Kryeministri Berisha pret grupin parlamentar të miqësisë Francë – Shqipëri
Kryeministri Berisha priti sot në takim grupin parlamentar të miqësisë Francë – Shqipëri. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha ndau me parlamentarët francezë të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, si dhe shprehën bindjen se këto marrëdhënie do të forcohen dhe më tej në të ardhmen, nisur nga fakti i mbështetjes që Franca dhe Presidentit Sarkozi i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë lidhur me integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Berisha i informoi parlamentarët francezë mbi zhvillimet e fundit në vend dhe me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për tërheqjen e investitorëve të huaj, përfshi edhe investitorët francezë.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha i njohu të pranishmit në këtë takim edhe me arritjet e Shqipërisë në drejtim të procesit të integrimit, luftën kundër krimit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, si dhe me një sërë reformash të tjera të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
17/03/2010