E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet ceremoninë e organizuar me rastin e 85-vjetorit të Mjekësisë Publike dhe nderohet me titullin “Fisnikëria Tiranase”

Kryeministri Berisha përshëndeti sot ceremoninë e organizuar me rastin e 85-vjetorit të Mjekësisë Publike të Tiranës, sot Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Gjatë kësaj ceremonie Kryeministri Berisha u nderua me titullin “Fisnikëria Tiranase” me motivacionin “për kontributin e veçantë në modernizimin e mjekësisë shqiptare, mjekut të madh reformator e vizionar, Kryeministrit Sali Berisha”.

Kryeministri Berisha e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishme këtë ceremoni, duke e cilësuar si një nderim të madh për të gjithë ata mjekë të nderuar që themeluan shërbimin shëndetësor publik në vendin tonë. “Ky institucion është në vlerësimin tim i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin dhe kombin. Ky institucion ka përmbushur në çdo kohë me përgjegjësi të madhe dhe humanizëm të jashtëzakonshëm, me përkushtim, me dashuri dhe me respekt një mision ndër më të vështirët”, tha Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi këtë ceremoni edhe si një nderim të pakufishëm ndaj qytetarëve të Tiranës. “Qeveria qendrore do të mobilizojë të gjitha resurset në mënyrë që Tiranën ta lartësojë gjithnjë e më shumë në ëndrrat e qytetarëve të saj, në ëndrrat e themeluesve të saj”, tha Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dua të falënderoj me përzemërsi shoqatën “Tirana” për organizimin e kremtimit të këtij përvjetori, i cili nderon sot një nga institucionet më themelore, një nga institucionet me historinë më të pasur, 85 – vjetorin e spitalit publik, sot Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë. Ky institucion është në vlerësimin tim i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin dhe kombin. Ky institucion ka përmbushur në çdo kohë me përgjegjësi të madhe dhe humanizëm të jashtëzakonshëm, me përkushtim, me dashuri dhe me respekt një mision ndër më të vështirët. Në vend ekzistonin sëmundjet më të këqija të kësaj toke. Tuberkulozi pothuajse ishte epidemi, lebra, sifilizi dhe një seri sëmundjesh të tjera shkurtonin çdo ditë dhe merrnin çdo ditë jetën e shqiptarëve, shto këtu mungesën e tmerrshme të lidhjeve rrugore ndërmjet krahinave edhe rretheve njëri me tjetrin. Këta njerëz që e themeluan me një guxim dhe vetëmohim të jashtëzakonshëm i’a dolën të organizojnë një ndër luftërat më të suksesshme kundër këtyre të këqijave të mëdha.

Unë do të ndalem vetëm me dy fjalë për prof. Shefqet Ndoqin. Profesor Shefqet Ndroqi, në një vend ku tuberkulozi bënte kërdinë, bëri një luftë epike kundër kësaj sëmundje, një luftë në të cilën ai kishte vetëm dy mjete: stetoskopin dhe një aparat radiologjik, i cili i mori dorën. Ai kishte një dëmtim të parikthyeshëm në dorë, në gishtërinj, nga rrezet rëntgen, por nuk u tërhoq kurrë në këtë përpjekje vigane dhe e solli tuberkulozin në Shqipëri në nivelet e vendeve jo problematike.

Të kujtojmë këtu prof. Sabri Tefikun, luftën e tij me lebrën, luftën e tij me sifilizin, luftën e tij të gjithanshme. Kur kujton punën që ata kanë bërë dhe punën që ne bëmë, kjo është e pakrahasueshme. Kur kujton kushtet në të cilat ata luftuan për shëndetin e njerëzve dhe kushtet në të cilat ne shërbejë, ato janë të pakrahasueshme. Kështu që unë e marr këtë si nderim ndaj këtyre njerëzve dhe e konsideroj një fat të madh që unë pata mësues si ata, mësues kolosë.

Po ashtu Selaudin Bekteshi, burri që ngriti pediatrinë e një kombi, e ngriti, e degëzoi, e drejtoi dhe e shndërroi në një shërbim eficient. Të gjithë këta ishin kolosë. Unë ju përgëzoj juve zoti President i Shoqatës “Tirana” që i keni kushtuar këtë ceremoni nderimit të tyre, pasi ju garantoj se sado ti nderojmë ne ata, nuk i nderojmë dot aq sa ata meritojnë.

Unë e vlerësoj këtë edhe si një nderim timin të pakufishëm ndaj qytetarëve të Tiranës. E vërteta është që Tiranën kryeqytet e kanë bërë qytetarët e Tiranës. Aventurierët shqiptarë të asaj kohe nuk e linin të zinte vend, por tiranasit hapën zemrën e tyre. Kjo është e vërteta. Këtu vërtetë erdhi qeveria e Lushnjës, po erdhi sepse e pritën qytetarët e Tiranës. Historia e vërtetë është se Tiranën kryeqytet e bënë qytetarët e saj.

Unë e pranoj me shumë nder këtë nderim, sepse shoqata “Tirana” është bërë një zë i ndershëm dhe i besueshëm si përfaqësues i qytetarëve të Tiranës, të të gjithë spektrit. Kjo është një meritë shumë e madhe juaja, shumë e madhe e kryesisë dhe e anëtarëve. Unë ju garantoj se siç konstatoni vërtetë po hidhen bazat e Tiranës së këtij shekulli, të cilat janë themele të fillimit të Tiranës, sepse ky bulevard ekziston në projekt. Për këtë bulevard që ne po ndërtojmë, kryetari i bashkisë ka bërë projekt të mrekullueshëm. Të gjitha këto projekte janë një zhvillim jetik për Tiranën dhe ju garantoj juve edhe të gjithë qytetarët e Tiranës se qeveria do të mbështesë fuqishëm zhvillimin e kryeqytetit. Absolutisht, jo për të bërë politikë, por kurrë nuk mund të kish pasur qëllim tjetër përveç këtij.

Sot fatmirësisht ka një mirëkuptim midis qeverisë vendore dhe qendrore. Qeveria qendrore do të mobilizojë të gjitha resurset në mënyrë që Tiranën ta lartësojë gjithnjë e më shumë në ëndrrat e qytetarëve të saj, në ëndrrat e themeluesve të saj.

Unë jam shumë i gëzuar që plani i rregullimit të qytetit është një plan që i shkon plotësisht qytetit tuaj, është një plan që qytetarët i njeh të barabartë përpara ligjit, që qytetarët i njeh të barabartë për pronën e tyre dhe është një plan që i shton shumë vlerat ujdisë brenda qytet.

Edhe njëherë të faleminderit me shumë mirënjohje për këtë meritë që më dhatë. Unë ju garantoj se do të përpiqem më gjithë forcë që të punoj me përkushtimin më të madh për Tiranën.

Faleminderit!”


08/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›