Kryeministri Berisha takohet me Kryeministrin italian Mario Monti

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë pune në Itali, u prit sot në një takim në Selinë e Këshillit të Ministrave, Palazzo Chigi, nga Kryeministri italian Mario Monti. Në takim merrnin pjesë edhe Ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Aldo Bumçi, ambasadori Italian në Tiranë, zoti Massimo Gaiani, si dhe ambasadori shqiptar në Itali, zoti Llesh Kola.
Gjatë këtij takimi, të dy homologët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve në shumë fusha dhe rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për thellimin dhe zgjerimin e tyre të mëtejshëm, në veçanti zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike dhe rritjen e investimeve italiane në Shqipëri.
Pas takimit, Kryeministri italian Mario Monti dhe Kryeministri Berisha dhanë një prononcim për mediat e pranishme, gjatë të cilit u shprehën:
Kryeministri Berisha: “Së pari dëshiroj të falënderoj shumë përzemërsisht mikpritësin tim, Presidentin e Këshillit të Ministrave të Republikës italiane z. Mario Monti, për rastin që më dha para së gjithash, për të shprehur në emër të qeverisë shqiptare, mirënjohjen më të thellë qeverisë dhe kombit italian, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e vështirë, por të suksesshme të ndërtimit të shoqërisë së lirë të bazuar në vlerat universale, liritë dhe të drejtat e njeriut dhe ekonominë e tregut. Kjo ndihmë ka pasur një rëndësi jetike. Kryeministri Monti përmendi një shifër të viteve të fundit për 260 milion euro, në statistikat e dosjes sime, po të shkojmë me tutje gjejmë një faturë prej rreth 600 milion eurosh, e shndërruar kjo në qindra e qindra projekte, të cilat kanë bërë që Shqipëria sot të jetë një vend tjetër.
Ne kremtojmë këtë vit, 100 vjetorin e pavarësisë së vendi dhe ishte kënaqësi e madhe që një mik të shquar që e kam takuar në vitin 1996, si komisioner në Komisionin Europian, e takoj sot si kryeministër dhe e ftoj të vizitojë vendin tim. Në veçanti nga kjo, një mirënjohje të thellë dua ti shpreh kombit italian, sepse që nga mesjeta deri në ditët e sotme, shqiptarët janë nisur drejt këtij vendi për një jetë më të mirë. Në valët e dikurshme dhe të sotme ata janë sot rreth 1 milion qytetarë të këtij vendi. Kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rilindjen tonë kombëtare dhe kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm sot në rilindjen e dytë kombëtare që kemi, pas rrëzimit të diktaturës.
Me kryeministrin kemi diskutuar bashkëpunimin e shkëlqyer në të gjitha fushat, por ajo që spikat është se me këto që kemi arritur është krijuar një bazë e shkëlqyer për një dimension të ri, për një horizont të ri të madh, të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Shqipëria çdo ditë dhe me shumë bëhet një partner i këtij vendi të madh dhe unë ju garantoj se çdo vit e më shumë do të bëhet një partner i rëndësishme me potencialet e saj.
Diskutuam gjerësisht sesi të inkurajojmë investimet italiane në Shqipëri. Diskutuam për projektet e mëdha energjetike, diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe një theks të veçantë u vu në mbështetjen e Italisë për Integrimin Europian, mbështetej, e cila ka qenë gjithnjë shumë e fuqishme.
Kur i hoqën vizat për shqiptarët kishte nga ata që mendonin se do të shihnin valët e eksodeve, garant kryesor për shqiptarët ishin zyrtarët dhe qeveria italiane, e cila i qetësoi partnerët se kjo nuk do të ndodhë dhe sot Italia na mbështete neve fuqishme në rrugën e integrimit Bashkimit Evropian. Unë duke falenderuar shumë kryeministrin për këtë mbështetej e sigurova që, ne e marrim këtë si një proces të bazuar kryekëput në meritën dhe performancën.
Dhe njëherë faleminderit shumë z. President i Këshillit të Ministrave për pritjen miqësore dhe të ngrohtë që më rezervuat dhe shpreh besimin tim se, do t’ju pres në Tiranë. Deri sot kam pritur të gjithë kryeministrat e këtij vendi mik nga Betino Kraksi , Giulio Andreotti, mos harroni se kam qenë 8 vjet në opozitë dhe jam i bindur se do të pres edhe kryeministrin Mario Monti.
Faleminderit !
Kryeministri Italian Mario Monti: Jam shumë i kënaqur që prita sot në Romë kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha. Ky është viti i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, prandaj i dashur Kryeministër shumë urime nga ana e Italisë për vendin tuaj, i cili ndodhet kaq pranë nesh dhe me të cilin kemi lidhje shumë të ngushta miqësore dhe bashkëpunimi, si dhe ju falënderoj edhe për vizitën që keni bërë sot këtu.
Gjatë këtij takimi bëmë bilancin e marrëdhënieve dypalëshe dhe duhet të them se jemi shumë të kënaqur për këtë. Edhe në vitin 2011, Italia është konfirmuar si partneri i parë ekonomik i Shqipërisë, eksportet italiane drejt Shqipërisë kanë arritur në 1145 milion euro, me një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2010, dhe importet italiane nga Shqipëria kanë shënuar 657milion euro, 14 % më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm.
Vlerësojmë shumë gjallërinë e komunitetit shqiptar në Itali, i cili me pothuajse 500 mijë persona është e dyta bashkësi e huaj në vendin tonë dhe njëra nga më të integruarat. Edhe për këtë motiv, pra për praninë e komunitetit shqiptar në Itali, Italia ka mbështetur fort procesin e liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE.
Megjithë nevojën e vazhdueshme të Italisë për të kufizuar shpenzimet publike, veprimtaria e Bashkëpunimit italian për zhvillimin, në Shqipëri, vazhdon të jetë e konsiderueshme. Në dhjetëvjeçarin e fundit, qeveria italiane ka dhënë një kontribut total në ndihmë të Bashkëpunimit për zhvillim, përmes dhurimit dhe kredive prej 247 milion euro, i cili në 2010 është rritur me një kontribut të mëtejshëm prej 51 milionësh eurosh.
Përsa i përket rrugës së Shqipërisë drejt afrimit në BE, ishte pikërisht kjo rrugë që na ofroi presidentit Berisha dhe mua që isha Komisioner europian, rastin e parë për tu takuar në Bruksel, në vitin 1996, gjatë një vizite të Presidentit Berisha.
Ndër të tjera, gjatë takimit i shpreha kryeministrit Berisha vlerësimin tonë për të gjitha përpjekjet e bëra nga Shqipëria për të përmbushur paketën e reformave të nevojshme për të ecur drejt afrimit me BE. Vullneti i shprehur politik dhe një impenjim i vazhdueshëm nga ana e qeverisë dhe opozitës, janë të domosdoshme për të lejuar Shqipërinë të bëjë progresin e mëtejshëm të kërkuar nga ana e BE. Theksoj se përsa na përket, do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë të fortë në favor të perspektivës evropiane të Shqipërisë.
07/05/2012