Presidenti Topi shpreh dhimbjen për vdekjen tragjike homologut të tij polak Presidenti i Republikës, Bamir Topi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpreh dhimbjen dhe tronditjen e thellë për humbjen e jetës së Presidentit të Republikës së Polonisë, Lech Kaczynsky, bashkëshortes së tij dhe delegacionit që e shoqëronte, si pasojë e një aksident ajror në Smolensk, që shkaktoi të paktën 87 viktima. “Me hidhërim të thellë dhe tronditje mësova lajmin e aksidentit tragjik ku humbi jetën Presidenti Kaczynsky, bashkëshortja e tij dhe delegacioni zyrtar që e shoqëronte. Në emër të shtetit shqiptar dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta! Në këto momente të vështira, ne ndajmë me ju dhimbjen e humbjes së pazëvendësueshme”, thuhet në mesazhin e Presidentit të Shqipërisë.