E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në punimet e konferencës kombëtare “Dhuna është krim! Vepro Tani!”

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e konferencës kombëtare “Dhuna është krim! Vepro Tani!”. Kjo konferencë u zhvillua sot, në Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, në kuadër të fushatës ‘16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës ndaj Grave”.

Kryeministri Berisha u shpreh se dhuna ndaj grave është kthyer në një çështje tepër shqetësuese dhe se është i domosdoshëm një promovim shumë më i madh mediatik, një fushatë konstante mediatike kundër saj, shoqëruar kjo me mekanizma ligjorë që të bëjnë përgjegjës autorët e kësaj dhune.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur liritë dhe të drejtat e tyre, ndërsa shtoi se qeveria dhe shoqëria duhet të bëjnë gjithçka për të inkurajuar vajzat dhe gratë që të ndjekin karrierën. “Do të kërkoja të bëhet një përpjekje e madhe që gratë e vajzat të ndjekin karrierën e tyre, si një nga kushtet më themelore për të kontribuar në emancipimin e tyre dhe të shoqërisë”, u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Kjo ditë është dita më e rëndësishme në ditët ndërkombëtare, sepse ka të bëjë me çështjen më themelore të qytetarit, liritë dhe të drejtat e tij, çështje kjo e përjetshme dhe që nuk mund të hiqet kurrë ndonjëherë nga axhenda e çdo qytetari, çdo shoqate, e shoqërisë civile dhe, natyrisht, çdo qeverie e politikëbërje. Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut përbëjnë një detyrim madhor, jo vetëm për respektimin e tyre, por për zgjerimin e tyre të vazhdueshëm. Në këtë kontekst, duhet ta kemi të qartë se problemet e minorancave dhe minoriteteve janë dhe mbeten çështjet më të mprehta, sepse historia fakton që shumica jo rrallë ka rënë dhe mund të bjerë në marrëzi, deri në barbari në qëndrimet ndaj tyre. Ndaj dhe ka një rëndësi jetike të mbajmë parasysh se qëndrimi apo vlerësimi i standardeve të lirive dhe të drejtave të njeriut për çdo shoqëri nis, para së gjithash, me qëndrimin ndaj minoriteteve, ndaj minorancave të çdo lloj natyre qofshin ato. Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha në këtë aspekt, ka krijuar institucione respektive, ka bashkëpunuar ngushtë me faktorë ndërkombëtarë për tu dhënë përgjigjen e merituar problemeve që lidhen me liritë dhe të drejtat e minoriteteve dhe minorancave në vend. Ato janë në qendër të vëmendjes nga e tërë shoqëria shqiptare, e cila në vetvete, në tërësi, është tolerante, është një nga shoqëritë ndoshta më tolerante të planetit. Ajo ka një tolerancë të përkryer fetare, ka si shoqëri një tolerancë të përkryer ndaj minoriteteve. Ajo po zhvillon tolerancën ndaj minorancave dhe jam i sigurt që do ta zhvillojë atë. Zëra ekstremistë, të cilët mendojnë të ndërtojnë karrierën e tyre në klithma ekstremiste do të bien në gropën e parë që do t’u dalë përpara. Ata nuk kanë të ardhme.

Sot, unë ju përgëzoj që keni përzgjedhur për këtë ditë një temë tmerrësisht të mprehtë, siç është dhuna ndaj grave. Këtu çështja ndryshon, nuk kemi të bëjmë me pakicat, nuk kemi të bëjmë me minorancat, por kemi të bëjmë me një qëndrim të padrejtë, të pandershëm ndaj shumicës së shoqërisë. Gratë dhe vajzat janë shumica dhe nuk janë vetëm në Shqipëri, janë në tërësi. Liritë dhe të drejtat e tyre janë objekt dhunimi të vazhdueshëm, mjerisht, në të gjitha shoqëritë. Ky është një problem shumë i madh. Ky problem ka rrënjë të thella, rrënjë në mijëvjeçarë, i ka rrënjët dhe në librat më të shenjtë, se kur erdhi problemi Adami e mbajti mollën. U ndala këtu për të patur vetëdijen se sa përpjekje të mëdha duhet të bëjmë për të përballuar këtë problem shumë të madh. Dhuna ndaj grave është dhunuesi absolut më i madh mbi tokë i lirive dhe të drejtave njerëzore. Kjo dhunë është multidimensionale, ka shumë faqe. Kjo dhunë është kryekëput e bazuar në stereotipin e trashëguar nga shekujt dhe mijëvjeçarët, sepse, siç e thashë, fillon që me akuzat ndaj Evës për mëkatin, vazhdon deri në shekullin e shkuar kur doktrina të tëra shkencore dhe gjysmë-shekncore u shndërruan në besime kundra grave, siç ishte frojdizmi apo doktrina të tjera.

Ky qëndrim dikton në mënyrë të padukshme një mori të tërë qëndrimesh. Unë mund t’ju them ju se këto vite që jam në politikë mbaj mend një ose dy burra të më jenë ankuar për vendime të padrejta të gjykatave, kur ka qenë bashkëshortja e tyre palë, ndërsa janë me dhjetëra e dhjetëra gra që kanë humbur rastet e tyre, pa mundësi shumë, për faktin se kanë qenë gra. Ne kemi qenë shoqëri patriarkale, por përsëri jo një shoqëri e dhunshme ndaj grave. Kjo dhunë që ndodh sot, absolutisht, nuk ka ekzistuar në shoqërinë shqiptare, as në kohërat më të shkuara të saj. Ka pasur një kod qëndrimi ndaj gruas, ndaj vajzës. Por fillimisht edhe drejtësia, nuk them se e përligjte, por pothuajse e përligjte me vendimet qesharake simbolike që jepte për këto raste. Kjo fazë është kaluar dhe është meritë edhe e juaja, edhe e drejtësisë. Drejtësia qëndron sot ndaj saj, por nuk mund të presim që të zgjidhë drejtësia këtë problem themelor, i cili ka të bëjë me paqen familjare, sepse flasim për paqe sociale, por nuk mund të ketë paqe sociale pa pasur paqe familjare, nuk mund të ketë zhvillim të një kombi pa shpalosjen e të gjitha potencialeve të tij, nuk mund të ketë edukim të fëmijëve në një terror familjar që ata e përjetojnë periodikisht. Traumat janë si filmat horor, por edhe filmin e di që është film, ndërsa traumat fëmija i sheh në jetën e tij. Ndaj ka një rëndësi kapitale. Nuk është se flitet pak për këtë, nuk është se shoqëria civile nuk e ka këtë çështje si çështje të parë në axhendën e saj. Në vendet mike dhe kudo në botë ky është një problem madhor. Por, mendoj se tek ne një promovim shumë më i madh mediatik, një fushatë konstante mediatike kundër saj, shoqëruar kjo me mekanizma ligjorë që të bëjnë përgjegjës autorët e kësaj dhune, është e domosdoshme. Është e domosdoshme që komunitetet lokale të përcaktojnë familjet me risk të lartë, sepse ata i njohin. Disa nga këto ngjarje tragjike janë ngjarje të paralajmëruara. Të bëjmë gjithçka për një përgjigje sa më të mprehtë, sa më të vendosur kundër këtij fenomeni që vjen në rritje. Ky fenomen po vjen në rritje. Në rast se merrni statistikat, po t’i referoheni statistikave shqiptare nga fillimi i shekullit deri në vitet ’90, ju garantoj se vrasja e gruas këto 20 vite mund të jetë më e madhe, jo se një shekull, por se dy shekuj të marrë së bashku. Kjo duhet të përbëjë për ne një sirenë të fuqishme alarmi.

Ndërkohë ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur liritë dhe të drejtat tuaja. Qeveria ka mundësitë e veta. Sot administrata shqiptare dominohet ndjeshëm nga vajzat dhe gratë dhe performanca e tyre është e shkëlqyer. Në tërësi ato janë më të preferuar për shkak të aftësive të tyre dhe dëshmojnë një përgjegjësi të lartë. Qeveria, me ndërhyrjet e saj, ka bërë që një diferencë e papranueshme gjinore që ekzistonte në rroga, që ekzistonte në vitin 2005, prej 36 përqind, të zbresë në vitin 2008-2009 në 17.7 përqind, afërsisht në mesataren e Bashkimit Evropian që është 17.6 përqind, si dhe të lërë pas mbi 10 vende anëtare të BE-së, të cilët e kanë këtë diferencë në paga mbi 17.7 përqind. Qeveria në politikën e saj arsimore konstaton se në universitetet tona, përqindja e vajzave dhe grave është 8 - 10 përqind më e madhe se e djemve. Kjo jo se bëhet ndonjë diskriminim pozitiv, por sepse ato janë shumë më të përkushtuara dhe arrijnë të plotësojnë kushtet për të ndjekur universitetet.

Qeveria dhe shoqëria duhet të bëjnë gjithçka për të inkurajuar, për të nxitur vajzat dhe gratë që të ndjekin karrierën. Nuk ka mekanizëm më eficent, ndonëse nuk i jep zgjidhje përfundimtare, sesa inkurajimi i vajzave dhe grave që të mos kthehen, të mos pranojnë kurrë të kthehen në grua shtëpie, në nënë fëmijësh, në bashkëshorte burri dhe vetëm kjo të jetë orbita e saj. Gruaja është e aftë të jetë nënë, bashkëshorte, kryefamiljare, por të jetë, gjithashtu, edhe një eksperte, specialiste, një drejtuese e shquar, e suksesshme, të jetë një biznesmenë e suksesshme në shoqëri.

Ndaj do të kërkoja të bëhet një përpjekje e madhe që gratë e vajzat të ndjekin karrierën e tyre, si një nga kushtet më themelore për të kontribuar në emancipimin e tyre dhe të shoqërisë. Ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka mundet për të ngushtuar këtë mur që vjen nga mijëvjeçarët dhe që është sot dhunues kryesor i lirive dhe të drejtave në shoqëritë e lira.

Faleminderit!”


10/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›