Kryeministri Berisha takohet me Zv/Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, z. Hui Liangyu
- Zv/kryeministri i Kinës Liangyu tha se qeveria kineze ka vullnet të plotë të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Zëvendëskryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, z. Hui Liangyu.
Kryeministri Berisha e falënderoi z. Liangyu për pritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore, duke theksuar se kjo është hera e katërt që vizitonte Kinën, por vizita e tanishme ishte vizita më e mahnitshme. Kryeministri i shprehu mirënjohjen Kryeministrit të Kinës, z. Wen Jiabao, për ftesën e bërë për vizitën zyrtare, por edhe për ftesën për pjesëmarrjen në Forumin e BOAO-s, një nga institucionet më të rëndësishme ekonomike në botë. Duke iu referuar platformës serioze dhe konkrete të paraqitur nga Kryeministri kinez Jiabao në Forumin e BOAO, Kryeministri Berisha tha se optimizmi i Kinës për daljen nga kriza është shumë i rëndësishëm, sepse Kina ka ekonominë e tretë në botë dhe për këtë arsye ka peshë të madhe në mbarëvajtjen e ekonomisë botërore. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se shpresat për një kontribut të Kinës në daljen nga kjo krizë, janë të mëdha.
Kryeministri u ndal dhe në impresionet e tij gjatë vizitës në Shenzhen, duke e vlerësuar atë “një mrekulli të zhvillimit”.
Në takim u diskutua edhe për investimet në Shqipëri, ku Kryeministri Berisha e njohu me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim dhe e siguroi për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet në vend. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se qeveria shqiptare është e gatshme t’i ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, si dhe për t’i krijuar atij gjithë lehtësisë e nevojshme.
Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria dhe Kina kanë lidhje miqësore tradicionale prej 60 vitesh dhe qeveria shqiptare e çmon shumë miqësinë e popullit kinez. Ai nënvizoi faktin që në kohë të vështira, populli kinez e ka ndihmuar shumë kombin shqiptar dhe i shprehu popullit kinez mirënjohjen më të thellë për ndihmën e dhënë.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste kineze morën përsipër dhe realizuan ndryshime të mëdha epokale në vendet e tyre. Duke vlerësuar zhvillimin e madh të Kinës, Kryeministri tha se asnjë vend në historinë e njerëzimit nuk ka arritur të nxjerrë nga varfëria qindra miliona njerëz, si Kina, pas përqafimit të doktrinës së DHP. Kjo përbën një fitore të madhe për Kinën, por edhe për gjithë njerëzimin. Kryeministri tha se ndihej krenar që vizitonte Kinën në Jubileun e 60 vjetorit të marrëdhënieve midis vendeve tona. Shqipëria e sheh Kinwn si faktor stabiliteti dhe paqeje në botë.
Zëvendëskryeministri i Republikës Popullore të Kinës z. Hui Liangyu, i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe vlerësoi kontributin shumë të rëndësishëm të tij në forcimin e marrëdhënieve midis vendeve tona. Gjithashtu, ai e falënderoi Kryeministrin shqiptar për mikpritjen e ngrohtë, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në prill 2006.
Z. Hui Liangyu u shpreh i impresionuar nga zhvillimi i Shqipërisë dhe nga ndjenjat miqësore që ushqen populli shqiptar ndaj Kinës. Ai vuri në dukje mirënjohjen e popullit kinez për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kinës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Mbështetja e Kryeministrit Berisha për popullin kinez dhe kontributi i tij për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, vlerësohet shumë nga qeveria kineze, tha Zv/kryeministri i Kinës.
Duke ndarë të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një niveli të shkëlqyer miqësie, ai theksoi se vizita e Kryeministrit Berisha do t’u japë një vrull të mëtejshëm këtyre marrëdhënieve. Gjithashtu, ai shprehu besimin se në takimet e nivelit të lartë të Kryeministrit Berisha me Presidentin e Kinës Hu Jintao dhe me Kryeministrin Wen Jiabao, në kuadër të kësaj vizite, do të përcaktohen drejtime të reja dhe do të hapet një faqe e re në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Zëvendëskryeministri i Republikës Popullore të Kinës z. Hui Liangyu u shpreh se ekonomia kineze është sot e treta në botë për nga vëllimi, me një rritje mesatare vjetore prej 9.6 për qind dhe rritje mesatare të të ardhurave me 14.1 për qind. Qeveria kineze, shtoi ai, ka vullnet të plotë të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha fushat si; në ekonomi, tregti, teknologji hitech , bujqësi, kulturë etj.
20/04/2009