E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha priti Lordin Watson

TIRANE- Kryeministri Berisha priti sot pasdite në një takim Lordin Watson, i cili shoqërohej edhe nga zv/Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, znj. Elizabeth Evans.

Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se Lordi Watson vlerësoi zhvillimet në Shqipëri dhe shprehu kënaqësinë që ndodhej në Shqipëri në këtë vit të rëndësishëm të saj, ku konvergojnë ngjarje të mëdha, si ajo e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në këtë kuadër, Lordi Watson e informoi Kryeministrin se në Londër, në mes të muajit nëntor, do të organizohet një koncert dedikuar 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Westminster Ebi, do të hapet një ekspozitë kushtuar Nënë Terezës, si dhe do të organizohet një pritje për komunitetin shqiptar atje.

Duke u ndalur në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, Lordi Watson propozoi hapjen e një Akademie në Tiranë, në gjuhën angleze, e cila do të jetë pjesë e konkurrueshmërisë së Shqipërisë në tregun global, me një impakt të vendit tonë në botën moderne. Kjo Akademi do të jetë pjesë e Universitetit Internacional të Richmond në Angli dhe e Universitetit të Virginias në SHBA.

Kryeministri e njohu Lordin Watson me zhvillimet dhe progresin e Shqipërisë. Ai theksoi se integrimi i Shqipërisë në BE dhe progresi në këtë drejtim, është prioritet i qeverisë shqiptare dhe se ky proces kërkon përfshirjen dhe kontributin e të gjitha palëve të politikës, në interesin më të mirë të vendit. Kryeministri tha se në këtë drejtim është bërë progres. Janë miratuar disa ligje të rëndësishme në Parlament dhe reforma elektorale po ecën përpara në drejtimin e duhur.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha mirëpriti idenë për hapjen e Akademisë në gjuhën angleze në Tiranë dhe siguroi se realizimi i këtij projekti do të ketë mbështetjen e qeverisë shqiptare, në përputhje me të gjitha procedurat dhe kuadrin ligjor të nevojshëm.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›