Kryeministri Berisha takohet me investitorë të Odës Ekonomike të ardhur nga e gjithë Kosova
Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në Kosovë, është takuar edhe me një numër të madh investitorësh të Odës Ekonomike të Kosovës, të cilët kishin ardhur nga e gjithë Kosova.
Duke i uruar mirëseardhejn në Kosovë dhe duke e falenderuar për mbështetjen që i jep bashkëpunimit në fushën ekonomike mes dy vendeve, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha, jo vetëm në krijimin e shtetit të Kosovës, por edhe në përkrahjen që ai ka treguar për zhvillimin ekonomik të këtij shteti.
Kryeministri Berisha, garantoi në këtë takim mbështetjen që qeveria e tij do t’i japë biznesit kosovar, duke siguruar për heqjen e çdo barriere që ekziston.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij përshëndetëse në këtë takim ka shpjeguar reformën që qeveria e tij realizoi në 4 vitet e para të mandatit të saj në fushën e ekonomisë dhe të biznesit, sikundër ka treguar se ajo do të vazhdojë dhe në 4 vitet në vazhdim, me qëllim krijimin e lehtësirave sa më të mëdha për biznesin dhe investitorët.
Kryeministri përmendi disa nga rrugët që do të ndihmojnë dhe mbështesin investitorët si zhdukja e barrierave doganore, njehsimi i nivelit të taksave, sepse, siç cilësoi ai, të ndjekësh të njëjtën praktikë do të thotë të ndihesh njëlloj.
Në lehtësimin e punës së biznesit, tha Kryeministri Berisha, ndikon drejtëpërsëdrejti dhe ndërtimi i një infrastrukture. Në mandatin e parë qeverisës, vijoi ai, në Shqipëri u ndërtuan 6 mijë kilometra rrugë dhe këtë 4 vjeçar do të ndërtohen 7 mijë kilometra të tjerë.
Nuk ka detyrë më parësore për ne si qeveri, theksoi Berisha, sesa krijimi i klimës më miqësore të përshtatshme për zhvillimin e biznesit.
Duke ftuar biznesin kosovar që të investojë në Shqipëri, Kryeministri Berisha nuk ka ngurruar që të përmendë për përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës të gjitha arritjet e Shqipërisë gjatë 4 viteve të shkuara, duke veçuar aplikimin e taksës së sheshtë, prokurimet që në Shqipëri kryhen 100 % në mënyrë elektronike, regjistrimin e biznesit brenda një dite, përmes krijimit të One Stop Shop, etj.
Si një arritje të madhe në katër vitet e mandatit të parë qeverisës, Kryeministri renditi dhe zbatimin e ligjit të koncesioneve.
“Që kur ka filluar zbatimi i këtij ligji kërkesat kanë qenë të shumta dhe deri tani janë nënshkruar 110 kontrata për ndërtime hidrocentralesh, nga Kalivaçi në Kaskadën e Devollit, hidrocentrali i Ashtës dhe shumë hidrocentrale të tjera në degëzimin e Drinit me Alpet, në Shkumbin, etj”, tha Kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se janë për t’u ndërtuar ose për t’u dhënë në koncesion 130 HEC-e të tjera.
Në tjetër projekt madhor i qeverisë së Shqipërisë, siç cilësoi Kryeministri Berisha, janë dhe parqet industriale, ku deri tani janë në ndërtim 6 të tillë. “Dy ekspertë të shquar po asistojnë qeverinë shqiptarë për vënien në funksionim të këtyre investimeve”, informoi Kryeministri.
Z. Berisha nënvizoi se në katër vitet e ardhshme qeveria e Shqipërisë do të vazhdojë revolucionin fiskal..
Kryefjala e tij në këtë takim ka qenë lehtësimi i biznesit nga të gjitha burokracitë, që, siç iu drejtua ai pjesëmarrësve, “iu rëndojnë, iu grabisin kohën, ju frustrojnë".
“Biznesi nuk duhet të vuajë nga zvarritjet burokratike”, theksoi Kryeministri.
Duke folur për projektet parësore të Shqipërisë në 4 vitet e ardhshme, Kryeministri Berisha i ftoi biznesmenët kosovarë që të investojnë në to.
Si përparësi kryesore për 4 vitet në vazhdim, z. Berisha renditi energjinë. “Shqipëria do të jetë një superfuqi energjitike në rajon”, theksoi Berisha, ndërsa vuri në dukje dhe zhvillimin që do të marrë në këtë 4 vjeçar turizmi, manifaktura, të cilën e lidhi me krjimin e parqeve industriale në vend.
07/10/2009