Kryeministri Berisha pret Drejtorin Ekzekutiv (CEO) të Korporatës Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat, zotin Kahled Al Aboodi
Kryeministri Berisha priti sot në takim Drejtorin Ekzekutiv (CEO) të Korporatës Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat, zotin Kahled Al Aboodi.
Zoti Kahled Al Aboodi, pasi falënderoi Kryeministrin për pritjen, i prezantoi platformën e bashkëpunimit midis Korporatës dhe sektorit bankar dhe atij të biznesit në Shqipëri, bashkëpunim që do të finalizohet me një konferencë që do të organizohet në Tiranë në muajin nëntor.
Kryeministri e garantoi zotin Kahled Al Aboodi mbështetjen e të gjitha strukturave qeveritare për të thelluar bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Korporatës. Kryeministri, pasi i shpalosi programin e qeverisë që ai drejton, theksoi se për ekonominë shqiptare është shumë i rëndësishëm financimi i projekteve ekzistuese dhe atyre në vijim në sektorë vitalë si bujqësi, turizëm, në dhënien e mikrokredive për të inkurajuar rritjen e prodhimit blegtoral dhe bujqësor dhe nxitjen e kulturës së mbjelljes dhe prodhimit të pemëve frutore. Ai gjithashtu i prezantoi projektet në infrastrukturë si porte, aeroporte, rrugë dhe projekte të tjera madhore, të cilët janë në proces zbatimi dhe të financimit.
Zoti Kahled Al Aboodi u shpreh i emocionuar për ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare dhe numrit të projekteve investuese të filluara dhe në proces. Ai tha se në konferencën që do të zhvillohet së shpejti do të ketë mjaft kompani investitore dhe financuese nga Fondi i Kuvajtit, Arabia Saudite etj., të interesuar për të shtrirë aktivitetet e tyre në Shqipëri.
Ai tha se projektet e filluara në Shqipëri janë tërheqëse për sektorin financiar të grupit që ai drejton dhe të tjerave në këtë fushë. Gjithashtu, zoti Kahled Al Aboodi tha se interes të madh kishte edhe forcimi i sektorit bankar privat dhe nxitja e mikrokredive në sektorin bujqësor dhe blegtoral.
Është në politikat dhe praktikat e Korporatës në këtë moment, - tha zoti Kahled Al Aboodi - shtrirja në këto fusha dhe Shqipëria është tashmë në hartën e tyre. Interes për financim dhe investim nga Korporata e tyre ka gjithashtu në sektorin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.
02/10/2009