E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë Cemil Çiçek

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë Cemil Çiçek.

Zoti Çiçek, pasi i shprehu Kryeministrit Berisha kënaqësinë për këtë vizitë, pohoi marrëdhëniet e ngushta miqësore e vëllazërore midis të dy vendeve e popujve dhe angazhimin e palëkundur për t’i zgjeruar e thelluar ato në të ardhmen. Në këtë kontekst, zoti Çiçek i shprehu Kryeministrit Berisha, mirënjohjen për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në konsolidimin e këtyre marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis të dy vendeve e qeverive.

Kryeministri Berisha i shprehu zotit Çiçek mirënjohjen për kontributin e madh të parlamentit turk, me qindra e qindra dokumente që ai ka miratuar gjatë kësaj periudhe, në mbështetje të Shqipërisë dhe të konsolidimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve e kombeve.

Në takim i rikonfirmua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për t’i promovuar edhe më tej lidhjet e pafundme mes të dy popujve e vendeve dhe për ta çuar në një stad të ri edhe me intensiv bashkëpunimin në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, u vlerësua rritja madhe e investimeve turke në Shqipëri, gjatë 5 viteve të fundit dhe u rikonfirmua vullneti për t’i nxitur edhe më tej ato, çka do t’i shërbejë jo vetëm suksesit të biznesit turk në Shqipëri, por, para se gjithash e mbi të gjitha, interesit të qytetarëve shqiptare, si dhe zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë  shqiptare, e cila gjatë kësaj periudhe ka shënuar një ecuri shumë pozitive, në dallim nga trendi europian e më gjerë.

Kryeministri Berisha i shprehu zoti Çiçek dhe parlamentareve turq mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e pakursyer që ata, parlamenti, qeveria turke dhe Turqia mike i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon. Zoti Çiçek vlerësoi se Shqipëria, me politikat e saj të drejta e te moderuara, është shndërruar në një faktor i rëndësishëm promovues i stabilitetit, bashkëpunimit e miqësisë në rajon.


05/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›