E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi.

Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Parlamentit të Kosovës, z.. Jakup Krasniqi.

Kryeministri Berisha falënderoi z. Krasniqi për arritjet e jashtëzakonshme që Kosova ka njohur pas Pavarësisë së saj, duke nënvizuar këtu se asnjë vend tjetër, i cili ka fituar Pavarësinë në këtë mënyrë, nuk ka arritur kaq shumë sa Kosova në 20 muaj. Dhe një meritë të madhe në këtë pikë tha Kryeministri ka edhe Parlamenti i Kosovës si një tribunë e demokracisë.

Kryeministri Berisha veçoi miratimin e Kushtetutës me standarde të larta demokratike, miratimin në një numër të madh ligjesh për vendin, sidomos ligjet për liritë dhe të drejtat e pakicave, të bazuara në Planin e Ahtisaarit, si dhe  një sërë ligjesh të ekonomisë së tregut.

“Vij këtu për t’ju garantuar se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për marrëdhëniet më të shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, me bindjen më të thellë se ky do të jetë një kontribut shumë i rëndësishëm i shqiptarëve për paqe, mirëkuptim dhe integrim rajonal. Kuvendi i Kosovës po miraton ligje dhe dokumente, të cilat qëndrojnë në bazë të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, theksoi Kryeministri Berisha .

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Krasniqi  uroi Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë shqiptare dhe përgëzoi Shqipërinë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira parlamentare, për  anëtarësimin në NATO dhe ndërtimin e rrugës Durrës- Morinë.

Gjatë bisedës  Kryeparlamentari Krasniqi falënderoi Kryeministrin Berisha për përpjekjet dhe lobimin e tij personal dhe të qeverisë së tij për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Z. Krasniqi tha se Shqipëria ka lobuar më së shumti për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Lidhur me këtë Kryeministri Berisha  u shpreh se qeveria shqiptare do të ndihmojë me të gjitha mundësitë e saj që të ketë sa më shumë njohje të reja për Pavarësinë e Kosovës.

 


06/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›