Kryeministri Berisha takohet me drejtues të Policisë së Shtetit

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me drejtues të Policisë së Shtetit, të cilëve u shprehu falënderimet për përmbushjen me profesionalizëm e dinjitet të detyrës së tyre në datën 21 janar. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Unë erdha këtu t’ju përgëzoj me shumë nderim, me shumë respekt dhe përzemërsisht për detyrën që ju përmbushët me aq trimëri, profesionalizëm e dinjitet. Për pesë orë, ju përjetuat sulme barbare mbi ju. Ndërkohë që ju keni kontributet tuaja historike në të gjitha proceset themelore të këtij vendi. Ju nuk jeni deputetë, politikanë, ministra, as edhe këshilltarë. Ju jeni njerëz të uniformës. Ju garantoj se në arritjet e Shqipërisë, askush nuk ka pasur rëndësi dhe ka luajtur rol më pozitiv se ju. Po marr kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë e jepni në sistemin elektoral të vendit. Kur ju u morët, sipas ligjit, me transportin e kutive të votimit, mori fund çdo lloj diskutimi për këtë proces, që ishte një nga sherrnajat më të mëdha në këtë vend. Unë po marr disa aspekte politike, por që janë thelbësore. Ju keni mahnitur institucionet si motra të vendeve më të zhvilluara me shkallën e lartë të profesionalizmit dhe teknologjive. Kushdo që erdhi për të verifikuar statusin e të gjithë gjendjes për problemin e vizave, janë larguar të mahnitur dhe me raportet më pozitive për kryeministrat e tyre. Ju garantoj që kjo ka qenë një nga faktorët më kryesorë që bëri të mundur një arritje jete për çdo shqiptar, lëvizjes së lirë. Në të gjitha takimet e mia me homologë, unë kisha vetëm një kërkesë ndaj tyre, dërgoni njerëz të shohin gjërat në vend dhe kjo ndodhi rëndom. Dhe ata u kthyen të mahnitur, në vendet e tyre. Disa prej tyre u kthyen, duke ju deklaruar drejtuesve të tyre se ato teknologji që ka instaluar policia shqiptare, nuk i kemi edhe ne.
Në themel të ndryshimit të madh, të suksesit të reformave të tjera është lufta juaj eficente kundër kriminalitetit. Ju garantoj se të gjitha reformat e parlamentit, të kryeministrit dhe qeverisë do të mbeteshin në letër, në rast se ju nuk do të kishit vendosur me trimëri, sakrifica e kurajë ato standarde, të cilat i bëjnë reformat të zbatueshme, në rast se ju nuk do të kishit luftuar me këtë vendosmëri kriminalitetin dhe shndërruar këtë vend, në një nga vendet më të suksesshme, më të sigurta në Europë.
Ju keni qenë një nga garantët më të rëndësishëm të njërës prej lirive më themelore të njeriut, asaj të mbledhjes e protestës. Nga viti 2005 e gjer më sot, çdo lloj proteste paqësore të organizuar nga cilido ka pasur mbrojtjen e plotë e të sigurt tuajën dhe kjo ju nderon. Ne jemi vend, para së gjithash e mbi të gjitha, i lirive dhe të drejtave njerëzore të qytetarëve. Ky është themeli i asaj shoqërie që ne duam për vete, për fëmijët tanë, për qytetarët. Por në mënyrën më të pamerituar, në datën 21 janar u përballët me një sulm barbar mbi ju. Me një sulm barbar. Çdo gur, çdo shkop, zjarr e plumb që u hodh drejt jush, ishin gurë, hunj, plumb për liritë e të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Kjo ishte gjëja më e pamerituar, sepse ju kishit faktuar në qindra raste se aty ku ishit, ju ishit për të mbrojtur protestuesit, për të garantuar e respektuar protestën. Këtë ju e keni provuar, faktuar me qindra e qindra herë.
Në datën 21 janar, kam bindjen se në analizën tuaj, ju dhe gjithë shqiptarët keni dalluar qytetarin nga krimineli, qytetarin nga banditi, qytetarin nga trafikanti, qytetarin nga delinkuenti. Erdhën me mijëra qytetarë për të protestuar, por kur e panë se ky ishte një kurth, nuk u afruan dhe u larguan. Ishin 200-300 persona të paguar, të droguar, delinkuentë, të cilët ndërmorën një sulm barbar kundër jush e institucionit të kryeministrisë. Një skenar puçi i shpalosur ditën për drekë, por një puç i dështuar në mënyrën më të turpshme. Dua t’ju them se çdo e keqe ka edhe anën tjetër të saj. Dhe ana tjetër ishte se ju dëshmuat pathyeshmërinë e institucioneve tona. Kurrë ndonjëherë nuk kam marrë një mori të pafundme mesazhesh, në të cilat, pa përjashtim në të gjitha, thuhej se ju jeni heronj të vërtetë. Ju vërtet mbrojtët një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, por ju mbrojtët çdo qytetar shqiptar, mbrojtët pronën e çdo qytetari shqiptar, çdo biznes shqiptar. Biznesmenët më kanë ndërguar me dhjetëra e qindra mesazhe, ku shpreheshin se ne prisnim se, në qoftë se do të merrnin kryeministrinë, ata do merrnin bizneset tona. Të rinjtë në rrugë u goditën barbarisht. Atyre po u respektohej e drejta e protestës, ndërsa ata nuk mund tua respektonin palës tjetër, se ishin banditë.
Gjithçka që ndodhi mbi ju ishte goditje fizike dhe psikike, goditje në ndërgjegjen shoqërore dhe njerëzore të çdo qytetari shqiptar. Por ajo çka kam parë ishte një dashuri e jashtëzakonshme nga qytetarët për ju dhe një solidaritet të paimagjinueshëm për ju. Dhe kjo normale, sepse një shoqëri e lirë nuk mund të jetë ndryshe. Ata burra që kafshërisht gjuheshin me gurë nga njerëz të paguar, ata njerëz të uniformës, janë njerëz të flamurit, janë etër, janë bij dhe kishin asnjë lloj qëllimi tjetër përveç mbrojtjes e garantimit të së drejtës së protestës.
Aspekti më i shëmtuar, edhe më i shëmtuar se vetë dëshira e organizatorit të saj për të ardhur me forcë në karrigen e kryeministrit, ishte sepse ky shok ishte ndryrë në kullën përkarshi. Dua t’ju informoj se drejtuesit tuaj, të cilët kanë një komunikim konstant për të gjitha problemet me të, në mënyrë të përsëritur bënë gjithçka që të komunikonin me të, por që as ua hapi telefonin dhe as ua ktheu mesazhin. Përkundrazi, kishte shfrytëzuar elemente të inkriminuar dhe banditë, fatkeqësisht edhe të tillë që ka qenë me uniformë si një nga organizatorët e asaj batërdie të madhe mbi ju. Ju them të vërtetën. Kryeministrinë ju e mbrojtët si heronj, por kryeministrinë nuk e merrnin dot, as edhe një centimetër të saj, sepse çdo njeri që do të guxonte të vinte rreth saj, do të gjente vetëm një përgjigje, atë që nuk do mund ta mendonte më kurrë për të ardhur. Aty brenda, ishim ne, ishte stafi im, oficerët e mi, gardistët. Ajo nuk merrej, se ishte e mbrojtur nga të katër anët, nga soleta gjer në tokë.
Ana më e shëmtuar ishte që ky njeri 5 orë rresht komandonte falanga krimi që gjuanin mbi ju, në mënyrën më barbare. Por ju treguat trimëri të madhe e profesionalizmin më të lartë. Unë e kuptoj se ajo ka qenë sakrificë e madhe. 5 orë nën zjarr, goditje gurësh, shkopinjsh. Por, nga ana tjetër, ju keni mahnitur shqiptarët me pathyeshmërinë tuaj, keni mahnitur të huajt, të cilët kanë qenë afër jush duke ju ndjekur. Ata kanë hequr kapelen për ju, kur kanë parë burrërinë, trimërinë, guximin e profesionalizmin tuaj.
Ky ishte një grusht shteti, ditën për drekë, në orën 14.00 të ditës. Në darkë, unë deklarova se kush të donte të protestonte dhe se unë absolutisht mbetem i vendosur gjer në fund të jetës sime të respektoj çdo të drejtë të qytetarëve. Por nëse përdorin dhunën, do të hasin dhunën. Në mëngjesin e 21 janarit kam thirrur ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Policisë dhe u kam thënë e di që policia ka krijuar traditën e shkëlqyer të mbrojtjes së protestuesve e të shmangies të çdo lloj provokimi, jini të vetëkufizuar, por, në rast se shpërthen dhuna, natyrisht do të reagohet me të gjitha mjetet ligjore të paraparë. Kjo ka qenë e gjithë porosia ime.
U tha se populli do të dalë mbi Kushtetutën. Populli tregoi se nuk e kishte ndërmend kurrë të dilte mbi Kushtetutën. Ka qenë një garë presidenciale historike në llojin e saj, nga ana e të drejtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur Al Gore fitoi më shumë vota se George W. Bush dhe natyrisht, partitë, parti janë. Kjo u përjetua si fitore, por jo president, sepse siç është rregulli atje, me më shumë vota kolegji fitoi Presidenti Bush. Al Gore, me gjithë presionet, doli u tha amerikanë kjo është kështu, por ne kemi një themel, i cili përbën themelin e të gjitha lumturive tona, të të gjitha të drejtave tona dhe kjo është Kushtetuta. Nuk ka asgjë tjetër veçse të respektohet kushtetuta që thotë se ai që merr vota kolegji më shumë është president dhe e mbylli kapitullin. Në rastin tonë, ka një koalicion, i cili fitoi më shumë vota dhe bëri edhe një koalicion me një parti tjetër, i cili ju them se edhe para një muaji ka qenë me 54 përqind mbështetje, por kjo nuk ka rëndësi, ka ardhur në mënyrën më legjitime. Ky është rregulli. Një herë vjen një parti, një herë tjetra. Kjo është alternanca.
Në 87 vjet, ky është rasti i dytë i grushtit të shtetit, por kësaj here totalisht i dështuar. Ne jemi vend anëtar i NATO-s e nuk mundet kush, as nga jashtë e as nga brenda, të minojë këtë sistem. Ndaj gjë më të turpshme nuk ka, por të jeni të sigurt se ju keni mbrojtur në mënyrën më dinjitoze vlerat e lirisë e të demokracisë qytetare. Një qeveri demokratike mund të përmbyset nga një invazion nga jashtë dhe kjo në Shqipëri nuk mund të ndodhë kurrë, se jemi vend i NATO-s dhe nuk ka forcë në botë që të thyejë NATO-n. Rruga e dytë e vetme është puçi dhe kjo, natyrisht, nuk mund të ndodhë se e faktuat ju, se si ia dolët të bllokoni një skenar që synonte të kalonte nga kryeministria, tek parlamenti, tek Televizioni Shqiptar dhe më pas ministritë, por ishin të parëndësishme. Ky është skenari, e dinim të gjithë.
Dua të them disa gjëra e këtë jua them për shkak të sakrificës së tmerrshme që ju bëtë e do të bëni dhe që shqiptarët e panë me sytë e tyre. Ky puç nuk është tërësisht i izoluar. Nuk është vetëm zotëria që qëndroi 5 orë. Në qoftë se mua më del situate nga dora, unë kërkoj ndihmë dhe nuk kam pse të mos i përgjigjem komandantëve të policisë dhe t’u them se nuk po e kontrolloj. E kundërta ishte. Urdhëroi çdo veprim që u bë. Kjo është njëra anë. Por janë dy aspekte të tjera shumë të rënda. Agjencia, e cila është përgjegjëse kryesore për informacionin për rendin kushtetues të vendit, në të cilën taksapaguesit shqiptarë paguajnë 1000 burra e gra, i dha Drejtorit tuaj në datën 20 janar, zero informacion. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë dhe përbën një akt të paprecedent. Ndërkohë kur, ju garantoj se nga kryepleqtë e Shqipërisë kam marrë me qindra informacione se po rekrutohen njerëz, po shpërndahen lekë, po jepen 1000-1500 lekë për transportin dhe 20-30 mijë lekë (të reja) për goditjen me gurë. Kurse kjo Agjenci u shurdhua dhe u verbua, me mekanizmat që parlamenti do t’i nxjerrë në shesh.
Së dyti, në një grusht shteti ju keni qenë heronj, sepse në qoftë se kishte tejkalime, më të papranueshmet mbi tokë u bënë kundër jush. Ndërsa ju patët vetëpërmbajtjen më absolute, profesionalizmin më të lartë dhe unë kryeministri juaj qëndrova aty, me ju. Unë dola dhe u deklarova shqiptarëve se pati një tentativë për të marrë pushtetin me dhunë e kjo ishte evidente, janë vrarë tre persona, ka këto të dhëna paraprake që mi dha spitali ushtarak, i bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërmarrë menjëherë hetime për të zbardhur të vërtetën, urdhërova Sekretarin e Përgjithshëm të kryeministrisë për t’i dhënë të gjithë sistemin video të kryeministrisë, për të gjetur rrethanat si ndodhi, u vranë nga demonstruesit apo i vrau ushtari i Gardës, të cilin po shkonin ta vrisnin e këto janë rrethana që studiohen. Në mënyrën më të befasishme, dje u shfaq faza e dytë e grushtit të shtetit. E kjo fazë ishte lëshimi i urdhrave të arrestit për të gjithë zinxhirin e komandës së Gardës dhe ministrit iu tha rregullo letrat e tua. Unë vetë gjënë e parë që kërkova ishte t’i drejtohesha prokurorisë për hetim, aty ku është viktima, ku ndodhi, si ndodhi, për cilindo. Edhe për superkillerin e kriminelin që përpiqej nga qelia ku është të organizonte, po ta vrisnin do të bëhej hetim, pasi jemi vend i lirë dhe këto janë rregullat, të cilat ne i ndjekim. Por që të bësh dënim kolektiv për t’i çliruar krahët bandave që të sulmojnë edhe një herë kryeministrinë, kjo tregon se je pjesë e një skenari. Kryeministrinë nuk e marrin dot kurrë ata, se e mbroni ju, e mbrojnë punonjësit e kryeministrisë, e mbrojnë rojet e kryeministrisë. Ky institucion nuk merret dhe nuk ka institucion që do mund të merret. Ai që synon të marrë institucionet do të gjejë fundin fatal të tij. Janë institucione të një shteti demokratik, janë institucione të një vendi të NATO-s. Ne garantojmë çdo liri e të drejtë, por jo të djegin institucionet. Kjo krijoi një situatë jashtëzakonisht të rëndë, të dekapitoje Gardën, të lëshosh mandate arresti kolektiv dhe pa asnjë hetim, zero hetim. U mor rregullorja dhe u vendosëm arrestet. Shqiptarët duhet ta dinë se i vetmi dokument për arrestet ka qenë rregullorja e Gardës, e cila ka hierarkinë e komandës në Gardë. U kap zinxhiri i komandimit, i pari, i dyti, i treti, i katërti, i pesti dhe të gjithë më arrest. Situatë e paimagjinueshme për të gjithë ata që e dëgjuan. Ministri i tha, zonjë secili do të vijë të hetohet, por i lirë jo në arrest, pasi, në qoftë se i arrestojmë kolektivisht, me kë do t’i mbrojmë institucionet.
Ne u detyruam të mbledhim parlamentin, pasi biseda telefonike e Drejtorit tuaj me kreun e institucionit, së cilës i tha, i ke urdhër arrestet me lapsuse, ndaj po t’i kthej, korrigjoji e mi sill të korrigjuara. Më pas, del zotëria dhe deklaron se prokurorisë i është kthyer përgjigje se urdhër arrestet janë me lapsuse. Zonjë, ju jeni aty për të bërë ligjin e jo për t’u bërë pjesë e puçit dhe opozitës, pasi nuk prish punë, por prish institucionin. Në këto rrethana, unë i kam kërkuar vendeve mikë të na ofrojnë ekspertët më të mirë, në mënyrë që të hetohet. Nuk kemi asgjë për të fshehur, zero. Në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shteti nuk mund të kalojë. Kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë! U vranë tre, të hetohet. Mund të ishin vrarë 30 apo të gjithë ata që hynë brenda gardhit. Garda ka një urdhër, herën e parë në ajër, herën e dytë në objekt. Ky është rregulli i Gardës. U soll edhe makina për të hapur derën e kryeministrisë dhe jo për të bërë guidim. Kjo është situata. Fillimisht, nuk ishte shumë e qartë, por tani del mjaft e qartë. Por unë dua të garantoj shqiptarët se ne disponojmë të gjitha mjetet për mbrojtjen më demokratike të institucioneve tona, të hapur për çdo lloj hetimi, të vendosur për të respektuar çdo të drejtë. Por dua t’jua them edhe juve këtu, ai që rrethoi 5 orë kryeministrinë për të marrë karrigen e kryeministrit, po tentoi herën e dytën, në mënyrë absolute do të gjejë atë që nuk do të mund të tentojë më kurrë në histori. Unë nuk jam njeri që të hedh gurin e të fsheh dorën. Kjo është jashtë çdo morali, jo vetën në të gjithë kodin tim moral, por edhe më tutje se ai. Unë nuk pranoj të hedh gurin e të fsheh dorën. Unë direkt të them mos tento më të rrethosh institucionin, mos tento më të shkelësh Kushtetutën se ke bërë një gabim fatal. I ke nxirë në mënyrën më të pamerituar imazhin këtij vendi që sivjet ishte shpallur destinacioni turistik i botës. Tani uroj që të nxjerrë të gjitha rrjedhojat ai, zotëri. Ju ftoj të mos keni asnjë ndikim politik dhe këtë e keni dëshmuar dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha. Por kur shihja ish oficerin e policisë që drejtonte bandat kundër jush, ai duhet ta dijë mirë se kurrë ndonjëherë nuk do të mund të shpëtojë nga akti i tij, sepse 4-5 vjet më parë, ai ishte njëri prej jush, bëri gabim e doli në lirim, por sërish këtë nuk duhet ta bënte kurrë. Merita juaj është e jashtëzakonshme. Nuk po them asgjë më shumë se atë që kanë thënë me gjithë zemër të gjitha nënat, motrat, gratë, burrat, të moshuarit, fëmijët, të rinjtë shqiptarë, jeni heronj të vërtetë. Ju falënderoj me shumë mirënjohje për punën e shkëlqyer që keni bërë.”
24/01/2011