E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton në Kombinat, kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës

“Përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të thellë për këtë miting madhështor që organizoni sot në mbështetje të deputetit tuaj Edi Paloka, në mbështetje të kandidatëve për deputetë të bashkisë së Tiranës, mirënjohjen më të madhe për mbështetjen që ju i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Kombinatit,

Këto vite nuk kanë qenë vite të lehta dhe as bulevard për ne, por këto vite ne kemi hapur një kapitull të ri në historinë tonë kombëtare. Së bashku ne jemi anëtarësuar në NATO; lëvizim të lirë në mbarë Evropën; kemi firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit; do të marrim së shpejti statusin e vendit kandidat dhe po punojmë për liberalizimin e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për çdo njërin prej nesh këto janë arritje të jetës sonë, por ne jemi të vendosur të bëjmë shumë më tepër. Për ne punësimi juaj dhe rritja e mirëqenies tuaj janë objektivat më madhore, më absolute. Ne jemi të vendosur që katërvjeçarin që vjen ta shndërrojmë në katërvjeçarin e punësimit më masiv në historinë e Shqipërisë, ta shndërrojmë në katërvjeçarin e rritjes më të madhe të mirëqenies tuaj, të rritjes së rrogave, pensioneve dhe zhvillimit të vendit.

Ne vijmë tek ju me një plan konkret real punësimi. Ne jemi të vendosur të krijojmë në Tiranë dhjetëra mijëra vende pune. Vetëm në dy parqet logjistike industriale që po ndërtohen midis Tiranës dhe aeroportit të Rinasit hapen 30 mijë vende. Dhe këto janë vetëm 2, por transformime të mëdha do të pësojë infrastruktura e qytetit të Tiranës. Pikërisht këtë vit ju hidhini themelet e Tiranës së këtij shekulli. Qeveria ka miratuar kredinë prej 60 milionë euro për ndërtimin e bulevardit dhe sistemimin e lumit të Tiranës, ku do të punësohen me mijëra qytetarë të Tiranës.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Kombinatit,

Kudo që udhëtoni, ju kaloni në rrugë të reja, por fatkeqësisht ju përsëri dilni nga shtëpitë tuaja në rrugë me baltë, sepse në Tiranë kryetari i larguar i bashkisë fondet e trefishuara të qeverisë me destinacion rrugët, rrugicat, kanalizimet dhe ujësjellësin për ju e shndërroi në rroga për partinë, e shndërroi bashkinë në sipërmarrje të partisë dhe e dorëzoi me 250 kilometra rrugë të paasfaltuara.

Zoti kryetar i bashkisë, para banorëve të kombinatit dhe të mbarë Tiranës zotohem me solemnitet se do të financoj shtrimin e çdo rruge dhe rrugice të kryeqytetit të Shqipërisë brenda 2 viteve që vijnë. Ne do të ndërtojmë rrugët e të gjitha fshatrave të vendit. Ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë e rrugicë të kryeqytetit dhe jemi të gatshëm të katërfishojmë grantin edhe kredinë sovrane për bashkinë e Tiranës, në mënyrë që jeta e qytetarëve të Tiranës të jetë sa më normale.

Ne jemi të vendosur që 4 vitet që vijnë të krijojmë në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë vende punë më shumë se kurrë në historinë tonë, sepse ne kemi hequr taksat për të gjitha makineritë dhe materialet që u duhen bizneseve për prodhim; sepse ne hoqëm tatimin e të ardhurave personale për të gjithë punëtorët që marrin një rrogë nën 30 mijë lekë; sepse ne jemi të vendosur të ulim më tej taksat dhe hoqëm çdo taksë për të rinjtë në 3 vitet e para të punësimit. Kjo është një nxitje e madhe për bizneset, për rritjen e tyre të mëtejshme, për investime shumë më të mëdha. Ne do të krijojmë katërvjeçarin e ardhshëm vende pune më shumë se kurrë në historinë tonë, sepse investimet e huaja, të cilat ishin 4.2 miliardë dollarë në 4 vitet që shkuan, do të rriten së paku në 6 miliardë dollarë.

Vij nga Gramshi. Atje fillon gjiganti i energjetikës. Lajmet për TAP-in janë qartësisht pozitive. TAP-i dhe gazifikimi i Kombinatit, i Tiranës dhe mbarë Shqipërisë krijon mbi 10-15 mijë vende pune.

Ne do të punësojmë shqiptarët!

Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse ne këto vite që shkuan ia dolëm ta rendisim Shqipërinë, sipas Bankës Botërore, në 10 vendet me rritjen më të madhe të turizmit në botë. Në 4 vitet që vijnë Shqipëria turistike do të punësojë së paku dhe 30 mijë qytetarë shqiptarë më shumë, direkt edhe indirekt, me industrinë turistike. Ne do të përgjysmojmë taksat për industrinë turistike dhe do të heqim taksat për turizmin malor.

Ne do të punësojmë qytetarët shqiptarë, sepse do të marrim statusin e vendit kandidat; sepse së bashku do të hapim negociatat për vend anëtar të Bashkimit Evropian dhe kjo do të jetë pasaporta e dytë, pas NATO-s, për Shqipërinë edhe për shqiptarët, që do të sjellë në vend qindra e qindra milionë investime të huaja private dhe investime të Komisionit Evropian për shtrime rrugësh, për ujësjellës, për shkolla dhe jetë më të mirë për ju.

Ne do të punësojmë qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës, sepse ne Shqipërinë dixhitale do ta ngjisim në nivelet më të larta. Parku i ri i teknologjisë së lartë dhe zhvillime të tjera do të bëjnë që ky sektor të punësojë edhe 2-3 herë më shumë. Ne do të bëjmë gjithçka 4 vitet që vijnë që gjigandë të teknologjisë më të lartë dhe të industrisë së makinave të zbarkojnë në Tiranë edhe ne do t’u japim regjim 5 vjet pa asnjë taksë që ju të mësoheni dhe të mësoni teknologjitë më të mira.

Qytetarë dhe qytetarë të Tiranës,

Kjo është alternativa jonë, alternativë realiste dhe konkrete, e bazuar në arritjet e derisotme.

Cila është alternativa tjetër? Ndiqeni shokun e autobusit. Nesër, juve do t’ju quajë robër edhe skllevër. Mësuesit tanë i quan injorantë. Fëmijët tanë i quan dele. Policët, vetë i shoqëruar me vrasës, i quan banditë. Kjo është alternativa e tij, alternativa e sharjeve kolektive dhe e fyerjeve kolektive më të papranueshme. Por qytetarët e mençur shqiptarë dinë ti hedhin në kazan sharjet dhe fyerjet e tij.

Kujdes me taksat, se ato janë mashtrimi i tij më i madh. Nga sheshi në shesh kalon duke mashtruar, duke thënë se sot në Shqipëri Kryeministri paguan taksa më pak se polici, më pak se deputeti, më pak se mësuesi. Këto janë gënjeshtra të trasha. Deputeti paguan taksa 4 herë më shumë sesa infermierja, sepse rroga e tij është 4 herë më e lartë sesa rroga e infermieres. Kryeministri paguan taksa 5 herë më shumë sesa mësuesja, sepse rroga e tij është 5 herë më e madhe. Taksa e sheshtë është taksave e të 10-ve, më të cilën çdo njeri prek shtetin e tij me 1/10  e asaj që fiton. Kjo është taksa më e ndershme e të gjitha kohërave.

Taksa që ofron shoku i autobusit është taksa e urrejtjes që vendosi Karl Marksi në ‘Manifestin’ e tij, është taksa që vendosi në Tiranë në vitin ’46 famëkeqi Spiro Koleka, është taksa e sigurt e shkatërrimit të dhjetëra mijëra vende pune.

Qytetare dhe qytetarë të Tiranës,

Për secilin prej jush shpresoj se është e qartë se këto kanë qenë vitet e rritjes më të madhe të rrogave dhe pensioneve në Shqipëri. Ju jap fjalën se 4 vitet që vijnë rrogat dhe pensionet do të vazhdojnë të rriten 2 herë më shumë se çmimet dhe, përveç kësaj, rroga e 13-të për çdo punonjës të administratës shtetërore, e cila do të vendoset me ligj.

Ndaj dhe ju ftoj që me 23 qershor të votoni për fitoren, të votoni 44-ën, të votoni për punësimin tuaj, të votoni për mirëqenien tuaj.

Votoni 44-ën për integrimin tuaj në Evropë, për fitoren e shkëlqyer të Partisë Demokratike, fitoren e të ardhmes, fitoren e Shqipërisë.

Rrofshi ju! Rroftë Tirana! Rroftë Shqipëria!”


06/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›