Komiteti i Planifikimit të Strategjive mblidhet për planin e buxhetin afatmesëm

- Kryeministri Berisha theksoi se qeveria vazhdon me detyrat e saj, ndonëse puçistët po vazhdojnë me skenarët e tyre të dështuar, të cilat do të marrin përgjigjen e merituar
- Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë se një një hetim i ndershëm dhe i paanshëm i zhvillimeve para kryeministrisë, më 21 janar, është i domosdoshëm. Ai i ka kërkuar vendeve mike të ndihmojnë me ekspertë të tyre në hetimin e plotë të të gjitha rrethanave
- Kryeministri Berisha e cilësoi këtë buxhet si një perspektivë e shkëlqyer dhe që parashikon mundësinë reale buxhetore për të realizuar të gjitha objektivat e kësaj qeverisje deri në ditët e fundit të mandatit të saj, që në vitin 2017 Shqipëria të listohet me vendet e zhvilluara të botës
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, gjatë së cilës u diskutua për planin e buxhetit afatmesëm.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria vazhdon me detyrat e saj, ndonëse puçistët po vazhdojnë skenarët e tyre duke kërkuar që të djegin e tymosin vendin, institucionet demokratike dhe të ardhmen evropiane të qytetarëve shqiptarë. Kryeministri u shpreh se në dy ditët e fundit puçistët po përdorin skenarin B, por që është më i trishtë, më i mjerë dhe më i dështuar sesa skenari A i tyre.
Duke u ndalur në urdhrin e radhës së Prokurorisë së Përgjithshme, që pasi ka urdhëruar dje vënien nën arrest të të gjithë zinxhirit drejtues të Gardës së Republikës, sot ka urdhëruar ndjekjen në gjendje të lirë të personit që është filmuar dhe fotografuar nga media shqiptare dhe të huaja me revolver në brez, tek dera e Kryeministrisë, Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë se një një hetim i ndershëm dhe i paanshëm i zhvillimeve para kryeministrisë, më 21 janar, është i domosdoshëm. Kryeministri u shpreh se i ka kërkuar vendeve mike të ndihmojnë me ekspertë të tyre në hetimin e plotë të të gjitha rrethanave.
Gjithashtu, Kryeministri garantoi qytetarët shqiptarë se Edvin Kristaq Rama, i cili tregoi se është i gatshëm të djegë gjithçka për të marrë karrigen e kryeministrit, si dhe çdo puçist tjetër do të marrë përgjigjen e merituar të puçistit.
Më tej, Kryeministri Berisha kaloi në temën më të rëndësishme të mbledhjes së sotme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive, në planin e buxhetit afatmesëm. Kryeministri Berisha e cilësoi këtë buxhet si një perspektivë e shkëlqyer dhe që parashikon mundësinë reale buxhetore për të realizuar të gjitha objektivat e kësaj qeverisje deri në ditët e fundit të mandatit të saj.
Më anë të këtij buxheti, - u shpreh Kryeministri, - realizohet, para së gjithash dhe mbi të gjitha, rritja progresive e pagave dhe pensioneve; nxjerrja nga varfëria ekstreme e familjeve që janë në mjerim; garantohet transformimi cilësor i shërbimit shëndetësor; mbështet fuqishëm shkollimi i fëmijëve; infrastrukturë rrugore moderne; realizimin e projektit Shqipëria dixhitale; mbështet fermerin shqiptar dhe bëhet i mundur shumëfishimi i drurëve frutorë, etj.
Kryeministri nënvizoi, gjithashtu, se ky buxhet mbështet fuqishëm turravrapin e Shqipërisë drejt një vendi të zhvilluar, që në vitin 2017 do të listohet me vendet e zhvilluara të botës. Ky projekt,- u shpreh Kryeministri, - është përgjigja më e shkëlqyer për puçistin dhe puçistët, është përpjekja më e ndershme për të ardhmen e këtij vendi dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptarë.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zotërinj ministra,
Të nderuar të anëtarë të Komitetit të Planifikimit të Strategjive,
Ndonëse puçistët vazhdojnë skenarin e tyre, ne do të vazhdojmë detyrat tona si qeveri. Them vazhdojnë, sepse Prokurorja e Përgjithshme që në një hark kohor prej 6 orësh, pa asnjë hetim, ka urdhëruar dje vënien nën arrest të të gjithë zinxhirit të Gardës së Republikës, sot ka urdhëruar ndjekjen në gjendje të lirë të njërit prej kryeterroristëve dhe kryebanditëve, të personit që është filmuar dhe fotografuar nga media, shqiptare dhe e huaj, me revolver në brez tek dera e kryeministrisë. Pas dështimit në fazën A të grushtit të shtetit, një përpjekje në të cilën Edvin Kristaq Rama në një çmenduri të papërmbajtur për pushtet u vërsul për ta marrë atë me dhunë pas 87 vitesh në këtë vend. Për të marrë pushtetin rrethoi për 5 orë rresht Këshillin e Ministrave dhe Kryeministrin me kriminelë, banditë, trafikantë, delinkuentë. Për 5 orë rresht priste me padurim nga lokalet e Fidelit që të mund të vinte dhe të ulej në karrigen e Sali Berishës me bashibozuke dhe banditë. Për 5 orë rresht fërkonte duart nga gëzimi, hidhej dhe vetë pas çdo guri që kërciste mbi kokat e trupat e oficerëve të policisë dhe gardistëve të vendit, e pas çdo bombe molotov.
Unë dua t’i them zonjës Prokurore të Përgjithshme se ajo Gardë Republike që ti kërkon ta dekapitosh për qëllime të tuat të mbron edhe ty, ka detyrë të të mbrojë dhe ty, të ka mbrojtur dhe do të të mbrojë sërish, të jesh e sigurt, deri sa të mbash atë post.
Dua t’i them Edvin Krisaq Ramës që u deklaroi shqiptarëve se do të thërriste për protestën kundër horrave të gardës, se ata janë heronjtë e këtij vendi. Ata policë që ti i gjuaje me gur, me hunj, me zjarr, janë heronjtë e vërtetë të këtij vendi. Ndërsa ju që ngriheni për karrigen tuaj dhe përpiqeni të digjni demokracinë e këtij vendi do të digjeni vetë. Ju dhe ata që e vazhdojnë puçin me këtë skenar.
Unë dua të garantoj qytetarët shqiptarë se puçistët nuk kanë të ardhme. Ftoj çdo të ri shqiptar të kuptojë se mbi Policinë e Shtetit dhe mbi Gardën e Republikës çdo gur, çdo plumb, çdo shishe molotov nuk u hodh nga askush tjetër përveç se nga Edi Rama, i cili rrinte prapa xhamave të zinj të klubit të Fidelit dhe komandonte banditët në shesh tek sa sulmonin njerëzit e rendit, njerëzit e jetës, njerëzit e sigurisë.
Unë dua tu them nënave dhe motrave shqiptare se vëllezërit tuaj, djemtë tuaj para dhe rreth kryeministrisë, që po ju mbronin ju, vullnetin dhe rendin tuaj i ka goditur Edvin Kristaq Rama me një qëllim të vetëm: të marrë karrigen e Sali Berishës, karrigen e kryeministrit.
Unë dua tu them nënave dhe motrave shqiptare se ai një akt të tillë nuk e ka për gjë. Sepse ky njeri, i cili i ka mohuar djalit të tij kafshatën e gojës për 10 vjet rresht, pasi nuk i njihte atësinë dhe akuzonte të atin për baba të djalit e nuk pranonte të bënte analizën, është i aftë të bëjë çdo gjë me fëmijët, me vëllezërit, motrat dhe vajzat tuaja, atë që bëri me gjimnazisten në bulevardin e Tiranës.
Unë dua tu them të rinjve shqiptarë se ky njeri që bëri gjithçka për t’ju lënë ju pa viza për në Evropë; që organizoi çdo gjë që ju të mos ishit më zogj të lirë siç jeni sot; ky njeri me çdo gurë, me çdo hu e me çdo zjarr nuk ka gjë tjetër veçse të djegë të ardhmen tuaj. Por këtë s’do mund ta bëjë kurrë.
Unë dua tu them shqiptarëve se ky është skenari B. Nga dje deri më sot vazhdon skenari B i puçit, por ky është më i trishtë, më i mjerë, më i pafat, më i dështuar sesa skenari A. Në skenarin A puçistët ishin të mirëpërgatitur, ishin të armatosur, të droguar, të stërvitur dhe me besim të plotë se do të pushtonin institucionet, se do të merrnin pushtetin që nuk ua dha populli, ndërsa plani B janë përpëlitjet e turpshme.
Ndaj dhe unë dua të informoj se, pavarësisht nga gjithë kjo që ndodh, për demokracinë shqiptare është i domosdoshëm një hetim i ndershëm dhe i paanshëm i zhvillimeve para kryeministrisë. Unë i kam kërkuar vendeve mike të ndihmojnë me ekspertë të tyre në hetimin e plotë të të gjitha rrethanave. E kam theksuar dje dhe e theksoj sërish se në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë njeri, por në një grusht shteti mund të vriten 3, 5, 30, mund të vriten të gjithë ata që synojnë të përmbysin me dhunë një qeveri të ligjshme. Ky është rregull. Rregulli është që një qeveri e ligjshme nuk mund të përmbyset kurrë me dhunë.
Unë, sërish, dua t’i kujtoj Edvin Kristaq Ramës, i cili pasi ka organizuar krimin më të shëmtuar në historinë e këtij vendi, përpjekjen për të përmbysur me dhunë një qeveri legjitime, çdo ditë nga dritarja e tij ka dëshmuar se nuk ka as edhe një milimetër pendesë dhe tërheqje, se në rast se vazhdon kështu do t’i ketë kohërat më të vështira që mund të imagjinojë. Unë dua ta garantoj atë se ai dhe çdo puçist tjetër do marrë përgjigjen e merituar të puçistit. Nuk kam shkuar më tutje, ndonëse ekzistojnë të gjitha mjetet dhe mundësitë, sepse kam menduar, mendoj dhe besoj, se hetimi do të nxjerrë në dritë gjithçka dhe se puçisti do të nxjerrë mësimin e duhur që kurrë më puç nuk mund të imagjinojë.
Njeriu i zhveshur nga çdo lloj morali mbi tokë u dëshmoi shqiptarëve se është i aftë të vërë në zjarr gjithçka për karrigen e tij. I bëri vendit një dëm të padiskutueshëm. Vendi që ishte në shkëlqimin e tij më të madh si destinacion turistik kryesor i botës dhe shqiptarët që lëviznin të lirë në mbarë botën detyrohen të lakohen, se kreu i opozitës desh të merrte pushtetin me dhunë dhe se së bashku me të segmente të tjera të pushtetit komplotuan kundër një qeverie demokratike. Janë të pashpresë. Po të duan le të vazhdojnë puçin, ne do të vazhdojmë qeverisjen. I garantoj qytetarët se në çdo rast, në çdo lëvizje, puçistët do marrin përgjigjen që meritojnë.
Zonja që liron njeriun që u vërsul me pistoletë drejt gardistëve, të cilët e mbrojnë, duhet të ketë të qartë se ka hyrë në ujëra shumë të gabuara dhe se nuk është ky zbatimi i ligjit. Nuk është kjo mënyra e zbatimit të ligjit për të cilën kanë votuar qytetarët shqiptarë. Të kërkosh arrestimin e komandantit të Gardës së Republikës dhe atyre që mbrojtën institucionet, dhe të lirosh banditin që i vuri zjarrin institucioneve, dëshmon se nxjerr veten shumë keq para shqiptarëve dhe botës. Megjithatë, në këto rrethana të vazhdimit të skenarit B, unë kam kërkuar dhe kërkoj ndihmën e vendeve mike për një hetim të plotë. Unë, siç e dini dhe e keni dëgjuar, ditën e parë i kërkova prokurorisë së shtetit të nisë menjëherë hetimin për të sqaruar të gjithë rrethanat. Me video të ndryshme shfaqen pamje, të cilat duan të dëshmojnë se protestuesi është vrarë nga protestuesi. Nuk them asgjë. E vetmja gjë që them është se duhet të hetohen. Duhet të jenë ekspertët e balistikës, ekspertët e paanshëm, njerëzit e zot e të ndershëm dhe jo gojë-pisët, jo puçistët që kërkojnë arrestin e arrij që mbrojti dhe ishte i vendosur të mbronte me jetën e tij institucionet, jo ata që kërkojnë lirimin e atij që sulmoi si bandit institucionet. I them Edi Ramës se bazimi në këto segmente është shumë i gabuar dhe veçse sa e thellon krimin tënd të shëmtuar. Unë të kërkoj edhe një herë që hiq dorë nga vazhdimi i puçit, sepse tentativa e dytë do të mund të provohet fatale për ty dhe të gjithë ata që të ndjekin në këtë rrugë.
Ne vazhdojmë dhe një nga temat e rëndësishme të mbledhjes së sotme të Komitetit të Planifikimit të Strategjive është plani i buxhetit afatmesëm, i cili është një perspektivë e shkëlqyer. Ky plan parashikon mundësinë reale buxhetore për të realizuar të gjitha objektivat e kësaj qeverisje deri në ditët e fundit të mandatit. Ky plan parashikon për të realizuar, para së gjithash dhe mbi të gjitha, rritjen progresive të rrogave dhe pensioneve të qytetareve shqiptarë. Qytetarët dhe pensionistët shqiptarë e meritojnë dhe ne do të bëjmë çdo gjë që 800 mijë familje me rroga dhe pensione nga shteti të kenë rritje të përvitshme të të ardhurave të tyre personale. Ne kemi shpallur si objektiv që këtë 3 vjeçar të kalojmë më shumë se dy vende të Bashkimit Evropian për sa u përket rrogave dhe pensioneve. Kjo është e domosdoshme dhe është një politikë konstante. Ne këtë e kemi realizuar çdo vit dhe do ta realizojmë.
Ne kemi shpallur se viti 2012 do të jetë viti pa të mjerë në Republikën e Shqipërisë. Së shpejti ne sjellim një ligj të ri në Parlament. Ne kemi krijuar një regjistër të ri dixhital. Nuk do të kenë më familje shqiptare në mjerim. Të varfër do të ketë, sepse ka në të gjithë botën dhe varfëria ka një shkallë, një vlerësim të përshkallëzuar dhe të ndryshëm, sipas vendit.
Buxheti afatmesëm garanton një transformim cilësor të shërbimit shëndetësor. Ne jemi të vendosur që brenda këtij viti të instalojmë mekanizmin e ri financiar në sistemin shëndetësor. Ne kaluam ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Ne, tani, pas protokolleve dhe udhërrëfyesve do të bëjmë në një kohë rekord kostifikimin për gjithçka dhe çdo gjë që ka të bëjë me shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve shqiptarë. Sikundër, ne do të bëjmë dixhitalizimin e plotë të sistemit shëndetësor. Ky dixhitalizim jep mundësi të mëdha dhe të jashtëzakonshme për përdorim më efiçent, menaxhim shumë më eficent të burimeve financiare dhe kjo do të thotë cilësi. Asgjë më shumë se menaxhimi nuk është e lidhur me cilësinë në çdo fushë.
Ne, në buxhetin tonë afatmesëm, mbështesim fuqishëm shkollimin e fëmijëve tanë. Ata janë e ardhmja. Ashtu si do t’i shkollojmë ata sot, do të jetojmë ne të gjithë nesër. Kjo është e ardhmja që një bllokmen i shndërruar në puçist kërkon tua djeg me bomba molotov. Ne do të bëjmë gjithçka që me mekanizimin e ri financiar që do të instalojmë në sistemin e arsimit të lartë të mund të ndjekim dhe mbështesim cilësinë.
Unë ju garantoj se në çdo hallkë të arsimit tonë, tani që kemi arritur parametrat më të shkëlqyer sasiorë, ne do të rendim me vendosmëri dhe pasion të papërmbajtur drejt cilësisë dhe vetëm cilësisë.
Zonja dhe zotërinj,
Buxheti ynë afatmesëm është buxheti i projekteve të mëdha, buxheti i turravrapit të Shqipërisë drejt një vendi të zhvilluar. Ne kemi marrë përsipër dhe këtë dekadë e kemi dekadën e Shqipërisë - vend i zhvilluar. 2017 do të jetë viti kur ky vend, i cili ishte në honet e mjerimit botëror, do të dalë e do të listohet me vendet e zhvilluara të botës. Në këtë rrugë dhe këtë drejtim një Shqipëri moderne në infrastrukturë është kushti sinequanon. Ndaj dhe i tërë buxheti, të gjitha burimet financiare, do të jenë në funksion të - Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017. Shqipëria i ka të gjitha potencialet, por shfrytëzimi i tyre kërkon infrastrukturë, kërkon rrugë, energji, ujë. Asnjë nga këto, përveç rrugëve, nuk i mungojnë. Dhe rrugët ne po i ndërtojmë. Ne po ndërtojmë rrugë dhe po i ndërtojmë me filozofinë më të drejtë. Ne ndoshta jemi nga më të paktat vende në botë që projektin e infrastrukturës po e bazojmë në konstanten kohë. Kursejmë kohën, më të çmueshmen për njeriun. Ndaj po bëjmë dhe do të shpenzime të mëdha që koha e shqiptarëve për të ardhur në Tiranë të jetë, së paku, 2 herë më e shkurtër se sa ajo që është sot. Ne besojmë se njeriu me kohën e vetë mund të bëjë më të mirën, më të çmuarën.
Ne me këtë buxhet mbështesim fuqishëm një projekt që vetëm para 3 - 4 vitesh ishte një ëndërr e largët. Atë edhe po ta citoje si ëndërr, krijonte nënqeshje. Ky është projekti “Shqipëria dixhitale”. Ne kemi të gjithë potencialet që në këtë buxhet afatmesëm të kalojmë ndjeshëm mbi mesatare evropiane në shkallën e përdorimit të internetit. Unë jam jashtëzakonisht i inkurajuar me nivelin shumë të lartë të përdorimit të internetit. Ne lamë pas 17 vende anëtare të Bashkimit Evropian në shkallën e përdorimit të facebook. Pasioni i të rinjve shqiptarë për internetin është i pakufishëm. Ajo çka ne do të bëjmë është t’i garantojmë ata për internet me bandë supet të gjerë, të shpejtësisë më maksimale që ekziston. Ne po përfundojmë në të gjithë rrjetet e tensionit të lartë skeletin e kurrizores kombëtare për internet me bandë super të gjerë. Ne do të kontraktojmë, së shpejti, koncesionarin dhe çdo familje shqiptare, çdo i ri shqiptar do të ketë mundësi të lundrojë në internet njëlloj si çdo i ri i vendit më të zhvilluar të botës për sa i përket shpejtësisë së internetit.
Qytetarët shqiptarë i rëndon tarifa e operatorëve celularë. Ministi Pollo ka ndërmarrë një takim me operatorët dhe e ndërmori pasi konsulentë ndërkombëtare faktojnë ekzistencën e tarifave të papranueshme. Unë i ftoj operatorët të arsyetojnë. Sikundër, garantoj shqiptarët se Kryeministri i vendit do të përdorë të gjitha mjetet ligjor për të mbrojtur interesat e tyre. Nuk mund të ketë asnjë lëkundje.
Shqipëria e zhvilluar është Shqipëria e industrive të mëdha, ë cilat janë në ndërtim dhe po ndërtohen. Shqipëria e zhvilluar është Shqipëria e prodhimeve të gjithanshme. Ky vit, që për vende të tjera është faktuar një vit krize ekonomike, për Shqipërinë është viti i bumit më të madh në historinë e saj për eksportet e vendit. Shqipëria e mbylli vitin e shkuar me 60 përqind rritjen e eksportit. Nuk di ndonjë vend tjetër që të ketë dyfishuar eksportet e tij në dy vjet, siç do të ndodhë me Shqipërinë.
Janë të gjitha këto perspektiva që një puçist përpiqet me gur, me hunj, me zjarre, t’i tymosë, t’i djegë. Por kështu ai del gjithnjë e më shumë se çfarë përfaqëson dhe se cili është.
Natyrisht, një njeri që për 10 vite i ka mohuar kafshatën e gojës djalit të tij të vetëm nuk ka asgjë që e ndalon për të bërë çdo gjë për të keqen e çdo njeriu në vend. Por le të rrijë në të keqen e tij.
Ky buxhet afatmesëm është një buxhet, i cili do të mbështesë fuqishëm fermerin shqiptar.
Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë,
Ne kurrë ndonjëherë nuk do mund të flasim për një Shqipëri vend të zhvilluar, pa nxjerrë tërësisht fshatin tonë nga infrastruktura e tij mesjetare. Unë ju them, askush nuk duhet të çuditet, se në 91 komunat që akoma nuk i kemi lidhur me akset kombëtare, të cilat kur erdhëm në pushtet ishin rreth 260, të gjithë ata qytetarë udhëtojnë me rrugë, disa prej tyre, të mesjetës. Se njerëzit kanë udhëtuar në të gjitha kohërat, me kuaj, me mushka, dhe ku ka qenë e mundur dhe me qerre. Pra akoma i kemi në këtë stad, por ne jemi të vendosur që çdo fshati të këtij vendi t’i japim infrastrukturën që kanë lagjet e qytetit. Ky projekt do të vazhdojë me insistimin më të madh.
Sikundër, ne jemi të vendosur që të dhjetëra e qindrafishojmë drurët frutorë në këtë vend. Pak ditë më parë unë isha në Milano dhe u takova me përfaqësues të kompanive më serioze të Milanos dhe të botës. Ata u shprehën për diçka që unë e kam shumë të qartë, se arroret e Shqipërisë japin frute më të shijshme se të gjithë të tjerët. Absolutisht, janë të gatshme të vijnë dhe të mbjellin plantacione të tera. Por për mua ka rëndësi të jashtëzakonshme që fermerët shqiptarë të kenë të gjitha mundësitë për të mbjellë drurë frutorë kudo e më shumë, gjithnjë e më shumë. Të mbjellin ullinj aty ku është zonë ulliri, mollë aty ku është zonë molle e vreshti, arrorë, arra, lajthi, bajame, gështenja, shegë në zona të tjera.
Një gjë është e sigurt, ky buxhet mbështet fuqishëm këtë turravrap të Shqipërisë që një njeri për hir të karriges së tij kërkon ta djegë, kërkon ta ndalë; që një njeri ka kërcyer nga gëzimi për vrasjet që ndodhën.
Dua tu them shqiptarëve se çfarë u tha ai atyre që rrinte në bunkerin e Fidelit. U tha se tani me vrasjet fituam. Absolutisht. Se ku do shkonin po të mos ishin këto, se e pa që kështjella nuk merrej. Po të ishte burrë ai e nxirrte fytyrën, e nxirrte kokën, se po i çonte njerëzit mish për top për karrige të kryeministrit. Po të ishte burrë ai u dilte në ballë me flamur. Por, shqiptarët e panë se cili ishte flamurtari. Shqiptarët e panë shumë qartë se kush i doli zot flamurit dhe se kush u shndërrua në flamur.
Ndaj dhe të vazhdojmë me këtë projekt, i cili është dhe përgjigja më e shkëlqyer për puçistin dhe puçistët, është përpjekja më e ndershme për të ardhmen e këtij vendi, të ardhmen e qytetarëve shqiptarë.
Faleminderit!”
24/01/2011