E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim Përfaqësuesin e BE-se dhe Shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare ne Kosove, zotin Piter Faith

Kryeministri Berisha priti sot në një takim zotin Piter Faith, Përfaqësues i BE-se dhe Shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare ne Kosove.

Duke falënderuar kryeministrin për mikpritjen, Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, zoti Piter Faith u shpreh i impresionuar për ndryshimet e bëra në Shqipëri, që nga vizita e tij e fundit, në vendin tonë. Zoti Faith vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha në zhvillimin e vendit, dhe u shpreh se është shumë i rëndësishëm fakti se Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol stabilizues në rajon.

Zoti Faith përgëzoi për projektet madhore të realizuara në vend, me impakt të rëndësishëm, jo vetëm në Shqipëri , por edhe ne rajon , si në rastin e rrugës Durrës –Kukës.

Shefi i Zyrës Civile dhe Ndërkombëtare, zoti Piter Faith u shpreh se nga dita në ditë, Kosova po zhvillohet, institucionet e saj po konsolidohen dhe se po punohet për njohjen e pavarësisë, për stabilitetin dhe progresin e vazhdueshëm te vendit. Në këtë kontekst, Zoti Faith theksoi se Zyra Civile ndërkombëtare po punon ngushtësisht në përkrahje të institucioneve kosovare, në drejtimin të afrimit të Kosovës drejt BE-së. Gjithashtu zoti Faith u shpreh Zyra ndërkombëtare civile është duke punuar për njohjen më të madhe të Kosovës, për pranimin e saj, në institucionet ndërkombëtare dhe konsolidimin e Kosovës, si shtet i pavarur.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi Shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, zotin Piter Faith, për vizitën e tij në Shqipëri dhe shprehu falënderimet e tij, për kontributin që Zyra Civile Ndërkombëtare ka dhëne për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

Kryeministri theksoi se tashmë u vërtetua se pavarësia e Kosovës ishte shumë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin ne Ballkan. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se Kosova duhet të punojë në vazhdimësi, për njohjen e pavarësisë, edhe pse tashmë pavarësia është e pakthyeshme.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova, me progresin e bërë e ka të hapur perspektivën drejt Bashkimit Evropian dhe integrimin e saj, në strukturat euroatlantike. Kryeministri u shpreh se zgjedhjet lokale treguan edhe njëherë funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe stabilitetin e saj.

Duke vlerësuar progresin e Kosovës në aspektin ekonomik, Kryeministri Berisha u shpreh se institucionet në Kosovë duhet të punojnë pareshtur për ta bërë vendin e tyre, sa më tërheqës për investitorët e huaj. Lidhur me këtë, zoti Faith u shpreh se zyra civile Ndërkombëtare po punon në përkrahje të institucioneve kosovare për hartimin e politikave që e bëjnë Kosovën, një vend tërheqës për investime të huaja, veçanërisht në sektorin e turizmit.


13/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›