Kryeministri Berisha takohet me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin z. Stefan Fule

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Komisionerin e BE-së për Zgjerimin z. Stefan Fule, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e Seminarit të përbashkët Shqipëri – KE për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi Komisionerin Fyle për mbështetjen që Komisioni Europian i ka dhënë e po i jep qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në përpjekjet për të ecur përpara me shpejtësi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Kryeministri vlerësoi se edhe Seminari që po zhvillohet këto dy ditë në Tiranë mbi Planin e Veprimit është një rikonfirmim i qartë i kësaj mbështetje.
Më tej, Kryeministri Berisha theksoj se anëtarësimi në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i këtij shekulli për Shqipërinë dhe se qeveria është e vendosur, e angazhuar, dhe po punon me të gjitha forcat për të përmbushur të gjitha kriteret, kërkesat e standardet që kërkon ky proces.
Komisioneri Fyle e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe për mbështetjen dhe angazhimin aktiv të qeverisë për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e Seminarit në shërbim të përmbushjes së 12 rekomandimeve, si një shenjë e qartë e angazhimit të qeverisë në këtë proces. Komisioneri Fyle i ripohoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për realizimin e të gjitha reformave që kërkon anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE.
Në takim u diskutua që Seminari i sotëm të pasohet nga konsultime dhe evenimente të tjera kontakti midis Shqipërisë dhe BE-së me qëllim ndjekjen dhe realizimin e prioriteteve të përcaktuara nga komisioni në Opinionin e tij. Seminari do të konkludojë në një sërë masash afatshkurtra e afatmesme për përmbushjen e të 12 kërkesave të Opinionit dhe kërkesave të tjera të lidhura me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryeministri Berisha e falënderoi Komisionerin Fyle dhe bashkëpunëtorët e tij për bashkëpunimin proaktiv të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në realizimin e të gjitha kërkesave të këtij procesi dhe i rikonfirmoi se qeveria shqiptare do të vijojë të mbetet e hapur dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me Komisionin Evropian dhe të gjitha institucionet e BE-së për adresimin e 12 rekomandimeve dhe të gjitha çështjeve të tjera të lidhura me procesin e integrimit, në çdo forum apo nëpërmjet çdo instrumenti bashkëpunimi të përcaktuar bashkarish.
Në takim u diskutua, gjithashtu, edhe mbi zgjedhjet vendore të 8 majit, si dhe rëndësia që ato kanë për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë. Kryeministri i rikonfirmoi Komisionerit Fyle angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për një proces tërësisht transparent dhe për të bërë çdo përpjekje për realizimin e zgjedhjeve më të mira konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri uroi që edhe opozita të shprehë të njëjtin nivel vullneti politik pozitiv në procesin zgjedhor.
30/03/2011