi Ramës dhe i thonë: Kemi ardhur këtu për të bërë enverizëm, apo si të ftuar? Dhe ai u thotë se shtetin, Enveri e kishte serioz.
A e dëgjuat se çfarë u tha Rama të rinjve, dy ditë më parë? Ndërsa po fliste me një këngëtare të Top Channel dhe duke analoguar me regjimin e diktaturës, i tha: ke shumë “shfaqje të huaja” në pamjen tënde, por nuk i tregoi asaj se atë vit, në kufijtë e Shqipërisë u pushkatuan 93 të rinj. A thua se ai regjim ka qenë i tillë vetëm për çështje të “shfaqjeve të huaja”! Në atë takim, po ashtu, vihej re se nuk kishte ftuar as Majkon, as Blushin. Ai e kremtoi 8 dhjetorin pa ata pak dhjetoristë që ka në parti. Dhe e paraqiti para të rinjve sikur ai regjim e paska pasur problemin vetëm te flokët e gjatë a të shkurtër apo tek xhinset. Këto ishin kapërcyer si probleme në atë dhjetor. Por zoti Rama ua servirte të rinjve këto gjëra, si e si ta zvogëlonte krejtësisht rolin dhe kontributin historik të tyre në lindjen e lirive dhe të të drejtave të shqiptarëve. Por për këtë nuk kam pasur ndonjëherë dyshim.
Duke vazhduar me darkën, pasi Rama bëri gjithçka për të lartësuar Enver Hoxhën dhe, natyrisht, për të nxirë figurën e Sali Berishës, muhabeti u prish komplet, kur gazetari që përmenda më lart, të cilit nuk po ia përmend emrin se nuk dihet si e marrin, i thotë: Kur unë kisha muhabet me Berishën, i kisha thënë në mënyrë të përsëritur që tre vetë nuk të duhen. Avokat Ngjela kthehet dhe e pyet kush ishin ata të tre. Dhe gazetari vazhdon: I pari Spartak Ngjela, i dyti Mero Baze, i treti Bamir Topi. Kjo gjë e xhindosi avokatin. Si përfundim, ajo çka në paraqitje ishte një ditëlindje, u shndërrua e tëra në një darkë të gabuar, jo me Gurametër, por me guralecë.
Megjithatë, kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për publikun, rëndësi ka një përpjekje e shpërfytyruar për të mbrojtur Enver Hoxhën. Tani ata përdorin si justifikim ngritjen e busteve, të Ismail Qemalit, të Hasan Prishtinës, të Adem Jasharit, të Azem Hajdarit. Enveri e kishte bustin në çdo qytet, por bustet e tij i hoqën zvarrë shqiptarët. Mos mendoni se shqiptarët kanë harruar as zvarritjen e busteve të tij, por as edhe shkaqet e tmerrshme që i detyruan ata që t’i zvarrisin këto buste. “Enveri bëri institucione serioze”, - thoshte Rexhep Qosja dikur. Ju duhet ta dini se, kur shkuan kosovarët në Vuthaj, vuthjanët dërguan çelësat e shtëpive që nga Nju Jorku, por vetëm dy shtëpi nuk u hapën kurrë, njëra prej të cilave ishte ajo e “profesorit” të Shpëtim Gjikës. Ajo nuk u hap ndonjëherë. Kjo, atij iu shpërblye në kulmin e festimeve të Vlorës, vetëm sepse deklaroi se “Enveri bëri shtet serioz”. Por Enveri bëri diktaturën më çnjerëzore që Europa ka pasur. Kurrë ndonjëherë, ndonjë popull nuk ka vuajtur nga ndonjë diktator, sa shqiptarët nën diktaturën hoxhiste. Pra, atë që ekspozoi profesori i tyre enverist e zhvilluan më tej në “darkën gjysmë të gabuar”, dy pinjollët e nomenklaturës dhe Koçoja, i cili ende dukej se ëndërronte të bëhej nga Sekretar i Parë i Fierit, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë dhe pastaj të kalonte në radhët e para të partisë. Por, faktikisht, ai sot sundon PS-në.
Të gjitha këto i thashë jo se kanë ndonjë vlerë të madhe, por sepse ka një ofendim në këtë drejtim. Edi Rama do të kishte bërë mirë t’u kishte kërkuar të falur shqiptarëve, në këtë 100 vjetor, për të gjitha barbaritë, mizoritë që kreu ndaj shqiptarëve diktatori stalinist dhe bllokmenët e tij hoxhistë. Duhet ta bënte këtë gjë, të paraqiste një lloj ndjese. Nuk them ndjesë për veten, sepse ai vetë nuk ka qenë direkt i përfshirë. Megjithëse më duhet t’u them edhe një gjë. Kur unë e kërkova Ramën dikur, për t’u bërë deputet, ai nuk erdhi dhe ktheu përgjigje për jo. Por zgjedhja ishte e tij.
Megjithatë, në këtë vit të 100 vjetorit, prisja që të kërkonte ndjesë. Edhe pse nuk ia thashë këtë përgjatë një viti të jubileut, sepse mendova se ai do të kishte një shtysë edhe për të përgënjeshtruar atë që unë i them shpesh, “neobllokmen”. Në fakt, ata që ishin në “darkën gjysmë të gabuar” i shtruan pyetjen se si kishte mundësi që edhe ai të ketë nostalgji për Enver Hoxhën. Por ai u tha se Enveri bëri shtet serioz. Pra, diktatura, sipas tyre, ishte diçka serioze, kur realisht diktatura ishte diçka makabre. Kadareja, historinë që përshkruan tek vepra e tij e kishte me të thënë dhe ka përshkruar diçka që nuk e ka përjetuar vetë, sepse nuk ka qenë pjesëmarrës në darkën e gabuar. Por unë uroj që dikush tjetër, që ka qenë tek kjo darkë së fundi, ta përshkruajë atë si “darka gjysmë e gabuar”, për të nxjerrë të gjitha të vërtetat e saj, të cilat ishin të vërteta shumë të hidhura.
Sa për mediat, edhe për këtë pjesë që ishte pothuajse tërësisht private, ju e morët vesh. Ju falënderoj.
10/12/2012