Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e nisjes së trupave shtesë paqeruajtëse në Afganistan
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në ceremoninë e nisjes së kontigjentit të parë shtesë në Herat të Afganistanit. Kjo shtesë prej 110 trupash, që bën pjesë në misionin paqeruajtës ISAF, nën komandën e Kontigjentit Italian, niset menjëherë pas vendimit të qeverisë për të mbështetur trupat paqeruajtës të NATO-s, në prag të zgjedhjeve të 20 gushtit në Afganistan. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Oketa, shefi i Shtatbit të Përgjithshëm Malaj, ambasadori italian Saba D’Elia, si dhe një numër i madh i familjarëve që përcillnin të afërmit e tyre, me të cilët Kryeministri Berisha u përshëndet përzemërsisht në përfundim të ceremonisë.
Në fjalën e tij drejtuar trupave para nisjes për në Afganistan, Kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar zoti ministër, zoti amabasador D’Elia, zoti shefi i Shtabit Malaj, të dashur oficerë, nënoficerë, ushtarë të Regjimentit Komando, të dashur prindër, familjarë, bashkëshorte, fëmijë të oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve, që përcjellim sot për në Afganistan.
Sot ne këtu jemi mbledhur në një ngjarje shumë të rëndësishme për mbarë vendin, për forcat tona të armatosura dhe kombin shqiptar. Jemi mbledhur për t’ju përcjellë ju në një mision të madh dhe fisnik, në Afganistan. Nesër në orët e para të mëngjesit, ju largoheni nga vendi i juaj, por së bashku me ju udhëton flamuri ynë kombëtar, së bashku me ju udhëton krenaria jonë kombëtare, udhëton malli dhe dashuria e familjeve tuaja, udhëton vullneti i vendit dhe kombit tuaj për të kontribuar për konsolidimin e vlerave të lirië dhe demokracisë, paqes në Afganistan. Misioni juaj është mision i vështirë, aq sa fisnik, aq edhe i vështirë është. Por është një mision i madh sepse synon që në kuadrin e Aleancës së Atlantiku të Veriut, të japim edhe ne kontributin për paqen, lirinë dhe demokracinë në Afganistan. Historia ka faktuar se talebanët janë një rrezik madhor, jo vetëm për paqen e kombit afgan, por edhe paqen botërore në tërësi. Dhe nuk ka mënyrë më efiçente për të luftuar terrorizimin, në mënyrë që ai të mos vijë dhe në vendin e shtëpinë tënde, sesa për ta shtypur atë në djepin e tij. Kombi mik afgan është para zhvillimeve të mëdha. Ai ka zgjedhjet dhe kërkon që me votën e lirë të përcaktojë fatin dhe të ardhmen e vet. Kombi afgan është i vendosur që të votojë në liri. Talebanët me ekstremizmin dhe fanatizmin e tyre, kërkojnë ta pengojnë këtë komb vigan të bëjë hapat që duhet në rrugën e demokracisë. Ju shkoni atje për të dhënë kontributin tuaj si paqeruajtës në një proces zgjedhor paqësor dhe të qetë. Shkoni atje, që afganët të mos flasin me armë, por të flasin me votë për të ardhmen e tyre.
Zoti ambasador, unë dua t’ju shpreh ju, kryeministrit Berluskoni, forcave tuaja të armatosura mirënjohjen më të thellë. Kompania që niset sot, shkon në Herat, bashkohet me kompaninën tjetër në kontigjentin italian. Aty kanë krijuar marrdhëniet më miqësore, më vëllazërore. Së bashku në komandën e kontigjentit italian, kanë përmbushur me dinjitet të gjitha detyrat që rrjedhin nga misioni i tyre. Ne u jemi shumë mirënjohës ju, për angazhimin që bëtë, që kjo kompani, të bashkohet me kompaninën shqiptare dhe kontigjentin italian në Herat.
Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë. Ju ndaheni sot edhe nga familjet. Una dua t’u garantoj ju, se qeveria do të gjendet pranë tyre me një detyrim të madh moral ndaj jush, në çdo problem që do u lindë dhe do u krijohet dhe që do të ndjejë nevojën tuaj. Ne do qëndrojmë pranë tyre njëlloj sikur ju të ishit duke përmbushur detyrën në Tiranë. Ne do të qëndrojmë pranë jush në Afganistan dhe qeveria do të bëjë çdo përpjekje për t’ju mbështetur ju.
Ju shkoni atje edhe për mbushjen e një detyrimi të ri që i lind Shqipërisë pas anëtarësimit në Atlantikun e Veriut. Në Strasburg, ne u zotuam të mbështesim strategjinë e re të presidentit Obama dhe në këtë kontekst sot niseni ju atje, pra dyfishojmë trupat tona. Në këtë kontekst së shpejti do të nisim edhe një grup mjekësor prej 20 punonjësish, mjekë dhe infermierë. Po në këtë kontekst, buxheti i këtij viti do të parashikojë ndërtimin e 8 shkollave të reja në këtë vend mik. Siç na ndihmuan ne, me miliarda dhe miliarda euro, kombet dhe vendet mike edhe ne do të dëshirojmë të ndihmojmë ata të cilët përpiqen të ndërtojnë demokracinë, paqen dhe stabilitetin.
Ju jeni ambasadorë të shkëlqyer. Me kontigjentin tuaj, forcat tona të armatosura arrijnë në 1920 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë që përmbushën dhe përmbushin misionet e tyre, nga Bosnja në Çad, në Afganistan, Gjeorgji dhe vende të tjera. Edhe një herë ju uroj sukses në mision tuaj fisnik. Shpreh bindjen time, se në traditën më të shkëlqyer të ushtarëve shqiptarë, ju do të dëshmoheni ambasadorë të shkëlqyer të kombit dhe vendit që përfaqësoni atje.
Rrugë të mbarë dhe faleminderit!
11/08/2009