E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton në Poliçan, kandidatët për deputetë të qarkut të Beratit

Vëllezër  motra, qytetarë të Poliçanit, Skraparit, Beratit kudo ku jeni, përshëndetjet e mia më vëllazërore, nderimin dhe respektin tim më të madh për ju, për punën, përkushtimin dhe mbështetjen tuaj. Ju jap fjalën time se me zotin Astrit Veliaj, Çaush Qato dhe me deputetët e qarkut të Beratit do të bëjmë çdo gjë që  të mbështesin përpjekjet tuaja, në radhë të parë, për punësim e më pas për një jetë më të mirë, për rroga më të larta, për pensione më të larta.

Ne jemi të vendosur që katër vitet që vijnë të vazhdojmë të ndërtojmë në Skrapar e në mbarë Shqipërinë infrastrukturën më moderne, rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, në të cilat do të punësohen në Skrapar, Berat e Shqipëri dhjetëra mijërave qytetarë. Ndërtimi i infrastrukturës moderne bën të mundur që ju qytetarët e Skraparit të shfrytëzoni potencialet e jashtëzakonshme turistike që ka ky rreth, me madhështinë epike të malit të Tomorit, një nga malet më të bukura të kësaj toke dhe me potencialin më të madh turistik, dimëror e të çdo stine. Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria dhe bota të njohë Skraparin, të njohë Tomorin, të njohë kanionet, por, mbi të gjitha, të njohë skraparllinjtë, këta gratë e burrat e ndershëm, zemërbardhë, mikpritës e të sjellshëm. Ne do të bëjmë çdo gjë, që çdo burim uji në Skrapar të shndërrohet në burim energjie elektrike. Në kaskadën e Osumit e në lumenj të tjerë, ka projekte për prodhimin e energjisë elektrike dhe punësimin, së paku, të dy mijë qytetarëve të Skraparit në të gjitha hidrocentralet e këtij rrethi.  

Vëllezër e motra,

Shqipëria ndodhet në prag të një vendimi të jashtëzakonshëm historik dhe ky është vendimi për gazsjellësin TransAdriatik, projekti energjetik më i madh i Europës që kalon në rrethin tuaj. Unë kam kënaqësi të madhe t’ju pohoj se vendimi i konsorciumit të detit Kaspik do të jetë përzgjedhja e TAP-it si projekti që ata do të mbështesin dhe këtë do ta merrni vesh gjatë ditëve që vijnë. Ky projekt do të ndryshojë në mënyrë të rëndësishme jetën e shqiptarëve, sepse do të bëjë të mundur gazifikimin e çdo familjeje shqiptare, do të ulë koston e jetesës, ngrohjen e gatimin me gaz që ka edhe koston më të ulët. Në gazifikimin e Shqipërisë dhe në ndërtimin e TAP-it do të punësohen dhjetëra e dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë.

Nga Berati deri këtu, çdokush mund të shohë  plantacione të mrekullueshme me vreshta, ullishte, sera e dru frutorë. Jam këtu për t’u zotuar para jush se katër vitet që vijnë, ne do të trefishojmë grantet për ju dhe ju bëj thirrje mbillni sa më shumë dru frutore. Aty ku rritet një shkurre, në këtë luginë mund të rritet një ulli, mund të rritet një pjergull a dru frutorë. Të bëjmë gjithçka për të bërë Skraparin, për ta bërë Shqipërinë kopshtin më të bukur në Europë. Unë ju jap fjalën se do të mbështes fuqimisht deputetët tuaj për funksionimin e kombinatit, për zgjerimin e veprimtarisë së tij.

Vëllezër e motra,

këtu tek ju, në garë është Astrit Veliaj dhe nga ana tjetër, në garë është Fidel Ylli. Mendoni të dy i keni të  gjakut tuaj, por ju jeni të mençur. Fidel Ylli është një miliarder, i cili humbi mandatin në parlament, sepse duke shkelur Kushtetutën, radion e tij ia dha të motrës dhe e bëri atë milionere brenda natës. Astrit Veliaj është gjithashtu biznesmen, por me lekët e tij hapi universitetin e parë privat në Shqipëri me tarifa publike për ju, për Beratin, për Skraparin, për mbarë Shqipërinë. Besoj se kjo përbën një dallim të madh midis ndjenjave të atdhetarizmit, dashurisë dhe respektit për ju të Astrit Velisë dhe makutërisë,  pangopësisë të shokut Fidel Ylli. Nga ana tjetër, e thashë edhe në Çorovodë, do ta them edhe këtu tek ju, duhet t’i kërkoni zotit Ilir Meta ta sjellë Edi Ramin, në këtë shesh, për të kërkuar të falur për fyerjen me gjeografinë. Një ditë fyen pse je nga Skrapari, ditën tjetër nga Tropoja, ditën tjetër nga ky apo ai rreth. Një ditë do vijë t’ju thotë, unë jam nga Skrapari, në Tropojë u thotë e kam origjinën nga Geghyseni. Ai bëhet një personazh qesharak, por fyerjet me gjeografi, fyerjet kolektive janë të dënueshme.

Vëllezër e motra,

edhe dhjetë ditë na ndajnë nga fitorja. Ju ftoj të bëheni bashkautorë në fitoren e madhe, fitoren për punësimin tuaj, fitoren për mirëqenien tuaj, fitoren për shndërrimin e pasurive të mëdha të Skraparit në vlera për qytetarët e saj, fitoren për integrimin e Skraparit, Poliçanit dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, fitoren për një të ardhme më të mirë, për një jetë më të mirë. Edhe një herë urimet më të mira. Fitore! Fitore! Fitore!


13/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›