E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev

Kryeministri Berisha, në hapje të takimeve zyrtare në Baku, u takua me Presidentin e Republikës së Azerbajxhanit, z. Ilham Aliyev në rezidencën e tij.


Presidenti Aliyev i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha në vizitën e tij të parë zyrtare. Ai theksoi se marrëdhëniet mes të dy vendeve do të forcoheshin ndjeshëm në sajë të kësaj vizite dhe se ishte koha për t’i zgjeruar ato në të gjitha drejtimet. Presidenti Aliyev vuri theksin tek zhvillimet në fushën e energjisë, investimet, sigurinë, bashkëpunimin ndërkombëtar. Ai e falenderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Azerbajxhanit, për postin e anëtarit të Këshillit të Sigurimit.


Kryeministri Berisha çmoi marrëdhëniet miqësore dypalëshe dhe vuri në pah aspektet e ndryshme që të dy vendet ndanin sëbashku në aspiratat për zhvillim dhe demokratizim. Ai theksoi se fryma miqësore e marrëdhënieve politike dhe pozicioni gjeopolitik i të dy vendeve janë faktorë themelorë për një bashkëpunim të frytshëm dhe se kjo vizitë shënon një kapitull të ri në këtë drejtim.


Vend të gjerë në bisedimet zyrtare morën projektet madhore energjetike me interes të përbashkët dhe investimet në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare. Kryeministri Berisha ftoi kompaninë shtetërore të gazit dhe naftës Socar të marrë pjesë në privatizimin e Albpetrolit, si dhe në zhvillimin e masterplanit për ngritjen e rrjetit të transmetimit të gazit në Shqipëri.


Kryeministri Berisha theksoi se projekti për gazsjellësin Trans-Adriatik, TAP, është projekti me fizibël për transmetimin e gazit azer drejt tregjeve europiane dhe me rëndësi vitale për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Europës.


Presidenti Aliyev shprehu interes për mundësitë e mëdha për bashkëpunim dhe investime dhe sugjeroi që të ngrihet një komision i përbashkët ndërqeveritar që do të shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha iniciativat e këtij bashkëpunimi.

Kryeministri Berisha e falenderoi Presidentin për mikpritjen dhe e ftoi të vizitojë Shqipërinë. Në përfundim, Presidenti Aliyev shtroi një drekë për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit zyrtar qe e shoqëron.

Pas takimi mes tyre, Presidenti Aliyev dhe Kryeministri Berisha u shprehën për mediat:

Presidenti Aliyev: Ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe lidhje të forta mes dy vendeve. Unë e kam takuar shpesh Kryeministrin në evente të ndryshme ndërkombëtare, por për herë të parë këtu. Unë e kam ftuar disa herë Kryeministrin dhe jam shumë i gëzuar që e pres sot këtu. Ne kemi diskutuar një spektër të gjerë çështjesh, të bashkëpunimit politik, forcimit të lidhjeve ekonomike, bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe për të gjitha këto çështje,  ne jemi dakord. Unë nuk kam dyshim se pas kësaj  vizite, ne do të shohim zhvillime të shpejta në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, me rezultate të frytshme.

Kryeministri Berisha: Së pari, i shpreh mirënjohjen Presidentit Aliyev për mikpritjen e tij. Unë erdha këtu me objektivin kryesor për të forcuar marrëdhëniet dhe lidhjet midis dy vendeve. Shqipëria e Azerbajxhani janë dy vende miq. Unë kam gjetur të njëjtën klimë, vullnet dhe ndjenja në të gjitha takimet e mia të mëparshme dhe veçanërisht në këtë takim shumë miqësor me Presidentin Aliyev. Unë ftova Presidentin të vizitojë Shqipërinë. Unë jam dakord me Presidentin dhe ne do të punojmë ngushtësisht së bashku për një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike. 

###

Më parë, Kryeministri Berisha bëri një vizitë në monumentin kushtuar heroit kombëtar të Azerbajxhanit, Hajdar Alijev, ish-president i Republikës së Azerbajxhanit, pas shkëputjes nga ish-Bashkimi Sovjetik. Kryeministri vuri një kurorë me lule për nder të ish Presidentit, në një ceremoni solemne në memorial.


Me pas, Kryeministri Berisha vuri një kurore edhe tek monumenti i Zjarrit të Pashuar, në varrezat e dëshmorëve, si dhe nderoi rreth 150 personat e vrarë brenda një nate nga ushtria sovjetike në vitit 1990, në përpjekje për të shtypur pavarësinë e Azerbajxhanit.


09/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›