E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion të biznesit të Kosovës

Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të biznesit të Kosovës, të kryesuar nga Agim Shahini, President i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Zoti Shahini i përcolli Kryeministrit Berisha kënaqësinë e madhe të të gjithë komunitetit të biznesit kosovar për mundësitë dhe hapësirat e bashkëpunimit të dhënë nga qeveria shqiptare  biznesit kosovar. Zoti Shahini përshëndeti Kryeministrin dhe e uroi për rizgjedhjen në detyrë, si për arritjet e gjithanshme politike, ekonomike dhe në arenën ndërkombëtare të Shqipërisë. Ai tha se i shprehte Kryeministrit Berisha jo vetëm urimet e tij personale, por edhe dashurinë e mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi i problemeve që kanë të bëjnë me rritjen e fushave të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, heqjen e të gjitha barrierave që lidhen me procedurat, kohën, lehtësinë e bërjes biznes. Domosdoshmërinë e njehsimit ekonomik, tha zoti Shahini, e përshpejtoi edhe rruga Durrës-Kukës, që rriti në mënyrë të papërshkruar fluksin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve. Mbështetja ekonomike nëpërmjet kësaj rruge, - shtoi ai - forcohet edhe më tepër me lehtësirat e lëvizjes së mallrave nga deti, që do të ofrojë porti i Shëngjinit, i quajtur tashmë porti i Kosovës. Zoti Shahini theksoi se komuniteti i biznesit të Kosovës, duke qenë shumë mirënjohës për të gjitha mundësitë e zhvillimit ekonomik, që i janë ofruar si rezultat i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë,  duhet çuar më tej, duke krijuar lehtësira të mëtejshme procedurale dhe fiskale në pikat kufitare apo marrëdhëniet institucionale. Ai shprehu besimin se rritja e volumit të shkëmbimeve midis dy vendeve do të shoqërohet me zhvillim të mëtejshëm të aktiviteteve prodhuese e të shërbimeve në sektorë të ndryshëm si në bujqësi, blegtori, industri etj.. Bashkimi i kapitaleve të të dy vendeve, i energjive dhe kapaciteteve të punës, - u shpreh zoti Shahini - do të sjellë patjetër rritje të aftësive konkurruese të produkteve të të dy vendeve. 

Kryeministri Berisha, tha se qeveria e tij është shumë e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar hapësirën ekonomike të bashkëpunimit midis dy vendeve, si interesi më i mirë i çdo shqiptari. Lehtësimi i lëvizjes së mallrave, njerëzve dhe bashkimi i kapaciteteve ekonomike, sidomos në fushën e bujqësisë, janë në qendër të reformave që po thellon qeveria në këtë katërvjeçar. Më tej, Kryeministri Berisha tha se ndërtimi i portit të Shëngjinit si porti i Kosovës si dhe vazhdimi i lidhjes hekurudhore të Shqipërisë me Kosovën janë projekte madhore që çojnë drejt  bashkimit ekonomik të dy vendeve.


02/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›