Kryeministri Berisha takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit

Kryeministri Berisha: Qeveria do të rishikojë statusin e policit të rënë dhe do të forcojë ligjet e luftës kundër krimit, pasuria e krimit do të dërrmohet njësoj si krimi.
Kryeministri Berisha: Oficerët e rënë në krye të detyrës, sakrificë sublime në emër të ligjit.
Kryeministri Berisha takoi sot Drejtuesit e Policisë së Shtetit, ku shprehu ngushëllimet për humbjen e 4-katër oficerëve të Njësisë Operative në Forcën e Posaçme të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar gjatë operacionit për asgjesimin e bandës kriminale të Dritan Dajtit. Kryeministri Berisha garantoi efektivat e Policisë së Shtetit se kanë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe se brenda pak kohësh do të rishikohet ligji për statusin e policit të rënë si dhe do të forcohet edhe më shumë ligji i luftës kundër krimit.
“Zoti Ministër, zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit, anëtarë të efektivave pjesëmarrës në operacionin për asgjesimin e bandës më të rrezikshme të vendit, për ndalimin e kriminelit më të egër dhe më të rrezikshëm, terroristit të vërtetë Dritan Dajtit, i cili përbënte një rrezik të madh, jo vetëm për sigurinë në Shqipëri, por me veprimtarinë e tij, të shtrirë në disa shtete ai përbënte rrezik edhe për vendet mike.
E premtja që shkoi ishte një e premte e zezë, por ishtë një ditë në të cilën heroizmi juaj, trimëria, vendosmëria për zero tolerancë ndaj krimit ishin më kulmoret se kurrë.
Asgjë më të dhimbshme nuk ka për ne sesa mungesa sot midis nesh e Fatos Xhanit, Kastrit Feskës , Saimir Duçkollarit, Altin Disdarit, por do të ishtë tmerrësisht më e dhimbshme dhe më poshtëruese për mbarë kombin nëqoftëse ndaj kësaj bande dhe këtij superkrimineli nuk rezervohej tolerancë zero nga Njësiti i operacioneve speciale.
Por unë dua që shqiptarët ta dinë se sejcili prej tyre ka rënë në mënyrën më heroike. Se kryekrimineli nxorri bandën nga makina dhe anëtarët e Njësisë së operacioneve të veçanta në emër të ligjit vepruan ndaj këtyre për t’i arrestuar, për t’i ndaluar , ashtu siç kërkon ligji. Ndërsa drejtuesi i tyre për veten mbajti më të vështirën, më kryesoren, ndalimin e superkriminelit, e terroristit Dritan Dajtit.
Unë e di se shumë shqiptarë , me mijëra shtrojnë pyetjen dhe thonë me veten e tyre me dhimbje sikur t’i kishin asgjesuar, por Fatosi, Altini, Kastrioti, Saimiri edhe në çastet e fundit të jetës së tyre u dëshmuan shtylla dhe morali i ligjit. Ju jeni profesionistë dhe nëqoftëse ka një skarificë sublime për ligjin dhe në emër të ligjit, rasti më i pastër, më heroik është rasti i tyre. Midis të gjitha varianteve, të mundshme për ta , ata zgjodhën më ligjoren, ata zgjodhën më dinjitozen për një shoqëri të lirë, për një vend të lirë.
Atyre nuk u kushtonin asgjë breshëritë mbi ata që dolën nga makina , por ligji kërkontë t’i ndalonin dhe ata kështu vepruan. Atyre nuk u kushtonin gjë breshëritë mbi makinën e superkriminelit, por ligji u kërkonte t’i kërkonin dorëzimin.
Ju në katër vite keni kryer më qindra dhe qindra operacione, keni vendosur para ligjit në Shqipëri dhe jashtë vendit me qindra banda dhe mbi një mijë anëtarë të tyre.
Shërbimi që ju i keni bërë vendit është i jashtëzakonshëm, asnjë edhe një nga sukseset e sotme të Shqipërisë nuk do të ishte i mundur pa trimërinë, vetëmohimin dhe sakrificën tuaj. Absolutisht as edhe një i vetëm. Por Shqipëria do të vërtitej , do të shkatërrohej në labirinthet e krimit.
Gjithçka që është bërë e mundur, të gjitha arritjet kanë në themel rendin dhe sigurinë që ju i dhatë vendit dhe lufta me zero tolerancë që ju adaptuat ndaj krimit.
Lufta kundër krimit ka çmimin e vet. Me dhjetëra e dhjetëra herë, unë kam shprehur me veten dhe publikisht në të gjitha konferencat ku kam marrë pjesë, admirimin tim për ju, për trimërinë dhe shkallën më të lartë të profesionalizimit që keni dëshmuar në luftën kundër krimit.
Ka qenë shumë e vështirë. Unë ju them se fillimisht në arenën ndërkombëtare i dëgjonin me shume skepticizëm deklaratat e mia dhe më vonë kur kalohej nga suksesi në sukses, më pyesnin hapur: A do të jenë të parikthyeshme këto arritje të Shqipërisë?
E premtja dëshmoi se toleranca zero e juaja është më funksionale se kurrë. Ndaj dhe unë erdha këtu sot edhe t’ju ngushëlloj, por edhe të përgëzoj të gjithë anëtarët e tjerë , të Njësisë që morën pjesë në operacion.
Lufta kundër krimit ka çmim dhe ne duam që ai çmim të jetë gjithnjë sa më i vogël i mundshëm, por tolerance zero është parimi ynë i parë.Dhe ata që u ndodhën aspak rastësisht përballë bandës dhe kriminelit bënë atë që duhet të bënin, bënë detyrën , ranë për të fituar pavdekësinë dhe ne do t’i nderojmë gjithmonë. Por akti i tyre është një frymëzim i madh për ne, është frymëzim për ju, për ta vazhduar këtë betejë, çdo ore, çdo ditë , çdo javë.
Sot në mëngjes ju keni vendosur para ligjit një shumëtëkërkuar tjetër dhe absolutisht unë kam besim të plotë se ju nuk keni të ndalur në këtë betejë, se sakrifica sublime e shokëve tuaj është vetëm frymëzim dhe vendosmëri më e madhe për ju, për t’i rezervuar krimit atë që meriton, tolerancën zero.
Ju jeni një institucion themolor i shtetit, por unë dua të theksoj një aspekt tuajin, të cilin e vlerësoj shumë. Nuk ka një institucion tjetër që të zhvillojë luftën kundër krimit brënda vetes siç e zhvilloni ju. Absolutisht, dhe unë për këtë ju përgëzoj se nuk mund të përmbushni asnjëherë misionin tuaj pa prerë me gërsherët e ligjit të gjitha kapjet. Se juve ju sulmon krimi më shumë, ju jeni objekti kryesor i sulmit të tij. Por ju keni një luftë permanente , konstante, e cila duhet të frymëzojë të gjitha institucionet e tjera për të luftuar dhe prerë me gërshërët e ligjit çdo lidhje me krimin.
Unë erdha gjithashtu t’ju garantoj ju se qeveria u mbështet dhe do t’ju mbështesë plotësisht. Unë i kam kërkuar ministrit të rishqyrtojë tërësisht ligjin për statusin e policit të rënë. Ne ju sigurojmë ju çdo pajisje dhe çdo mjet për luftën më efiçente kundra tij, por siguria gjithnjë ka çmimin e vet. Ajo çka do të bëjmë ne, do të jetë që familjet dhe fëmijët e policëve të rënë, përveç mungesës së njeriut të tyre më të dashur, të mund të kenë çdo gjë sikur ata të ishin në dëtyrën në të cilën ranë.
Statusi do të rishqyrtohet themelisht dhe ne shoqëria, jam i bindur se ka vetëdijen më të thelle se sakrifica juaj, se kontributi dhe ndihmna juaj për sigurinë e saj dhe për sigurinë e vendit në tërësi ja vlen për çdo lloj kontributi tjetër të saj ndaj jush.
Ndaj dhe erdha edhe njëhërë t’ju përshëndes, t’ju ngushëlloj, të përgëzoj të gjithë efektivin e Njësisë së posaçme që mori pjesë në atë operacion.
Na mungojnë 4 më të mirët, por banda nuk është më.!
Do të rishqyrtohen ligjet e luftës kundër krimit. Duhet të godasim ekonominë që krijon. Ka patur një amendim nga ai vendim, do t’i rikthehemi prapë ligjit. Ai që nuk i del zot pasurisë duhet të dridhet nga pasuria e tij. Ai që i del zot ta gëzojë, ta shumojë çdo ditë e më shumë.
Ne nuk mendojmë dhe nuk besojmë kurrë se duke shkatërruar të pasurit ndihmojmë të varfërit, jo absolutisht. Përkundrazi ne përpiqemi t’ju krijojmë shanset që njerëzit të pasurohen në mënyrë të ndershme, por pasuria e krimit do të dërrmohet njëlloj si krimi, ndaj dhe ligji do të amendohet dhe detaje të tjera në tërësi, ndonëse ligjet i kemi të mira , jemi vend i lirë dhe intepretimin më të shkëlqyer të këtij koncepti e bënë vlezërit tuaj sepse ata u sollën si oficerë policie të një vendi të lirë , si trima, gjakftohtë. Në rast të kundërt mund të kishte patur zgjidhje të tjera për ta , por ju përmbajtën ligjit. Sot nuk i kemi, por do t’i nderojmë gjithmonë.
Ndaj edhe njëherë ju përgëzoj ju dhe të gjithë efektivave të policisë, absolutihst një nga institucionet më të mira të këtij vendi, keni krijuar traditën tuaj ligjore, jashtëzakonisht të dobishme per vendin, përcaktuese për shumë aspektë te vendit dhe t’ju garantoj për mbështetjen e plotë të qeverisë, të parlamentit. Jam i bindur se çdo shqiptar ndihet më i lumtur pranë jush.”
12/08/2009