Kryeministri Berisha prezanton në Laprakë kandidatët për deputetë për qarkun e Tiranës

Të nderuar qytetarë të Laprakës, të Kodër Kamzës, Bregut Lumit,
Qytetarë dhe qytetare të fitores së thellë,
së pari përulem me nderimin më të madh, me mirënjohjen më të pakufishme, me krenarinë më të madhe për mbështetjen tuaj, gra dhe burra fisnikë, që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike, projekteve dhe programit të saj. Sikundër jam këtu për t’u zotuar para jush se katër vitet që vijnë me kryetarin e bashkisë Lulzim Basha, me deputetin tuaj, personalitetin e shquar të letrave të vendit Visar Zhiti dhe me mikun tim e të secilit prej jush, qeveritarit vendor të palodhur Haki Mustafa do bëjmë gjithçka për të ndërtuar tek dera e shtëpisë suaj, Tiranën e ëndrrave tuaja.
Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj,
dua të përulem para jush, për punën e madhe që ju keni bërë, djersën që keni derdhur në kryeqytetin e vendit. Keni ardhur këtu nga të katër anët e Shqipërisë, pa strehë, erdhët këtu për të bërë të vërtetë ëndrrën tuaj të Tiranës, kryeqytetit të vendit dhe përveç ngrohtësisë, shpirtit fisnik të tiranasve, të tjerat, të gjitha i ndërtuat dhe i bëtë vetë.
Zoti Rama, jam sot para këtyre qytetarëve të të them vetëm dy fjalë. Ti je i kompleksuar me origjinën e qytetarëve. Je i gabuar. Në Jug e në Veri, në Lindje e në Perëndim, qytetarët kërkojnë vetëm një gjë nga politikanët, kërkojnë ndershmëri dhe trajtim të barabartë. Pa pyete veten zoti Rama, çfarë bëre në 11 vjet, për këta qytetarë, të cilët ndërtuar këtu me lumenj djerse, ëndrrën e tyre të bukur, për vete, fëmijët dhe kryeqytetin e vendit. Është ky kompleks i fajit, është kompleksi i braktisjes që ti ju bëre për 11 vjet që të mundon, që nuk të lëshon. Për këta, Shqipëria është Shqipëri në çdo pëllëmbë e centimetër të saj, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim dhe jo vetëm për këta, por e tillë është për korçarët, gjirokastritët, sarandjotët, tepelenasit, vlonjatët dhe gjithë të tjerët.
Qytetare dhe qytetarë të Kodër Kamzës, të Laprakës, Bregut Lumit,
katër vitet që vijnë qeveria do bëjë gjithçka për punësimin tuaj, mirëqenien tuaj. Ne jemi të vendosur të krijojmë në Tiranë, dhjetëra e dhjetëra e mijëra vende pune me heqjen e taksave për çdo makineri dhe çdo material importi për bizneset, me krijimin e dy parqeve logjistike industriale me 30 mijë vendeve pune, me hapjen e kantiereve të Tiranës së shekullit të 21-të, me bulevardin e ri, me krijimin e zonave rekreative të lumit, me planin e ri që do të sjellë Tiranën moderne në çdo rrugë e rrugicë, në çdo shesh pallati e në çdo derë shtëpie kudo ku banoni.
Ne jemi të vendosur t’ju punësojmë juve, sepse katër vitet që vijnë në Tiranë, në mbarë Shqipërinë do të dyfishojmë turizmin dhe do të rrisim ndjeshëm punësimin në industrinë turistike. Ne përgjysmuam taksat për industrinë turistike, do të dyfishohen kapacitetet e saj në pritje dhe punësim.
Katër vitet që vijnë, Shqipëria vend lider për energjinë në rajon do të jetë ëndrra që sëbashku do të bëjmë të vërtetë. Në të katërt anët e vendit, dhjetëra e qindra hidrocentrale, në të cilat krijohen dhjetëra mijëra vende pune, do të punësojmë dhjetëra mijëra shqiptarë. Punësimi juaj, mirëqenia juaj është qëllimi ynë.
Ne do t’ju punësojmë juve, qytetarë të Tiranës, sepse brenda këtij viti do të marrim statusin e vendit kandidat. Qindra milionë euro investime shtesë për rrugë, rrugicat, ujësjellësit, shkollat, kanalizimet tuaja do të marrim nga Bashkimi Europian. Qindra milionë euro investime nga sektori privat i vendeve anëtare do të vijnë në Shqipëri dhe dhjetëra mijëra vende pune të reja do të krijohen për ju dhe për shqiptarët.
Ne do t’ju punësojmë juve dhe qytetarët shqiptarë, sepse Shqipërinë dixhitale do ta shndërrojmë vend lider në rajon për teknologjinë e lartë dhe do të punësohen në këtë sektor dyfishi i punonjësve që punojnë sot aty.
Fitorja që shkëlqen në sytë tuaj është në dorën tuaj, prandaj ju ftoj të bëni gjithçka për çdo votë, për çdo zemër, për çdo mendje. Më 23 qershor votoni 44-n.
Demokrate dhe demokratë të Kodër Kamzës, Laprakës, Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, këto ditë që na ndajnë nga votimet ngrini lart e më lart, me krenarinë më të madhe, dy gishtat e fitores.
Të rinj dhe të reja, mos harroni se vëllezërit tuaj më të mëdhenj, nënat dhe baballarët tuaj, me dy gishtat lart përmbysën diktaturën më të egër. Zoti Rama, që vërsulesh me urrejtje kundër dy gishtave, je i gabuar se me këto dy gishta përmbysëm regjimin e etërve tuaj, me këto dy gishta lart anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Europës, me këto dy gishtat lart firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, me këto dy gishta lart anëtarësuam Shqipërinë në NATO, me këto dy gishta lart hoqëm vizat, me këto dy gishtat lart merituam statusin e vendit kandidat. Nder atyre që me dy gishta firmosën historinë e Shqipërisë, historinë e lirisë.
Qytetare dhe qytetarë shqiptarë,
bashkohuni me ne me dy gishtat lart, me zemër të hapur. Shqipërinë nuk e bëri grushti stalinist, por e bënë dy gishtat e djemve dhe vajzave, grave dhe burrave fitimtarë, krenarë përjetë me fitoren me dy gishtat lart.
Gëzuar fitoren më 23 qershor! Përpara! Votoni 44-ën. Fitore! Fitore! Fitore!
12/06/2013