E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Prokurorin e Përgjithshëm të Spanjës, zotin Candito Conde - Pumpido Touron

Kryeministri Berisha prit sot Prokurorin e Përgjithshëm të Spanjës, zotin Candito Conde-Pumpido Touron dhe delegacionin që e shoqëronte. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Spanjës në Shqipëri, zoti Manuel Montobbio.

Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi zotin Touron për vizitën, i shprehu mirënjohjen për ndihmën që Spanja i ka dhënë Shqipërisë në reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në rritjen e performancës së Prokurorisë së Përgjithshme.

Zoti Touron shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë me Shqipërinë në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e Spanjës dhe gatishmërinë e institucionit që ai drejton, që të dy vendet të luftojnë bashkërisht kundër krimit të organizuar.

Zoti Touron vlerësoi gjithashtu ecurinë dhe progresin që Shqipëria ka bërë në rrugën e saj të integrimit europian dhe u shpreh se Spanja, e cila aktualisht ka presidencën e radhës të Bashkimit Europian, do t’i japë mbështetjen e plotë Shqipërisë në këtë proces.

Kryeministri Berisha duke folur për reformat e ndërmarra dhe suksesin e arritur, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit theksoi se kjo luftë është dhe do të mbetet prioritet për qeverinë shqiptare duke u bërë pjesë e të gjitha reformave të ndërmarra në vend.

Kryeministri Berisha vlerësoi se prokuroria shqiptare ka treguar progres në vitet e fundit dhe ka dëshmuar vendosmëri në zbatimin e ligjit. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se funksionimi i Task Force-s kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, të drejtuar nga prokuroria, është një strukturë mjaft e rëndësishme në këtë luftë dhe ka arritur suksese të dukshme në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është e gatshme të nënshkruajmë çdo marrëveshje me vendet anëtare të BE-së që forcon luftën kundër krimit të organizuar, atij ekonomik dhe korrupsionit.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha i shprehu gjithashtu ambasadorit Montobbio falënderimet për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shfrytëzoi këtë takim për t’i përcjellë Kryeministrit Zapatero ftesën për të vizituar Shqipërinë.


16/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›