E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton në Fushë-Krujë, kandidatët për deputetë të qarkut të Durrësit

“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Fushë-Krujës.

Vëllezër dhe motra

Përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të thellë, më të pakufishme ndaj jush, për mbështetjen e madhe që ju i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike. Në përpjekjen tonë të përbashkët për punësimin, rritjen e mirëqenies, integrimin tonë në Europë.

Vëllezër dhe motra.

 Sëbashku në këto pak vite kemi ndryshuar për mirë historinë  e këtij kombi historinë e këtij vendi.  Jemi anëtarësuar në NATO, jemi bërë më të sigurtë se kurrë në historinë tonë. Sëbashku kemi firmosur marrëveshjen e stabilizim-asociimit kontratën historike tonën me Europën, kemi hequr vizat dhe lëvizin të lirë në mbarë Europën. Kemi merituar plotësisht statusin e vendit kandidat, por paudhësi të brendshme, pasi një i paudhë na e zuri rrugën dhe megjithatë u dorëzua dhe erdhi e votoi tre ligjet, statusin do e marrim brenda këtij viti. Sëbashku Fushë-Kruja, sot ka një infrastrukturë krejt tjetër, ka rrugë krejt të tjera , filloi ndërtimi i bypass-it, përfundoi unaza, janë ndërtuar me dhjetar shkolla. Sot nga Ishmi deri në Sarisalltik, së shpejti në Qafë-Shtamë udhëtoni me rrugë të reja. Por ne që kemi realizuar këto, ne besojmë se kemi detyra shumë më të mëdha për katër vitet që vijnë. Katër vitet që vijnë ne nuk i marrim të lehta, i marrim në mënyrën më serioze. Me këto që kemi bërë, kemi shndërruar Fushë-Krujën në një hyrje moderne veriore të kryeqytetit të Shqipërisë. Katër vitet që vijnë detyrat tona të shtëpisë janë; së pari statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim të plotë. Krijimi i vendeve të punës për qytetarët e Fushë Krujës , Krujës dhe të gjithë Shqipërisë. Por ne, sëbashku edhe në këtë drejtim me mundin, djersën tuaj, reformat tona, e bëmë të mundur që Shqipëria të ruajë rritje ekonomike. E  gjithë bota e thotë se Shqipëria nuk ra në recension, por pati rritje ekonomike dhe uli papunësinë. Në katër vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka, që bizneset tona të rriten më shumë. Gjatë këtyre katër viteve, ato në Fushë-Krujë  pothuaj u dyfishuan, me heqjen e çdo takse dhe tarife doganore, mbi makineritë dhe çdo gjë tjetër që bizneseve ju duhet për prodhim.  Ne jemi të sigurtë, se bizneset do të marrin një zhvillim të fuqishëm. Dy parqe industriale po ndërtohen në distancën midis Tiranës dhe Fushë- Krujës, 30 mijë vende të reja punë hapen në këto dy parqe. Ne do të krijojmë vendet e punës për çdo shqiptarë, në mënyrë që ai të marrë një rrogë më të mirë, të ndërtojë një jetë më të mirë, sepse ne në të katër anët e vendit po ndërtojmë rrugë, po ndërtojmë shkolla, spitale, ujësjellësa, kanalizime. Vetëm në rrugët e vendit ne punësuam katër vitet e  shkuara 56 mijë qytetarë shqiptarë. Dhjetëra,  mijëra shqiptarë do të punësohen në infrastrukturën e re që po ndërtojmë në Fushë-Krujë, Krujë dhe mbarë Shqipërinë. Ne do të punësojmë dhjetëra, e mijëra shqiptarë, sepse ne Shqipërinë po e bëjmë çdo ditë dhe më tërheqëse për investimet e huaja. Ne, në katër vitet e shkuara, morëm 4.2 miliard dollarë investime, patëm një rritje të tyre prej 316 përqind. Katër vitet e ardhshme ne do të marrim 6 miliard dollarë investime. Do të bëjmë gjithçka që në Shqipëri të zbarkojnë gjigandët e mëdhenj të ndërtimit të makinave dhe të teknologjisë më të lartë të informacionit. Katër vitet që vijnë, në Shqipëri janë dhënë me konçension dhe kanë filluar ndërtimin dhe do të ndërtohen mbi  100 hidrocentrale, ndër të cilat gjigandi i Devollit ka nisur punën. Qershori  është muaji i vendimit historik gazsjellësi i TAP  do të vijë nëpër Shqipëri. Ne na besojnë. Katër vitet që vijnë  fermerëve shqiptarë, të cilëve ne ju financuam 42 mijë projekte  u jap fjalën se do të trefishojmë grantin për ta, nga 56 milion në 156 milion.

Fermerëve shqiptarë do tu jepen para në dorë, akciza e naftës, TVSH për të gjitha makineritë, të gjitha plehrat kimike, inputet, që ata përdorin në fermat e tyre  bujqësore, blegtorale, të çdo natyre qofshin.

Katër vitet që vijnë ne do të dyfishojmë punësimin në Shqipërinë dixhitale. Ky është plani ynë i punësimit, ky është plan konkret, real.  Bazohet në një zhvillim të fuqishëm të mëtejshëm të asaj që kemi mbjell së bashku katër vitet që shkuan.

Vëllezër dhe motra.

Kjo është alternativa jonë. Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është alternativa e taksës progresive. Çdo shqiptar  ti shtrojë pyetjen vetes. Shqipëria para vitit 2005, në 8 vite mori, mesatarisht  37 milionë dollarë investime të huaja , si arriti të marrë 4 vitet e fundit, mbi 1 miliardë investime çdo vit?

Dy kanë qene arsyet.  Dy dhe vetëm dy. Taksa e sheshtë dhe anëtarësimi në NATO. Taksa e sheshtë, NATO-ja ishte pasaporta jonë e një vendi të sigurtë, një vendi serioz një vendi të lirë. Taksa e sheshtë ishte magneti shqiptar për investitorët dhe biznesmenë nga e mbarë bota.

Zoti Rama kërcënon me heqjen e kësaj takse mashtron çdo ditë shqiptarët , kjo është taksa më e ndershme vëllezër, sepse kjo taksë është taksë e të dhjetave. Ai që ka dhjetë  paguan vetëm një, ai që merr 100 paguan vetëm 10, ai që merr 1000 paguan 100 herë më shumë se ai që merr 10. Me kërcënimin që bën zoti Rama kërcënon, qindra e qindra investitorë të huaj. Kërcënon dhjetëra mijëra vende punë në Tiranë, Fushë -Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Ndaj dhe ju ftoj të votojmë për investimet, të votojmë për vende pune , të votojmë për suksesin më të madh të fermave tona dhe të çdo shqiptari.

Unë ju premtoj juve, se katër vitet që vijnë, Shqipëria do të ketë ritmet më të larta të Zhvillimit. Shqiptarët do ecin të sigurtë në rrugën e mirëqenies, në rrugën e rrogave të larta me bujqësinë më të madhe.

Qytetarë dhe qytetare të Fushë-Krujës,

4 vitet e shkuara ju kishit një deputet, që se patë ndonjëherë me sy në territorin e bashkisë tuaj. Ju garantoj unë ju, se me Vullnet Topallin do të jeni, pranë jush në çdo rrugë dhe rrugicë tuajën, në çdo hall, dhe problem tuaj. Dhe së bashku me ju do të bëjmë gjithçka që Fushë-Krujën ta shndërrojmë me djersën tuaj, në një qendër të fuqishme të zhvillimit industrial, të zhvillimit të gjithanshëm të rajonit dhe të vendit në tërësi.

Dhe do ta mbyll këtë fjalë me një urim që buron nga zemra juaj dhe e çdo shqiptari. Le ti urojmë skuadrës sonë Kombëtare.

Fitore! Fitore! Fitore!

Rrofshi ju.

Rroftë Fushë-Kruja.

Rroftë Shqipëria.”


07/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›