E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në takimin me të rinjtë: Nivelin e dëshiruar të Shqipërisë së zhvilluar, ne do ta arrijmë nëpërmjet projekteve tuaja

Kryeministri Berisha ishte sot mes të rinjve, studentë të fakultetit ekonomik, të cilët aspirojnë për të qenë sipërmarrës, menaxherë  e biznesmenë të ardhshëm.

Në një  aktivitet të mundësuar nga Bashkia e Tiranës, me temë “Zhvillimi ekonomik dhe punësimi në Tiranë”, studentët të organizuar në grupe pune, shpalosën idetë e tyre nëpërmjet  paraqitjes së plan bizneseve të hartuara nga vetë ata. Kjo nismë e iniciuar nga bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Bankën Botërore, vuri në konkurrencë 60 grupe studentësh me nga 5 persona, prej të cilëve u përzgjodhën 20 grupe që prezantuan sot, në prani të kryeministrit Berisha, Kryetarit të Bashkisë, zotit Lulëzim Basha, rektorit të universitetit, kryetarit të dhomës së Tregtisë, si dhe të pranishmëve të tjerë,  projektet e tyre në fushën e biznesit.

10 planet e biznesit që u përzgjodhën si më të mirat  nga juria vlerësuese e përbërë nga disa përfaqësues biznesesh, përfituan  nga Bashkia e Tiranës nga një grant të vogël prej 2500 dollarësh, mundësuar nga një projekt i Bankës Botërore.

Kryeministri tha se ndezja e një gare të tillë dhe konsolidimi i këtyre praktikave është jashtëzakonisht i rëndësishëm, është një interes madhor për dinamizimin dhe fleksibilizimin e tregut të punës, si një faktor jetik në performancën  e një ekonomie.

Kryeministri përgëzoi bashkinë e Tiranës dhe pedagogët e fakultetit ekonomik për inisiativën e dobishme, si dhe falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen, me anë të së cilës u shndërrua në realitet ëndrra e bukur e zbatimit të një projekti, hartuar nga vetë të rinjtë.

Në përfundim, kryeministri Berisha shpërndau çeqet prej 2500 dollarësh grupeve fituese, duke i uruar  për projektet e tyre, ndërkohë që inkurajoi studentët të cilët nuk fituan, se herën tjetër do të jenë ata fitimtarë, në garën e rradhës. “Dështimi nuk duhet të jetë një pengesë, përveçse një nxitje për të ecur, në rrugën që ti beson” u shpreh për ta kryeministri.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh për te pranishmit:

“Së pari, dua të bëj një përshëndetje shumë të përzemërt pedagogëve të fakultetit ekonomik dhe të gjithë stafeve akademike të universitetit, të cilët në mënyrën më të dobishme po bëjnë përpjekje të mëdha për të vendosur në një valë, procesin e mësimdhënies me tregun, përshtatjen e fakulteteve me tregun dhe angazhimin e tyre direkt në interesin më të mirë të tregut.

Ndezja e një gare të tillë, zhvillimi saj është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Konsolidimi i praktikave të tilla, dinamizimi i zyrave të karrierës, shqyrtimi i të gjitha mundësive për kualifikim dhe rikualifikim për një përshtatje më të mirë me tregun, është interes jetik për fakultet dhe universitet tonë, është një interes madhor për një dinamizim dhe fleksibilizm të tregut të punës, faktor madhor, ky në performancën  e një ekonomie.

Unë e përshëndes këtë nismë, i përshëndes studentët për garën dhe i siguroj ata se kjo përbën një vetvete edhe një punë shkencore për ta, sepse ju në këtë garë po përvetësoni një metodike dhe metodika është themeli i çdo kërkimi, metoda është themeli i të vërtetave të një hulumtimi dhe kjo përbën për ju një avantazh të madh.

Unë përgëzoj bashkinë e Tiranës për persistencën që tregon në shndërrimin në realitet të programit të saj. Kur zoti Basha kandidoi për Tiranën, unë mund tu them se ne rast se ju do të merrni dhe të analizoni të gjithë fjalët, fjalitë, fjalimet e paraardhësit të tij dhe janë analizuar, ka dalë një sharës profesionist, sipas Sorrosit. Kjo ishte me e shpeshta që u gjet në fjalët e tij, gjatë qeverisjes, por e lëmë këtë. Në rast se analizoni fjalët e tij, fjalimet e tij, ju nuk do të gjeni kurrë përpjekjen për punësim, fjalën punësim, në terminologjinë  e tij. Përkundrazi, kur partia demokratike me kandidatin e saj shpalli platformën për punësimin, të qeverisë së ardhshme vendore, përgjigja e tij ishte se “punësimi nuk është çështje e imja, është çështje e qeverisë”. Punësimi është çështje më kryesore  e qeverisë qendrore, e qeverisë vendore, e të gjithë faktorëve të rëndësishëm të një shoqërie. Sigurisht qeveria vendore në territorin e qytetit të Tiranës, absolutisht ka potencial të jashtëzakonshëm të ndikojë në punësimin.  Akti i parë, zhduku 60-70 tarifa të cilat i rëndonin si shpatë Demokleu biznesmenit. Ai që bërtet se do të heqë taksat shkonte dhe trokiste tek çdo biznesmen, nga 47 mijë  që i takonte i çoi në 164 mijë, kanë zbritur prapë në 47 mijë. U ndala tek kjo, pasi një qeveritar, kudo që të jetë i vendosur, në krye të bashkisë, apo në krye të qeverisë, apo dhe në krye të shtetit, nuk mund të ketë një preokupim më të madh se qytetarët e tij dhe punësimin e tyre.

Dhe në këtë kontekst në qoftë se ka një preokupim absolut për ne, është shkollimi dhe punësimi i të rinjve. Unë përgëzoj Kryetarin e Bashkisë që në bashkëpunim me Bankën Botërore, të cilën e falënderoj gjithashtu, me një shumë të caktuar, kanë bërë të ndizet një garë, e ritheksoj e një rëndësie shumë të madhe.

Unë i ndoqa projektet me një interes shumë të madh, një avokati e shkëlqyer.  Bashkia e Tiranës ka votur me 1 milion dollarë garanci, për zbutjen e kredive për të mbështetur iniciativën tuaj të lirë, akt ky për tu përshëndetur. Në një shumë të përfillshme mund të kontribuonin të gjitha bashkitë e mëdha të Shqipërisë në qoftë se ndiejnë përgjegjësinë për punësimin e qytetarëve të rinj të tyre. Unë  e vlerësoj këtë garë dhe këtë përpjekje tuaj të një rëndësie të jashtëzakonshme.

Të dashur studentë dhe studente,

Ne kemi ardhur në një përpjekje shumë të madhe, në një stad të caktuar të zhvillimit  të vendit. Ne këto vite kemi ndërtuar infrastrukturë më shumë se të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku, sepse ato e kishin shumica prej tyre, ndërsa ne nuk e kishim.

Në këto vite kemi  ndërtuar, rindërtuar dhe përfundojmë gjatë dy viteve të ardhshëm sistemin e shkollave tona. Para tre ditësh pashë shifrën mbi 55 miliard lekë, në ujësjellës dhe kanalizime. Kemi bërë gjithçka për telekomunikacionin dhe një nga arritjet e mëdha është se sot çmimet janë tre deri në pesë herë më të ulëta se cishin 5 vjet më parë, një taksë e tmerrshme që paguanin qytetarët shqiptarë çdo ditë. Kemi bërë përpjekjet më serioze për të dixhitalizuar shërbimet dhe sot Shqipëria ka një seri të tërë shërbimesh të dixhitalizuara dhe i ofron ato të cilësisë më të lartë.Kjo është arritja, por këto janë larg objektivit që duhet të kemi ne për 4 vitet që vijnë.

Shqipëria nga viti 2009 deri në vitin 2011 dyfishoi eksportet, rast unik në kohë krize dhe jo nga nafta apo gazi, por nga mundi, djersa, përpjekja e qytetarëve të tyre. Këto janë shumë të mira, por nuk mjaftojnë. Dhe me këto ne nuk arrimë atje ku duhet. Nivelin që duam të kapim, ne  e kapim me këto projekte.

Këto janë, kjo është rruga në të cilën ne 4 vitet që vijnë duhet të bëjmë çdo gjë për tu shndërruar në një komb lider në teknologjinë e lartë, për tu shndërruar në një komb që eksporton vlerën e shtuar të produkteve të mendjes suaj. Atëherë, Shqipëria do që do të jetë një vend i zhvilluar plotësisht dhe do të lëvizë në një orbitë ndër më të shpejtat e vendeve të zhvilluara.

Unë ndoqa ekspozenë që ju bëtë dhe ishte e shkëlqyer, por një gjë do tu them, në këtë rrugë, në këtë objektiv qeveria po përgatitet mirë se ky është absolutisht qëllimi më kryesor dhe sot kur e them, druaj se serish njerëzit më gjykojnë, njësoj siç më gjykonin pak vite më parë, kur u shpreha për Shqipërinë dixhitale. Hapnin sytë, përqeshnin, ndërsa tani Shqipëria është lider në teknologjinë e lartë, ndërsa sot kjo është beteja më jetike, për tu bere një vend i zhvilluar, për tu bërë një vend me rritje të shpejtë, për tu bërë një vend i prospertë për qytetarët saj, për tu integruar më shpejt në BE. Dhe kjo rrugë kalon nga këto projekte të dashur studentë. Qeveria do të krijojë fonde dhe  e përgëzoj kryetarin e bashkisë për 1 milionë dollarë që ka vendosur, por qeveria do vendosë shumë më tepër, do të krijojë fonde të përbashkëta me dhomën e tregtisë,me partner shqiptar ndërkombëtarë, ku ju do të aplikoni për projektet tuaja, ku ju do të fitoni mbështetje.

Ju edhe mund të mos arrini, por kjo praktikë që ne do të instalojmë me shpejtësi, nuk i ka shancet më të mëdha se 1 me 8 apo 1 me 10 të suksesit, kaq i ka dhe ne të tillë do ta pranojmë, por të mos harrojmë se i 8-ti apo i 10-ti projekt, vlen më shumë se 100 projekte të tjera. E rëndësishme shumë për ne është që ambicia juaj, imagjinata juaj, projektet tuaja, të mos mbeten ëndrra në sirtarë për mungesë të mbështetjes financiare. Ne synojmë të ecim drejt parqeve të teknologjisë së larte. Qeveria ka filluar përgatitjet më serioze për krijimin e tyre. Duhet të jem fare i sinqertë, në qoftë se Shqipëria ka për ambicie dhe projekt, një pozicion lider në teknologjinë e lartë, është kjo, pothuajse ekskluzivitet i gjeneratës suaj.

Ndaj, edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht, ju përgëzoj për vendimin që keni marrë për të marrë pjesë në këtë garë. I uroj ata që paraqitën projektet më të mira, por i garantoj ata të cilët nuk fituan, se herën tjetër do të jenë në krye të listës dhe kurrë ndonjëherë dështimi nuk duhet të jetë një pengesë, përveçse një nxitje për të ecur, në rrugën që ti beson.


24/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›