Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Polonisë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram ngushëllimi Kryeministrit të Polonisë, zotit Donald Tusk ku shpreh ngushëllimet e tij për humbjen e jetës së Presidentit të Polonisë, zotit Lech Kaczynsky në aksidentin tragjik ajror. “Lajmi i vdekjes së Presidentit Kaczynsky, bashkëshortes së tij, drejtuesve të lartë e zyrtarëve të tjerë të shtetit polak është një lajm shokues jo vetëm për popullin mik polak, por edhe për çdo shqiptar dhe për të gjithë miqtë e Polonisë në botë”, shkruhet në telegram. Me vdekjen e tij, vijon më tej Berisha, Polonia humbi një nga personalitetet e saj më të shquara dhe të respektuara, por edhe Bashkimi Evropian humbi një nga liderët më të rëndësishëm të vendeve antare. “Duke ndarë me ju dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për këtë humbje të madhe të kombit tuaj, vdekjen e Presidentit Kaczynsky, bashkëshortes së tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë të vendit tuaj, ju shpreh Ju dhe Qeverisë suaj, familjarëve të të ndjerit President dhe të viktimave të tjera, ngushëllimet më të thella dhe ndjenjat e simpatisë dhe solidaritetit më të madh të miat dhe të Qeverisë Shqiptare”, shkruan në telegramin e ngushëllimit, Kryeministri i Shqipërisë.