Kryeministri Berisha merr pjesë në promovimin e 5 librave të Simon Sebag Montefiore
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e promovimit të botimit në Shqipëri të pesë librave të Simon Sebag Montefiore, të cilat i sjell për lexuesin shqiptar shtëpia botuese 55. Në ceremoninë, e zhvilluar në hotel Sheraton, Tiranë, ishte i pranishëm edhe autori, zoti Montefiore.
Kryeministri Berisha përshëndeti botimin e librave të zotit Montefiore, duke i konsideruar ato një pasurim cilësor që i bëhet bibliotekës së lexuesit shqiptar. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha vlerësoi zotin Montefiore si “një nga penat më të shquara të historisë” të kohëve të sotme. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri u ndal në dy librat e tij: Stalini: Në oborrin e carit të kuq dhe Jerusalemi. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është privilegj, nder e kënaqësi të përshëndes sot, këtu, një prej penave të historisë më të shquar të kësaj kohe. Zoti Simon Sebag Montefiore qëndron sot në krye të botimeve për historinë, por edhe letrat. Në një hark kohor të shkurtër, librat dhe botimet e tij janë shpallur botime të shekullit. I një rëndësie të jashtëzakonshme është inkursioni që autori bën në oborrin e carit të kuq, në sistemin e carit të kuq, analiza e gjithanshme që i bën një prej figurave më gjakësore të të gjitha kohërave, kriminelit më të madh të shekullit që shkoi, njeriut që ndërtoi një sistem të vërtetë skllavërie, sistem në të cilin u shtetëzuan çdo gjë, por mbi të gjitha qenia njerëzore. Për fatin e keq, për rrethana historike, për jo pak kohë, ky xhelat që mori jetë dy herë më shumë të popullit të tij, sesa Hitleri do të mbahet si idhull, do hyjnizohet nga qindra e qindra miliona njerëz të mashtruar, fatkeqësisht jo vetën në anën e errët të perdes së hekurt, por edhe në anën e lirë të saj.
Vepra e zotit Montefiore ndriçon me vërtetësi të madhe të gjitha aspektet e njeriut që ndërtoi sistemin që u provua si eksperimenti më tragjik në historinë e njerëzimit. Një eksperiment që kushtoi ndofta qindra milion jetë, një eksperiment që, ashtu siç thotë Bernard Henri Levy u servir me fytyrë njerëzore, një barbari me fytyrë njerëzore. E vërteta është se ky sistem është hedhur sot poshtë me vendosmëri nga kombet në Europë. 20 vjet më parë, regjimet e këtij sistemi ranë njëra pas tjetrës, u shembën nga një seri faktorësh, por përmasat e barbarisë së këtij sistemi janë qartësisht të pavlerësuara sa duhet. Një përpjekje të madhe po bëhen në Shtetet e Bashkuara me muzeun e viktimave të komunizmit, kurse në Europë është vendosur pothuajse jo censura, por një lloj harrese e kërkuar dhe kjo është për të ardhur keq, madje shpesh të krijohet përshtypja se ai pluhur toksik i ideologjisë e propagandës është shpërndarë më i holluar, por sërish qarkon në kontinentin tonë.
Zoti Montefiore, Shqipëria është një vend i vogël, shqiptarët janë një komb i vogël, por ju garantoj se në ndjenja apo thellësi, askund veprat tuaja nuk vlerësohen më shumë, sesa tek shqiptarët, të cilët për 45 vjet kishin Stalinin e klonuar tek Enver Hoxha. Diktator që imitoi në mënyrën më autentike egërsinë dhe barbarinë e Stalinit ndaj popullit të tij. Hoxha ka një specifikë tjetër. Pasi historianë, shkrimtarë, publicistë dhe partitë e majta europiane filluan ta denoncojnë atë, Hoxha botoi një libër “Miku im i mirë Stalin”, të cilin nuk dilte se e kishte takuar ndonjëherë, përveçse mundet në tribunën e Sheshit të Kuq, gjatë parakalimeve. Hoxha e dinte se ky libër e ky titull do të përqeshej dhe përçmohej kudo në botë, por ai nuk e kishte për botën, këtë poshtërim e kishte për ne. Hoxha e tejkaloi Stalinin në ndonjë aspekt të qëndrimeve të tij. Të dy këta ishin ateistë, por ateizmi total shtetëror u vendos vetëm në Shqipëri. Dhunimi që u bëri lirive fetare ishte dhunimi më ekstrem i Stalinit shqiptar ndaj qytetarëve të këtij vendi.
Këtu, sot paraqitet një seri kryeveprash të tjera, një prej të cilave Jerusalemi, themelues i të cilit është familja e autorit të librit. Në udhëtime, vizitori shijon e viziton shumë gjëra në botë, të njohura e të panjohura, por nuk mund të vizitojë asgjë më mbresëlënëse se Jerusalemi, me trashëgiminë, historinë e me ndarjet e tij. Në tërësi jam i bindur se sa më shumë të shkruhet e vizitohet ky qytet, aq më shumë do mund të zgjerohet mirëkuptimi dhe përpjekja për të dalë mbi ndarjet e dasitë e shumta të kohëve të sotme.
Edhe një herë ju falënderoj shumë për praninë tuaj sot, këtu. Dua të falënderoj zotin Balliu për pasionin e madh që ka dëshmuar për të botuar sa më shpjet e mirë veprat tuaja, për të pasuruar në këtë mënyrë, realisht cilësore, bibliotekat e lexuesve të panumërt shqiptarë”.
28/03/2011