Kryeministri Berisha pret në takim Përfaqësuesin e BE-se në Kosovë, Piter Feith Kryeministri Berisha pret në takim Përfaqësuesin e BE-se dhe Shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare ne Kosove, Piter Feith

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Piter Feith, Përfaqësues i BE-se dhe Shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare ne Kosove. Duke falënderuar kryeministrin për mikpritjen, Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Feith u shpreh i impresionuar për ndryshimet e bëra në Shqipëri, që nga vizita e tij e fundit, në vendin tonë. Ai vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha në zhvillimin e vendit, dhe u shpreh se është shumë i rëndësishëm fakti se Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol stabilizues në rajon. Përfaqësuesi i BE përgëzoi për projektet madhore të realizuara në vend, me impakt të rëndësishëm, jo vetëm në Shqipëri , por edhe ne rajon , si në rastin e rrugës Durrës –Kukës. “Nga dita në ditë, Kosova po zhvillohet, institucionet e saj po konsolidohen dhe se po punohet për njohjen e pavarësisë, për stabilitetin dhe progresin e vazhdueshëm te vendit”, u shpreh Feith. Në këtë kontekst, ai theksoi se Zyra Civile ndërkombëtare po punon ngushtësisht në përkrahje të institucioneve kosovare, në drejtimin të afrimit të Kosovës drejt BE-së. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi Shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, për vizitën e tij në Shqipëri dhe shprehu falënderimet e tij, për kontributin që Zyra Civile Ndërkombëtare ka dhëne për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Kryeministri theksoi se tashmë u vërtetua se pavarësia e Kosovës ishte shumë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin ne Ballkan. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se Kosova duhet të punojë në vazhdimësi, për njohjen e pavarësisë, edhe pse tashmë pavarësia është e pakthyeshme. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova, me progresin e bërë e ka të hapur perspektivën drejt Bashkimit Evropian dhe integrimin e saj, në strukturat euroatlantike. Kryeministri u shpreh se zgjedhjet lokale treguan edhe njëherë funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe stabilitetin e saj.