Kryeministri Berisha prezantoi Drejtoreshën e Ekzekutive të agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim
Nëpërmjet një konference për shtyp kryeministri Berisha ka prezantuar sot Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA). Kryeministri e ka vlerësuar të rëndësishëm krijimin e kësaj agjencie dhe para mediave ka prezantuar edhe strukturën e kësaj agjencie. Më pas kryeministri Berisha iu përgjigj edhe interesit të mediave për çështje të tjera që kishin lidhje me zhvillimet më të fundit politike në vend.
Me gjerësisht në fjalën e tij kryeministri tha:
Jam para jush për të paraqitur Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Kombëtare të Investimeve dhe Zhvillimit dhe kjo është zonja Eneida Guria.
Eneida është një histori e vërtetë suksesi, në karrierën e saj universitare. Ka përfunduar studimet dhe ka mbrojtur gradë në Universitetit e Luizianës , La Pajet. Ka kryer me përgjegjësi të plotë detyrat në administratë shtetërore dhe jashtë saj.
Dy vjet më parë Eneida Guria, me një ekip djem dhe vajzash të talentuar i dhanë Shqipërisë, një nga sukseset me të mëdha në fushën e reformave ekonomike dhe biznesit, pra qendrën kombëtare të licencave dhe lejeve.
Qendra kombëtare e Licencave dhe Lejeve apo sportel e vetme për lejet dhe licenca, janë iniciuar në një seri vendesh të Europës. Por në një pjesë të mirë të tyre nuk kanë pasur sukses. Qeveria ime mori këtë vendim, duke besuar se në Shqipëri do të mund të ketë sukses.
Këtë besim, Eneida dhe ekipi i saj e shndërruan në një realitete të mrekullueshme. Ju duhet të dini se një muaj më parë USAID-i, i cili na ndihmoi gjerësisht në ngritjen e këtij institucioni, bëri një studim, janë intervistuar 900 aplikantë nga rreth 6000 mijë aplikime, 97% e tyre shprehen se janë të lumtur me këtë qendër, shprehen për një histori maksimale suksesi.
Qeveria gjatë dy viteve ka kontraktuar ekspertët më të mirë në Europë dhe në botë, në fushën e investimeve të huaja zhvillimore. Këto ekspertë i kanë ndërtuar në një seri vendesh Agjencitë e Investimeve dhe të Zhvillimit, kanë bërë një punë intensive në Shqipëri, kanë studiuar të gjitha potencialet e mëdha të Shqipërisë, burimet e saj natyror edhe njerëzore dhe këta arritën në përfundimin , se Shqipërisë i mungon agjencia e përshtatshme për investimet dhe zhvillim dhe se ajo duhej ngritur .
Shqipëria natyrisht kishte Alb-Investin, por me gjithë punën e tyre dhe ai ishte një ekip i ri, për arsye ndoshta jo të lidhura me ta, për arsye organizimi më shumë, Alb-Invest duhej të reformohej thellë dhe u vendos, që të ngrihej një agjenci e re e investimeve dhe zhvillimeve, e cila udhëhiqet nga një bord i përbërë nga vendimmarrës kryesor të fushave të investimeve dhe përfaqësues të biznesit privat.
Në krye të këtij bordi ligji i hartuar nga ky ekip, parashikon kryeministrin e vendit, vendimi i qeverisë, para shikon zëvendëskryetar të bordit zëvendëskryeministrin aktualisht dhe Ministër Ekonomie.
Bordi ka një Drejtor Ekzekutiv, dje nga bordi i është propozuar kryeministri, zonja Eneida Guria dhe unë kam besimin më të madh se Eneida do ta shndërrojë këtë agjenci me ekipin e vet, në një histori të dytë suksesi të madh.
Agjencia ka disa drejtori. Njëra drejtori është Drejtoria e Investimit dhe Shërbimit ndaj investitorëve. Ka si detyre të zhvilloje dhe zbatojë strategjinë për nxitjen e investimeve , të zhvillojë dhe zbatojë planin vjetor të punës dhe planin vjetor të marketingut me indikatorët përkatës të suksesit, të mundësojë nxitjen e investimeve nëpërmjet kujdesit ndaj investitorit dhe të gjitha fazat e investimit sipas indikatorëve të strategjisë dhe planit vjetor të punës dhe marketingut, të hartoje dhe të mundësojë programimin dhe zbatimin e planifikuar të vizitave të investitorëve.
Të zhvillojë një strategji të kujdesit ndaj investitorëve me indikatorët përkatës të suksesit , të mundësojë komunikimin cilësor të komunitetit të investitorëve me organet përkatëse të ekzekutivit, si dhe të propozojë masa konkrete për përmirësimin e klimës së biznesit, lehtësimin e investimeve.
Të zhvillojë dhe të përgjithësojë regjistrin e të dhënave të investitorëve të huaj, të koordinojë punën me drejtorinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe me drejtoritë e tjera për të siguruar koherencën në arritjen e objektivave të agjencisë dhe së fundi të mbajë lidhje të koordinojë punën dhe të bashkëpunojë me drejtoritë e tjera, si dhe i raporton drejtorit të agjencisë në mënyrë periodike.
Drejtoria e dytë kombëtare e Agjencisë se Investimeve dhe Zhvillimit, është drejtoria e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të zhvillimit dhe eksporteve, e cila drejton, organizon dhe zhvillon punën për zbatimin e strategjisë për SME dhe eksportuesit, si dhe planin vjetor të punës për indikatorët e suksesit .
Ka për detyrë të zhvillojë një strategji të kujdesit të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla dhe eksportuesve me indikatorët përkatës të suksesit . Të mundësojë zhvillimin e infrastrukturës së mekanizmit për shërbimin nda SME dhe eksportuesve, të administrojë dhe të monitorojë fondit e grandit për ndarjen e kostove me eksportin.
Të administrojë dhe të monitorojë fondin e garancisë për eksportuesit , si dhe të monitorojë dhe të vlerësoj ndikimin e instrumenteve financiarë të AIDA-s, në ndihmë të SME dhe eksportuesve. Të rrisë konkurueshmërinë e SME dhe eksportuesve shqiptarë sipas indikatorit përkatës të suksesit.
Të mundësojë komunikimin cilësor të komunitetit të eksportuesve me organet përkatëse të ekzekutivit si dhe të propozojë masat konkrete, për përmirësimin e klimës së biznesit dhe të konkurueshmërisë së SME.
Të zhvillojë dhe të përditësojë regjistrin e të dhënave të SME dhe eksportuesit, të koordinojë punën me drejtorinë e investimeve dhe shërbimit të investimeve dhe me drejtoritë e tjera për të siguruar koherence në arritjen e objektivave të agjencisë. Dhe së fundi ti raportojë drejtorit të agjencisë në mënyrë periodike.
Drejtoria tjetër është Drejtoria e Qendrës së Ndërmjetësimit dhe Inovacionit, e cila ka për detyrë të zhvillojë dhe të zbatojë strategjinë e biznesit për inovacionit dhe për transferimin e teknologjisë . Të mundësojë novacionin e biznesit dhe zhvillimin e teknologjisë së tyre, nëpërmjet mekanizmave të transferimit të teknologjisë dhe të njohurive, të nxisë dhe mundëson financimin e qendrës së ndërmjetësimin dhe inovacionit nga donator nëpërmjet projekteve të ndryshme.
Administron dhe monitoron fondin për inovacionin dhe teknologjinë. Maksimalizon dhe lehtëson eksesin e SME dhe eksportuesve në rrjetin Evropian të ndërmarrjeve të inovacionit dhe krijon metodologjinë për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e tyre, në projektet e qendrës të inovacionit. Mundëson pjesëmarrjen e palëve të interesuara dhe bashkëpunon për efektivitetin e nxitjes së inovacionit.
Monitoron dhe vlerëson performancën e kësaj qendre dhe mundëson bashkëpunimin e ngushtë midis palës se interesuar për zhvillimin e politikave për kërkimin shkencor në transferimin e teknologjisë. Koordinon ngushtësisht punën me drejtoritë e SME dhe eksportuesve me drejtorinë e investimeve dhe të shërbimit të investitorëve me drejtoritë e tjera, për të siguruar koherencë në arritjen e objektivave të agjencisë dhe i raporton drejtorit periodikisht.
Drejtoria e marketingut dhe e mbështetjes operacionale, mbështet plotësisht veprimtarinë e AIDA-s nëpërmjet veprimtarisë së marketingut dhe mbështetjes operacionale, për promovimin e imazhit të vendit dhe produkteve të tij. Nga plani operativ vjetor dhe plani i marketingut për promovimin e investimeve dhe zhvillimit të eksporteve, ndërton rrjetet dhe partneritete për të maksimalizuar vjeljen e investimeve te huaja direkte dhe për të rritur performancën e eksportit.
Realizon sipas strategjisë dhe planit të marketingut ngritjen e imazhit të Shqipërisë dhe kryen funksionin e rëndësishëm të krijimit të lirë, mediatizimit dhe promovimit të imazhit të AIDA-s, brenda dhe jashtë vendit. Mundëson prodhimin e materialeve promovuese dhe të studimeve sektoriale për ekonominë shqiptare, krijimeve të të bërit biznes për avantazhet që ofron Shqipëria për investimet e huaja dhe i promovon ato, promovon partneritetin midis organeve të qeverisjes vendore dhe atyre qendrore me qëllim thithjen e investimeve të qëndrueshme në territorin e vendit.
Promovon zhvillimin ekonomik rajonal, nëpërmjet aplikimit të investimeve të huaja dhe alokimit të investimeve të huaja dhe vendase sipas karakteristikave përkatëse të rajoneve, mundëson dhe realizon shërbimin e inteligjencës së tregut me qëllim informimin koherent dhe mbështetjen për punën e drejtorive të tjera për tregtimin e investitorëve potenciale.
Menaxhon burimet njerëzore nëpërmjet mobilimit, nxitjes dhe shpërblimit për stafin e AIDA-s. Është përgjegjës për burimet financiare të kompanisë, mundëson koordinimin e donatorëve së bashku me ministritë përgjegjëse, duke vënë theksin në koordinimin e projekteve në ndihmë të AIDA-s.
Zhvillon një bazë të dhënash on line për profilizimin e avantazheve krahasimore të rajoneve të ndryshme të Shqipërisë, me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja , direkte dhe krijon bazën e të dhënave për sipërfaqen për zhvillimin industrial dhe titujt e tyre të pronësisë në bashkëpunim me departamentin e investimeve të SME dhe eksportit harton politikat për rajonet , jo konkurruese me qëllim përmirësimin të mëtejshëm të krijimit të investimeve.
Zhvillon platformat përkatëse të sistemit në ueb, teknologjisë së informacionit për mbështetjen e punës së AIDA-s. Shërben për bordin drejtues të AIDA-s koordinon ngushtësisht punën me drejtoritë e SME dhe eksportuesve me drejtorinë e shërbimit dhe të investitorëve dhe qendrën ndër vepruese të inovacionit, për të filluar në koherencë arritjen e objektivave të agjencisë dhe i raporton drejtorit.
Mbi bazën e këtyre detyrave hapet dhe gara për specialistët më të mirë që kanë ambicie për pozicionin e drejtorit, që kanë ambicie për të dhënë kontributin e tyre si ekspertë, specialistë të fushave të ndryshme. Me qëllim që ky institucion i rëndësishëm do të bëjë çdo gjë për të arritur objektivat e kësaj qeverie Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017. I vështirë por plotësisht i mundshëm. Potencialet e këtij vendi janë të jashtëzakonshme, kanë qenë të fjetura, por tani do ti shndërrojmë në vlera për të gjithë shqiptarët.
Pyetje: Përsa i përket qëndrimit lidhur me opozitën, do ti përkasë vitit të kaluar apo do të ketë përpjekje, duke patur parasysh se 2010 u mbyll në pikën zero të konsensusit
Kryeministri: Meqenëse më pyetët unë bëj këtë koment. Kjo qeveri në respekt të palëkundur të opozitës ka ofruar aq sa janë jo një, por të shumtë miqtë e mi në Evropë që në mënyrë të përsëritur më kanë deklaruar se këto nuk ofrohen kurrë. Unë i kam bërë këto pikërisht për konceptin tim për opozitën. Opozita ka një problem. Problemi madhor i opozitës është psikologjia bunker, e një njeriu që nuk ndan asgjë me normat e këtij sistemi. Të jeni të sigurtë që nuk ndan. Ndan gjithçka me konceptet e kontraktuara në bllok, aty ku u formua. Edhe ai që më kundërshton mua këtë, le të më nxjerrë një alternativë të tij dhe ti them se unë qenkam gabim.
Ky zotëri që e quajti historike ditën e votimit, kur nuk i doli rezultati që mendoi u rikthye në origjinë, duke thënë se nuk njihte votën, se nuk njihte rezultatin, nuk njihte parlamentin. Më pas tha se e njihte rezultatin. Pa pyeteni njëherë se mbi cilën bazë, mbi cilën moral u tha shqiptarëve se nuk ua njihte votën se nuk e njihte rezultatin dhe pastaj tha se e njihte rezultatin.
Më vonë ky zotëri që bojkotoi parlamentin, duke i ofruar të gjitha ato që kishte rezoluta, betohej e stërbetohej se do të digjte mandatet, nuk i dogji mandatet. Por ju e dini pse nuk i dogji mandatet dhe vërteta është se shqiptarët duhet ti jenë mirënjohës atij grupi fare te vogël të deputetëve, të Partisë socialiste , të cilët I thanë se ne nuk i djegim mandatet dhe mos mendoni se kanë qene shumë. Ai e pa se mandatet do ti merrnin kundërshtarët e tij në parti dhe në qofte se pranoi që të mos digjeshin mandatet e bëri për interesin e tij dhe jo të vendit. E bëri vetëm për karrigen e tij sepse e pa se do të mbetej krejtësisht G99. Do të futeshin nga lista. Shprehën masivisht gatishmërinë, socialistë të përgjegjshëm që do të hynin në parlament dhe ndaj u futen në parlament pas gjashtë muajsh pa u thënë shqiptarëve pse ndenji jashtë 6 muaj rresht. Paraqiti kërkesën për një komision hetimor parlamentar. Kërkesa iu votua dhe ai nuk e deshi sepse kërkoi që ti drejtohej gjykatës kushtetuese, ti drejtohej bashkërisht. Unë nuk përdor shprehje por ju I nxirrni vetë, Ti thuash dikujt, duke u ankuar për të se eja dhe padit veten në Gjykatë , duhet të kesh atë koeficient intelektual që ke që të bësh një kërkesë të tillë. Por nuk është çështje koeficienti intelektual, është çështje mendësie blloku. Është mentaliteti I bllokmenit. Iu kërkua të shkonte në komisionin e Venecias, shkoi qeveria në Komisionin e Venecias. Të gjithë këto i bëri për të penguar vizat. Vizat ishin qëllimi i tij më madhor. Çfarë bëri ai, pasi hyri në parlament? Nisi grevën, përse nuk e nisi grevën para se të hynte në parlament? Greva ishte forma më serioze e presionit. Hyri në parlament dhe rreshtoi çadrat dhe kutitë para kryeministrisë. Edhe atëherë i çova fjalë se duke ndenjur tek dera e kryeministrisë, kryeministër nuk bëhesh kurrë. Nuk është rruga kjo që të bën kryeministër. Kryeministri , normal që do tu zgjidhë problemet të gjithë atyre që vijnë tek dera e kryeministrisë, por ata që vijnë tek dera nuk vijnë për tu bërë kryeministër , por vijnë për halle. Kjo është e vërteta. Ai bëri gjithçka për të bllokuar vizat, me ftohtësi dhe tepër qesharak, një ditë pas vendimit, bënte letër dhe kërkonte vizat.
Ky zotëri bëri gjithçka që të bllokojë vizat dhe unë mendoj se ky ka qenë një krim moral shumë i rëndë. Unë kam marrë me mijëra e mijëra mesazhe dhe kurrë në jetën time nuk kam marrë mesazhe me frymë më njerëzore se c’kam marrë gjatë dy muajve fundit, të panumërta, njerëz që shkojnë për të parë fëmijët e tyre, familjarët e tyre, shumica nuk mendonin kurrë se do të shkonin ti shihnin. Qytetarët shqiptarë që dorëzojnë një pasaportë me cilësitë më të larta , të cilëve iu vendoset një vulë, pa kërkuar vizë, pa asgjë. Kjo është një arritje jetës për qytetarët. E përjashtoi ai forcën e tij politike. Forca e tij politike mund të ishte bashkautorë pa asnjë vështirësi. Ti bënte këto vetëm si shenjë kur thotë populli, Të votonte ligjin për konfiskimin e aseteve, por jo ta nxiste dërgimin e tij në gjykatë me shpresën se gjykata mund ta përdorte për të bllokuar vizat. Të votonte ligjin për antidiskriminimin e pakicave , por jot ë shpërndante e të shpifte duke I thënë botës se Berisha ligjin tha se e beri për kryetarin e opozitës. Nuk e kam thënë kurrë atë. Sepse unë ligjin e kam bëre me ndërgjegjen më të plotë. E kam bërë me bindje dhe kënaqësi. Unë kam bindjen se asnjë pakicë nuk duhet të trysnohet në këtë vend dhe të jeni të sigurtë se do të punoj që ai ligj të ketë të gjithë dimensionet në shoqërinë shqiptare. Nuk mund të themi se monizmi nuk ka lënë gjurmë dhe tek prirjet për linçime, edhe tek prirje të tilla, të cilat nuk janë të përshtatshme, për një komb të qytetëruar dhe kjo ka qenë arsyeja themelore pse unë e kam mirëpritur dhe me ndërgjegje të plotë kam nxitur votimin e këtij ligji, duke bërë që Shqipëria të ishte një nga vendet e pakta me një ligj të tillë, por kam qenë I bindur, jam dhe do të jem se ky ligj ka qenë I domosdoshëm për shoqërinë shqiptare. Në një vend të lirë njerëzit duhet të jenë të lirë, pavarësisht nga pozicioni në të cilën ata janë. Njërin nga këto ligje po të votonte, jo të dy, I jepte mundësinë opozitës të bëhej pjesëmarrëse, në procesin e vizave. Por ai shpresonte, absolutisht deri në momentin e fundit, njëlloj siç bëri me të dërguarit e tij në Bukuresht, që mashtronin në media, duke raportuar se Shqipërisë nuk po I jepej ftesa, deri në momentin e fundit me 99-shat e tij hapte lajmin se nuk do të merrej vendimi për Shqipërinë. Unë e kam thënë dhe e them se nuk ishte vendim I lehtë sepse ndryshuan disa gjera, jo për faj të Shqipërisë, por problemet e emigracionit, u bënë problematikë madhore në disa vende dhe e kam thënë dhe e them se në qoftë se do të bëhej me referendum, asnjë popull nuk do të votonte për heqjen e vizave, ndër vendet e zhvilluara, sepse ata kanë problemet e tyre dhe nuk duan ti shtojnë.
Pra, është kryetari problem dhe jo qeveria. Ju i patë seancat. Do të mbeten të pashlyera në memorien time, dy seancat e fundit. Solli kërkesën, hetim. A e dini ju përse nuk e pranon fjalën fakt? Është shumë i pandershëm sepse në aty në kërkesën e tij ai thotë kemi fakte. Por ti nuk ke fakte të përbaltësh votën e shqiptarëve, pasi nuk mund ta bësh dot kurrë këtë. Unë kam respekt maksimal për opozitën, por në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë, e theksova dhe në parlament, se në se mafia shqiptare do të përpiqet, të nëpërkëmbë votën e shqiptarëve do të dështojë sepse vullneti ynë është i hekurt që shqiptarët të votojnë të lirë. Ne bëmë përpjekjet më maksimale që shqiptarët të votonin të lirë. Duhet të dini një gjë, që ky vend ka një kontribut historik në standardet që vendosi për numërimin e votave. Çdo vend ka problem në numërimin e votave, diku më shumë se diku më pak, por kjo është më se normale. Ajo që bëmë ne me filmim, projektim, fotografim transmetim direkt, ai është standardi më i lartë deri më sot dhe është një nga zhvillimet me pozitive. U rinumërua Shkodra, zona ku ai pretendonte se ne kemi bërë batërdinë më të madhe. Dhe diferenca në mijëra vota, doli vetëm një votë. Është gabimi më minimal që mund të bëhet.
Ky zotëri shkruante 35 herë fjalën hetim, pa vendosur fjalën fakt, ose prova, siç e kërkon ligji. Kjo është e turpshme, nuk mund të bësh hetimin pa fakte pasi thyen parimin me themelor. Vetëm në romanet e Kafkës. Lexojeni “Procesin” e kafkës, Jozef K, një punonjës banke, arrestohet dhe vendoset në arrest shtëpie, pa bërë asgjë. Ky është hetimi pa fakte. Ky është koncepti i bunkerit. Përse e quajmë ne atë bllokmen sepse vetëm nga blloku mund të vijë një koncept iI tillë. Ky vend ka njohur çdo gjë dhe kur unë u akuzova për krime kundër njerëzimit 8 muaj para Slllobodan Milloshevicit, të paktën paraqitën një provë, një shishe Coca-Cola, me limonatë, kurse ky nuk ka asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë dëshmi dhe kur bashkëpunëtorë të tij i thonë se kjo është e turpshme. Është kriminale që të tentosh të nëpërkëmbësh votën e qytetarëve shqiptarë. Këtë ai e bën pa u skuqur, pa u zbehur, pa asgjë . Zëvendëson fjalën hetim me kontroll, duke harruar se janë nene krejtësisht të tjera të kushtetutës ato që autorizojnë kontrollin e parlamentit dhe ky kontroll bëhet nga komisione permanente dhe neni 77 i kushtetutës i këtij vendi dhe çdo nen paralel i kushtetutave të vendeve demokratike përcakton hetimin dhe jo kontrollin. Pra nuk është problem qëndrimi i qeverisë.
Qeveria ka treguar se ka vendosur dhe do të vendosë standardet më të larta ndaj opozitës, por qeveria nuk do të mund të pranojë kurrë shkelmimin e parimeve me themelore të një shoqërie të lirë. Në Shqipëri ka neobllokmenë si ky që duan të shkelmojnë votën. Ekstratokësorë? Jo ai është tokësor dhe drejton forcën politike kryesore. Pra, nuk bëhet ndryshe. Qeveria ka qëndrimin e vet shumë të qartë, do tu ofrojë bashkëpunimin e vet maksimal në kuadrin e parimeve themelore, të lirisë,të kushtetutës, të rendit.
Qeveria mund të bëjë çdo gjë por nuk ja heq dot nga koka, bunkerin zotërisë së tij. Atë e ka trashëgim. I takon socialistëve që për një vit e gjysmë rresht u tha se po nuk u hap kutia dhe rinumërua vota do të bëhej gjëma, e më pas u thotë se nuk e kam kërkuar rinumërimin e votës. Megjithatë nuk doja ta kujtoja, por meqë më bëtë pyetjen. Qytetin e la pa koncert. Mund të shkonte kudo me pushime dhe kjo është normale, por duhet të organizonte një aktivitet. Sepse është ai në zi, shqiptarët nuk janë në zi. Shqiptarët festojnë me optimizëm zhvillimet e tyre. Ata janë më optimist se kurrë. Kanë një ekonomi vibrante, e cila i bën të mundur kësaj qeverie të realizojë të gjitha projektet e veta.
Zoti Kryeministër, Partia Socialiste ka deklaruar që në datën 30 dhjetor se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj të kushtëzuar me parlamentin, çka do të thotë se nuk do të votohen reformat që kërkohen për të marrë statusit të vendit kandidat këtë vit...
Kryeministri Berisha: E kam theksuar se në qoftë se do hapet rruga për të përdhosur votën, të ardhme shqiptarët nuk do të kenë. U takon shqiptarëve ta vendosin dhe do ta vendosin. 8 maj është një datë, në të cilin shqiptarët do të dinë mençurish të përcaktojnë të ardhmen e tyre, do të dinë të çlirohen në mënyrë përfundimtare nga psikologjia e bllokut. Ne kemi të bëjmë me një restauracion të vërtetë në Partinë Socialiste. Absolutisht, me një proces të restauracionit. Në histori ky proces është i njohur dhe quhet restauracion kur rikthehet një dinasti apo në rastin konkret, kur rikthehet një mentalitet, është restauracioni i psikologjisë së bllokut, si kurrë ndonjëherë. Ju e patë se ç’bëri për piramidën, për mauzoleumin e Enver Hoxhës, që kishte punuar vetë 18 orë vullnetar dhe absolutisht, i filmuar. Gjersa nuk do të shkëputet dhe gjersa i del zot e bën një muaj betejë për të ruajtur mauzoleumin e të atit të tij shpirtëror, nuk mund të them gjë tjetër, por vetëm faktoni atë që unë them se ai është një qenie, kreaturë e bunkerit të bllokut. Ju keni fatin e madh se jeni të rinj dhe nuk e keni njohur bllokun, por fatkeqësia është se çdo gjë ai e ka të lidhur me psikologjinë e kontraktuar në bunker.
Pyetje: Zoti Berisha po thoni se edhe këtë vit nuk mund ta marrim statusin e vendit kandidat?
Kryeministri Berisha: Unë ju siguroj se këtë vit qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë për të përmbushur detyrimet e saj, por një gjë qeveria nuk mund të bëjë kurrë, të udhëheqë opozitën. Kjo as në tentativën më të vogël. Në qoftë se ka një gjë nga karriera ime politike, është se politikën unë e bazoj në moral. Morali dhe normat mia nuk më lejojnë të bëj as edhe hapin më të vogël, përveçse ofertave publike ndaj opozitës. Se çfarë do të bëjë opozita, ajo përcaktohet prej saj. Por kjo është situata. Një opozitë që kërkon hetim pa fakte, sepse kjo opozitë drejtohet nga një bllokmen, për të cilin faktet nuk mund të pranohen, për të cilin pushteti o atij, o kurrkujt tjetër, i cili kërkon të ngjitet në një majë që nuk do ta kapë dot kurrë. Ky është problemi. Në bunker do të mbetet gjithë jetën. E them hapur. E shoh me shumë optimizëm këtë problem.
Një pyetje për Agjencinë AIDA. Ne do t’i duhet t’i shohim rezultatet e kësaj Agjencie këtë vit, apo duhet të presim vitin 2017?
Kryeministri Berisha: Më vjen mirë që u ktheve tek tema dhe lëre kryetarin të kthehet nga Parisi. Rezultatet e kësaj Agjencie do të jenë të vazhdueshme. Viti 2017 është përcaktuar si një nga objektivët më ambiciozë yni, duke marrë parasysh të gjitha potencialet e jashtëzakonshme që ka ky vend. Nuk është objektiv i lehtë, madje shumë i vështirë, por unë inkurajohem sepse shoh disa fusha ku rritja është jashtë parashikimit, si për shembull turizmi, i cili është rritur me 11-12 herë dhe ne nuk e kishim parashikuar që do të rritej me këto ritme, ose ICT (Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit) . Mua nuk më shkonte kurrë mendja se sot do të ishin në facebook mbi 1 milion shqiptarë. Po të shihni statistikën social backers, statistika thelbësore e facebook-ut, të një muaji më përpara, pasi nuk e kam për muajin dhjetor, thotë se Shqipëria kishte 1 milion e 20 mijë qytetarë ose 34.2 përqind qytetarë që komunikonin në facebook. Duke marrë parasysh këtë muaj, të cilit i referohem se kjo ka dinamizmin e vet, Shqipëria realisht ishte në një pozicion e 10-ta apo 11-ta në Europë. Pra, duke përjashtuar Norvegjinë dhe Islandën që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian, Shqipëria ishte para 17 vendeve të tjera të BE-së.
Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme. Shikoni edhe projektin e ullirit. Nga 4.8 milion rrënjë ullinj që kanë qenë në 5 shekuj, janë 10 milion rrënjë ullinj. Zotimi i qeverisë është se do të subvencionojmë çdo rrënjë ulliri, por e vërteta është se 2/3 po i mbjellin vetë qytetarët me pasionin më të madh dhe realisht janë biznesmenë, intelektualë. Më lejoni t’ju rrëfej një histori interesante që pak ditë më parë ma tregoi një biznesmen. Ai shkon në Itali dhe takon partnerin e tij, me të cilin bashkëpunon, por për shkak të vonesës e pyet se përse ishte vonuar. Partneri i tij i përgjigjet se i ishte shtyrë orari, pasi ishte marrë me ullinjtë dhe i kishte folur me shumë dashuri për to. E pyet sërish se sa rrënjë kishte dhe i kishte thënë se kishte 40-50 rrënjë ullinj dhe i tregoi edhe vajin që kishte bërë. Kur u ktheva nga udhëtimi, - më tha biznesmeni - punën e parë që bëra ishte të mbillja 40 rrënjë ullinj në sipërmarrjen time. Pra, ka një dashuri për këtë dru, sepse në fakt është për t’u dashur dhe prisni sa të fillojë edhe projekti i drurëve arrorë.
Po ashtu, disa resorte të mëdha turistike janë në përgatitje. Në 2017, ky vend do të jetë vend i zhvilluar. Ka një plan që të ecim drejt turizmit malor. Me urgjencë do të zhvillojmë turizmin malor, me një kuadër ligjor favorizues në ekstrem. Të mos harrojmë se potenciali turistik është potenciali kryesor i vendit. Por ne do të takohemi këtu, në këtë sallë, më 3 janar të vitit 2018 për të bërë bilancin. Shënojeni.
04/01/2011