Kryeministri Berisha pret në takim përfaqësuesit e FMN-së, zotërinjtë Adam Bennet dhe Gerwin Bell
Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësuesit e FMN-së, zotërinjtë Adam Bennett dhe Gerwin Bell, të cilët i uruan Kryeministrit Berisha suksese ne mandatin e dytë qeverisës.
Gjatë këtij takimi, zoti Bennett tha se kriza globale për fat të mire ka dhënë shenja të forta zbutjeje dhe shumë ekonomi të vendeve të prekura nga kjo krizë po dalin nga recensioni. Në këtë kontekst, zoti Bennet u shpreh se Shqipëria nuk i ndjeu pasojat e krizës si vendet e tjera.
Duke përshkruar situatën ekonomike të Evropës dhe vendeve fqinje, zoti Bennet u shpreh se FMN mbetet e gatshme për asistencë dhe ndihmë për të gjithë ekonomitë që kanë nevojë për të.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e FMN-së për vizitën dhe për bashkëpunimin e frytshëm shumëvjeçar të qeverisë shqiptare me institucionin e tyre.
Kryeministri Berisha përshkroi situatën makroekonomike të Shqipërisë, si një situatë e qëndrueshme dhe një ekonomi e shëndetshme që vazhdon rritjen dhe ekuilibrin makroekonomik. Duke folur për programin e ri të qeverisë shqiptare, Kryeministri u shpreh se ky program për këtë 4 vjeçar është edhe më ambicioz se i pari dhe në qendër të tij qëndron ulja e deficitit deri në 50 %, mbajtja e inflacionit me tavan deri në 3 %, si dhe ruajtja e një ritmi të lartë rritjeje ekonomike.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u prezantoi bashkëbiseduesve politikat fiskale dhe monetare te Shqipërisë, si dhe politikat dhe strategjitë ekonomike. Kryeministri tha se Shqipëria do të vazhdojë të përballojë me sukses sfidat duke u përqendruar në fushat prioritare të programit të saj, si uljen e shpenzimeve administrative, rritjen e të ardhurave, rritjen e buxheteve lokale, nxitjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe luftën kundër varfërisë deri në zhdukjen e plotë të saj.
Kryeministri theksoi gjithashtu se një prioritet të madh në programin e ri qeverisës ka edhe bujqësia, reformimi i së cilës është i lidhur me punësimin, rritjen e të ardhurave, përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të jetesës. Kryeministri theksoi ndër të tjera, që qeveria shqiptare është e hapur të vazhdojë bashkëpunimin me FMN sipas artikullit 4.
Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha shprehu edhe njëherë falënderimet për ndihmën dhe kontributin që FMN ka dhënë në arritjet ekonomike fiskale dhe monetare.17/09/2009