Presidenti i grupit të PPE, Volante: Situata politike, zgjidhje në bazë të Kushtetutës Kryeministri Berisha gjatë takimit me Luca Volonte, presidentin e grupit parlamentar te PPE në KE

Kryeministri Berisha priti në një takim Luca Volonte, presidentin e grupit parlamentar të Partive Popullore të Evropës, në Këshillin e Evropës. Duke e falënderuar kryeministrin Berisha për pritjen miqësore, Luca Volonte e cilësoi këtë vizitë në kuadër të bashkëpunimit që qeveria shqiptare ka me Partitë Popullore, një forcë politike kryesore në Këshillin e Evropës. Gjatë këtij takimi ai rikonformoi edhe një herë qëndrimin e PPE dhe grupit parlamentar të tyre në KE, të cilët i qëndrojnë deklaratave të KE-së, për situatën politike në Shqipëri, si dhe në lidhje me transparencën, e cila duhet të bëhet e bazuar në Kushtetutë dhe në vendimet e gjykatave. Kryeministri Berisha duke i uruar mirëseardhjen parlamentarit të lartë të Këshillit të Evropës, e informoi atë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, por edhe për arritjet dhe rezultatet që ka pasur Shqipëria, si në zhvillimet e brendshme ashtu edhe në drejtim të integrimit evropian. Të gjitha këto zhvillime, theksoi ai, kanë ardhur falë reformave serioze, përkushtimit dhe performancës të lartë të qeverisë dhe funksionimit të demokracisë në çdo hallkë të saj. Presidenti i grupit parlamentar të PPE-ve në Këshillin e Evropës përshëndeti të gjitha arritjet në Shqipëri, ku sipas tij funksionojnë institucione me një demokraci solide, si dhe një shtet ligjor mjaft të konsoliduar. Gjithashtu, Volonte vlerësoi si shumë të rëndësishme hapat para dhe të njëpasnjëshëm që po bën Shqipëria drejt integrimit në familjen Evropiane. Në përfundim të këtij takimi, ai theksoi se PPE dhe grupi i tyre parlamentar në KE, përshëndesin të gjithë angazhimin dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare, si dhe vullnetin e saj të padiskutueshëm në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit ligjor, si dhe të parimeve të KE-së ndaj funksionimit të shtetit ligjor.