E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton në Lapardha, kandidatët për deputetë të qarkut të Beratit

“Të dashur  banorë të Lapardhasë, Otllakut, Lumasit.

Vëllezër dhe motra.

Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për këtë pritje kaq entuziaste madhështore, për mbështetjen që ju i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike. Keni  garancinë time, fjalën time, se me deputetin tuaj  Lefter Maliqi, deputetët e qarkut të Beratit, gjatë katër viteve që vijnë do të bëjmë gjithçka për të investuar në çdo projekt që do të ndryshojë për mirë jetën tuaj më tej, do të bëjmë çdo gjë, për të ndërtuar në këto komuna, në këtë rreth, në këtë qark, infrastrukturë të njëjtën me lagjet e qyteteve. Do të bëjmë çdo gjë që tu mbështesim juve të qëndisini siç keni qëndisur deri më sot tokën tuaj  më bukur se kushdo tjetër me dru frutorë, me ullishte, vreshta, sera, perime dhe bimë të tjera. Do të bëjmë çdo gjë që djersa juaj e ballit t’ju japë juve më shumë fitim, të ecni më të sigurtë drejt mirëqenies që ju e meritoni plotësisht.

Të dashur banorë të Lapardhasë, Otllakut,  Lumasit.

Unë jam sot këtu gjithashtu për t’ju pohuar juve se gjatë këtyre viteve çdo investim, i cili ka nisur ne Berat në rast se ju kujtohet me asfaltimin e kësaj rruge dhe që sot në të katër anët e qarkut nga kanionet e  Osumit në Lumas, në kufi me Dumrenë, me Fierin me Lushnjën, ne po asfaltojmë po ndërtojmë dhe rindërtojmë rrugë kudo. Në çdo projekt, në çdo rrugë, në çdo ujësjellës, në çdo kanalizim, në çdo shkollë ka qenë angazhimi i plotë dhe total i avoketërve tuaj në parlamentin shqiptarë,  deputetëve që ju votuat në mandatin e kaluar.

Vëllezër dhe motra

Dhjetë ditë na ndajnë nga fitorja e madhe. Ndaj dhe unë sot jam këtu për t’ju bërë thirrje banorëve të Lapardhasë, Otllakut, Lumasit dhe të gjitha komunave të Beratit të gjithë banorëve të rrethit dhe qarkut të Beratit, të bashkohen me ne pavarësisht nga bindjet politike. Ftoj socialistët e qarkut të Beratit, këto dhjetë ditë të mendojnë dhe ne i mirëpresim ata, vota e tyre do të jetë infrastrukturë, do të jetë rrugë, do të jetë ujësjellësa, shkolla, ferma moderne do të jetë zhvillim për komunat për Beratin dhe për Shqipërinë.

Ftoj të gjithë qytetarët e këtij qarku, demokrat, socialist dhe të pa parti të bashkohemi për të ecur në rrugën e punësimit, në rrugën e mirëqenies, në rrugën e zhvillimit. Ftoj socialistët e Beratit, të mendojnë për një moment.  Ky është rrethi për të cilin e mbi 4 mijë fermer i kemi  financuar me grande,  cili socialist është diskriminuar për bindjen e tij, qoftë edhe një i vetëm. Me ne do të ecim përpara, ne do të trefishojmë grantet. Ftoj të gjithë banorët e Beratit, socialistët e Beratit të bashkohen me ne, sepse këto vite sëbashku pa dallime ne ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO dhe sot në këtë shesh dhe kudo që jemi, ne jemi anëtarë të aleancës më të fuqishme të lirisë së kohërave.  Të bashkohen me ne, sepse sot ne lëvizim të lirë në mbarë Europën, ndërsa kryetari i tyre bëri gjithçka për të mos lejuar heqjen e vizave për shqiptarët. Të bashkohen me ne, sepse ne gjatë muajve që vijnë do të marrim statusin e vendit kandidat, që kryetari i Partisë Socialiste e bllokoi për 231 ditë. Me ne ecim të sigurtë drejt Europë, me ne ecim të sigurtë drejt integrimit. Ëndrra Europiane është  e përbashkët për çdo shqiptarë pavarësisht nga bindjet e tij. Ftoj socialistët dhe të gjithë banorët të bashkohen me ne demokratët në përpjekjen tonë për zhvillimin e  Beratit  dhe të Shqipërisë. Në këto katër vite në sëbashku ia kemi dalë të investojmë kudo dhe rruga është zhvillim, të ndërtojmë shkolla kudo dhe shkolla është zhvillim, të ndërtojmë ujësjellësa  kudo dhe ujësjellësi  është zhvillim, të garantojmë energji elektrike kudo dhe energjia është zhvillim, kemi rritur rrogat e pensionet dhe ato janë zhvillim. Le të ecim ne në përpjekjen tonë të përbashkët për të kapur nivele më të larta zhvillimi, për të kapur nivele më të larta mirëqenie, për të kapur nivele më të larta integrimi.

Qytetarë dhe qytetare

Banorë të Lapardhasë, Otllakut, Lumasit

Sot nga kjo platformë ju garantoj se Boshti i Jugut dhe Rruga e Arbërit, janë dy projektet madhore të katër viteve që vijnë dhe ne do ti ndërtojmë ato dhe ne nuk do të pranojmë kurrë, që Berati ky diamant i trashëgimisë sonë, të qëndrojë si xhep, jo. Ne do ti presim malet, do ti shpojmë me tunel dhe Boshtin e Jugut do ta ndërtojmë mandatin që vjen.

Edhe njëherë  ju ftoj me 23 qershor të bashkohemi sëbashku demokrat, socialist, të pa parti, të votojmë 44, të votojmë për punësimin, të votojmë për zhvillimin, të votojmë për integrimin, të votojmë për fitoren tonë të shkëlqyer.

Fitore. Fitore. Fitore!”


13/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›