Kryeministri Berisha priti Kryetarin e Bashkisë së Selanikut z. Yiannis Boutaris
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Bashkisë së Selanikut z. Yiannis Boutaris, i cili shoqërohej dhe nga Ambasadori i Greqisë në Tiranë z. Nicolas Pazios.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen Kryeministri Berisha e falenderoi Kryebashkiakun Boutaris, për mikpritjen dhe mbështetjen që qyteti i Selanikut, iu ka dhënë mbi 70 mijë shqiptarëve dhe familjeve të tyre, të cilën jetojnë dhe punojnë sot atje.
Kryebashkiaku Boutaris e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha, për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i rikonfirmoi atij dëshirën e Bashkisë së Selanikut, por edhe të qytetarëve të saj, për të intensifikuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëmbimet ekonomike, kulturore, artistike etj, në dobi të forcimit të miqësisë dhe interesit më të mirë të qytetarëve të Selanikut dhe atyre të Shqipërisë.
Në këtë kontekst Kryetari i Bashkisë Boutaris informoi kryeministrin se gjatë kësaj vizite do të zhvillojë takime me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për të evidentuar të gjitha fushat ku mund të zhvillohet një bashkëpunim intensiv midis Tiranës dhe Selanikut, si edhe do të nënshkruajë marrëveshjen e binjakëzimit me qytetin e Durrësit, e cila parashikon një sërë aspektesh ku pritet të ndërtohet një bashkëpunim frytdhënës midis këtyre dy qyteteve porte të rëndësishëm të Rajonit.
Në takim u rikonfirmua vullneti për të nxitur intensifikimin e investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike të ndërsjella, si një faktor themelor për rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kryebashkiaku Boutaris shfrytëzoi këtë rast, për ti shprehur Kryeministri Berisha dëshirën e tij dhe të qytetarëve të Selanikut, për ta mikpritur Kryeministrin Berisha në Selanik, si mik i madh, i shquar dhe promovues i marrëdhënieve shumë të mira dhe bashkëpunimi të gjithanshëm i miqësisë midis të dy vendeve e popujve fqinj.
04/04/2012