Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Sejdiu

- Kryeministri Berisha: Në Kosovë po vendosen standardet më të gjera të decentralizimit. Kosova ka krijuar një traditë shumë të mirë zgjedhjesh të lira
- Presidenti Sejdiu: Është një privilegj i veçantë që në këtë kohë të zhvillimeve kaq të bujshme, Kryeministri Berisha dhe shteti shqiptar e siguron Kosovën për një mbështetje të fuqishme
Në vazhdim të vizitës së tij në Prishtinë, Kryeministri Berisha u takua sot me Presidentin e Kosovës z. Fatmir Sejdiu. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Sejdiu dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën u shprehën:
Kryeministri Berisha: “I nderuar zoti President!
Shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj me shumë mirënjohje për pritjen vëllazërore, por mbi të gjitha të shpreh admirimin tim dhe vlerësimin më të madh për kontributin tuaj në drejtimin e shtetit të Kosovës, si simbol i vlerave dhe unitetit të popullit të Kosovës.
Ju, zoti President, erdhët në krye të shtetit të Kosovës në rrethana shumë të vështira, pas ndarjes nga jeta e burrit të madh të kombit shqiptar, arkitektit të Kosovës së pavarur, Presidentit Ibrahim Rugova. Ju me dinjitet të madh, me përkushtim dhe mençuri arritët të jepni një kontribut thelbësor në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në konsolidimin e pavarësisë dhe sistemit demokratik të bazuar në vlerat e tregut.
Kosova ka një periudhë të shkurtët si shtet i pavarur, por sukseset dhe arritjet i ka shumë më të mëdha. Në Kosovë po ndërtohen institucione dhe po vendosen standarde demokratike, në disa aspekte unike në rajon dhe me gjerë. Është frymëzues qëndrimi dhe standardi që po konsolidohet këtu për pakicat dhe të drejtat e tyre, dëshmi e vullnetit dhe përkushtimit të autoriteteve dhe qytetarëve të Kosovës, për një Kosovë multietnike të qytetarëve të barabartë para ligjit, ku shqiptarë, serbë, malazez, boshnjak, turq dhe romë të jetojnë në paqe dhe harmoni.
Në Kosovë po vendosen standardet më të gjera të decentralizimit, këtij parimi themelor të sistemim demokratik. Krijimi i komunave të reja përbën një ngjarje shumë pozitive për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në Kosovë. Kosova shkon drejt zgjedhjeve të tetorit pasi ka krijuar një traditë shumë të mirë zgjedhjesh të lira dhe të ndershme. Unë jam i bindur se edhe këtë provë, se këto janë zgjedhjet e para që pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës do t’a kalojë me sukses të plotë. Republika e Kosovës në një hark të shkurt kohor është shndërruar në një faktor të madh paqeje dhe stabiliteti në rajon. Për të gjithë ata që njohin rajonin dhe hedhin sytë drejt së shkuarës së tij, këto 20 muaj janë muajt e parë të stabiliteti të vërtetë në Ballkanin Jugor dhe kjo falë pavarësisë së Kosovës.
Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë vëllazërore. Marrëveshjet që nënshkruam sot dhe të tjerat që po përgatiten do të krijojnë infrastrukturën ligjore për marrëdhëniet më të shkëlqyera dhe më shembullore në rajon. Jam i bindur se ky është një kontribut i përbashkët që ne japim për mirëkuptimin, integrimet dhe bashkëpunimin rajonal e më gjerë.
Në Kosovë japin një kontribut të madh KFOR-i dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut, EULEX, Bashkimin Evropian dhe Komisioni Evropian, si dhe institucione të tjera ndërkombëtare. Ky kontribut vlerësohet shumë nga Shqipëria, por vlerësohet shumë edhe nga vende të tjera. EULEX-i dhe prania e tij janë një shans i madh për perspektivën evropiane të Kosovës dhe përshpejtimin e kësaj perspektive. KFOR-i dhe prania janë një faktor shumë i rëndësishëm jo vetëm për paqen dhe stabilitetin, por edhe për përgatitjen dhe mbështetjen e Kosovës në procesin e anëtarësimit në NATO.
Shqipëria do t’i japë Kosovës çdo ndihmë që ajo mundet t’i japë. Shqipëria është e vendosur t’i ripërtërijë me shpejtësinë më të madhe të mundshme të gjitha lidhjet infrastrukturore. Brenda katër viteve që vijnë do të përfundojë autostrada Qafë Morinë - Shkodër, e cila do t’i japë Kosovës perëndimore dalje të shpejtë në det. Qeveria ime do të nisë vitin e ardhshëm studimin e fizibilitetit dhe projektimin e hekurudhës Shqipëri – Kosovë. Lidhje të tjera të shumëllojta infrastrukturore janë në ndërtim dhe do të ndërtohen.
Diplomacia shqiptare ka bërë dhe do të bëjë përpjekjet më të mëdha për të lobuar për njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës. Dua të theksoj se këto zhvillime të mëdha dhe pozitive e lehtësojnë jashtë mase detyrën tonë. Kosova nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më e qetë, më e drejtë dhe më e barabartë. Tensionet ndëretnike kanë një rënie të madhe dhe qytetarët e shpërngulur po kthehen. Qeveria shqiptare është vendosur që bashkë me qeverinë e Kosovës të jap një kontribut direkt , me ndërtim shtëpish apo objektesh të tjera, për qytetarët e shpërngulur. Ekonomia e Kosovës, megjithë disa bllokada që i përkasin të shkuarës, po reziston dhe ka një dinamizëm dhe perspektive shumë të qartë. Lidhjet infrastrukturore e ndihmojnë Kosovën, ndihmojnë daljen e saj të shpejtë në det dhe lidhje më të ngushta me veten përreth. Sigurisht, që edhe Kosova edhe Shqipëria nuk e kanë bulevard të shtruar rrugën. Ato e kanë rrugën me vështirësi dhe me probleme, por, absolutisht, kanë të gjithë këtë energjinë dhe vullnetin për t’i zgjidhur dhe për të ecur më shpejtë se kurrë në tërë historinë tonë.
Sot, ne jemi të lirë dhe, duke shfrytëzuar pasuritë e lirisë, jam i bindur se do të arrijmë të kapim nivele të larta të zhvillimit që presin qytetarët e tyre.
Zoti Presidenti, edhe një herë ju falënderoj shumë për mikpritjen vëllazërore.”
Presidenti Sejdiu: “Më lejoni që të shpreh kënaqësinë time të veçantë që sot Kosova ka në zemrën e saj njeriun, i cili me tërë përkushtimin e tij jetësor i është dhënë mbështetjes së lirisë dhe pavarësisë së saj. Duke shprehur këtë respekt dhe falënderimin për punët e mëdha që ka bërë Kryeministri Berisha dhe shteti shqiptar nën udhëheqjen e Tij jemi paralelisht pjesë e proceseve të mëdha historike. Sot, jemi në një kohë të re të dëshmimit të vlerave të Kosovës si shteti pavarur dhe të marrjes paralele të vlerave të përbashkëta të identitetit, demokracisë dhe përvojave të shpejta që Shqipëria ka kapërcyer në rrugën e integrimeve. Privilegj që në këtë kohë të zhvillimeve kaq të Kryeministri Berisha dhe shteti shqiptar, nën udhëheqjen e tij, mund të them se janë paralelisht pjesë e proceseve të mëdha dhe e proceseve historike që kemi kapërcyer. Sot jemi në një kohë të re, në një kohë të dëshmimit të fuqishëm të vlerave të Republikës së Kosovës si shtet sovran e i pavarur dhe të marrjes paralele të gjithë asaj që ne mund ta quajmë vlera të përbashkëta të identitetit, por në të njëjtën kohë dhe të vlerave të demokracisë dhe të lëvizjeve të shpejta të një të përvoje të jashtëzakonshme që Republika e Shqipërisë e ka kapërcyer, në procesin drejt rrugës së integrimit.
Natyrisht, është një privilegj i veçantë për udhëheqësit e institucioneve të vendit që pikërisht, në këtë kohë të zhvillimeve kaq të bujshme, Kryeministri Berisha dhe shteti shqiptar e siguron Kosovën për një mbështetje të fuqishme edhe në procese të reja dhe të rëndësishme që do t’i kapërcejë. Prandaj ka qenë e jashtëzakonshme dhe historike momenti i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO. Po kështu, janë një fanar i rëndësishëm udhërrëfyes edhe veprimet e shpjeta racionale të ecjes së Republikës së Shqipërisë në proceset integruese, edhe këto të dëshmuara në procese të rëndësishme që kapërcen vendi. Para pak kohësh, ju e dini se ka qenë një proces i rëndësishëm elektoral, me një mbështetje dhe vlerësim pozitiv i bashkësisë ndërkombëtare dhe gjithë atyre që kanë përcjellë me vëmendje dhe kureshtje të veçantë këto zhvillime, që janë në harmoni të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, paralelisht, ne si Kosovë jemi në përgatitje të procesit të zgjedhjeve të nëntorit, që do të jenë zgjedhjet në nivel lokal, por do të jenë zgjedhje për herë të parë të menaxhuara nga institucionet e vendit.
Gjithashtu, sot dëshiroj të përgëzoj nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, që është po ashtu një moment i ndërtimit në vazhdimësi me kualitet edhe i Republikës së Kosovës, në funksionimin e saj në dimensionet e shumta shtetërore, pra, edhe në këtë aspekt të marrëveshjeve bilaterale. Unë do të shfrytëzoj mundësinë që në kohën më të shpejtë të bëj ratifikimin e tyre.
Edhe njëherë, zoti Kryeministër, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet tona dhe konsideratat më të larta për punën dhe mbështetjen në vazhdimësi që i jepni Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Faleminderit! “
Pyetje: Zoti Kryeministër, qeveria që ju drejtoni dhe qeveria e Kosovës kanë një moto të përbashkët: zero tolerancë ndaj korrupsionit. Sa është luftuar ky fenomen në Shqipëri?
Kryeministri Berisha: Pyetja është për një problem ndër më të rëndësishmit. Korrupsioni është ‘mater matrix’ i të gjitha të këqijave në një shoqëri të lirë. Ndaj, mendoj se qeveria shqiptare me një kompleks reformash, por në zbatim të ligjit, ia doli të bëjë një shkëputje të madhe nga situata në të cilën ndodhej vendi. Por qeveria shqiptare është e vetëdijshme se në rast se ka fituar betejën,ende nuk ka fituar luftën dhe po përpiqet çdo ditë që të vendosë standardet më të mira në praktikat dhe procedurat për të ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirën ndaj këtij kanceri që gërryen më egër se çdo gjë tjetër mirëqenien dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
Shqipëria është sot i vetmi vend ku tenderat zhvillohen 100 për qind me prokurim elektronik. Shqipëria është një vend me shkallën më të madhe të privatizimeve, duke zhdukur në këtë mënyrë korrupsionin nga sektori publik. Por, Shqipëria ka sërish probleme me korrupsionin dhe është e vendosur të përdorë standardet më të mira në luftën kundër tij, si dhe me gërshërët e ligjit të presë dorën e zezë të korrupsionit kudo që ajo shtrihet.
Pyetje: Zoti Kryeministër, ish ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka deklaruar se Shqipëria ka angazhuar njerëz specialë, në vende të ndryshme, për të lobuar për pavarësinë e Kosovës. A vazhdojnë ende këta njerëz dhe në çfarë formash konkretisht duhet të lobojë Shqipëria? Dhe, pyetja e dytë, a ka gjasa që edhe Shqipëria të ketë trupa të saj në kuadër të KFOR-it?
Kryeministri Berisha: Sa i përket pyetjes së parë, Shqipëria ka angazhuar dhe do të angazhojë misione të vazhdueshme për të lobuar për pavarësinë e Kosovës. Shqipëria e ka këtë një detyrim madhor ndaj një vendi, i cili është vëlla. Shumë vende i quajnë marrëdhëniet vëllazërore, mirë bëjnë që i cilësojnë të tilla, por ne i kemi marrëdhënie të vërteta vëllazërore. Ndaj, Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje, ka dërguar dhe do të dërgojë emisarë në të gjitha kancelaritë për të qartësuar se njohja e Kosovës është një shans për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Teza jonë është e hapur. Asnjë vend nuk e ka njohur Kosovën për arsye tjetër, përveç se faktit që pavarësia është faktor madhor për paqen dhe stabilitetin në këtë rajon. Ne do të vazhdojmë dhe unë mund t’ju them se tematika e diplomacisë shqiptare, përveç problemit të integrimit dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, e tëra do të jetë diplomaci ekonomike. Ne do ta transformojnë në diplomaci ekonomike, sepse kështu mendoj se i shërbejmë më mirë interesit tonë.
Pyetje: Më 15 nëntor në Kosovë mbahen zgjedhjet lokale, por Serbia ka deklaruar se asnjë serb në Kosovë nuk duhet të shkojë në këto zgjedhje pasi, natyrisht, nuk njeh pavarësinë e Kosovës. A e konsideroni pengesë mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje?
Presidenti Sejdiu: Unë mund të them se këto zgjedhje, pavarësisht se kanë karakter lokal, janë zgjedhje që shtrihen në të gjithë vendin. Këto zgjedhje kanë ambicien që t’u japin shansin të gjithë qytetarëve të vendit të japin votën e tyre për njerëzit që duan t’i përfaqësojnë. Natyrisht, ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme dhe punë të dimensioneve të ndryshme, me kontakte dhe forma të tjera, që qytetarëve serb t’u ofrohet drejt për drejtë mundësia që të zgjedhin. Gjithashtu, të zgjedhin edhe në komunat e reja që do të formohen dhe që janë formuar me një vendim të veçantë të institucioneve të vendit për të realizuar premtimin dhe zotimin tonë të Paketës Ahtisari. Për ne është tepër iracionale qasja që Beogradi e bën si thirrje për të penguar këta njerëz që të dalin dhe të japin votën e tyre për njerëzit e tyre, që janë njerëz të Kosovës. Në studimet që ne kemi bërë edhe në kontaktet që kemi pasur ekziston një gatishmëri e qytetarëve serb, edhe atyre që kanë hezituar më tepër që në fazat e mëhershme, që t’i kthehen realitetit. Ne i bëjmë thirrje dhe unë i ftoj, edhe nga kjo foltore, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe njerëzore që të jenë në një proces të madh të Kosovës, të zgjedhin ata që mendojnë se duhen zgjedhur. Janë paraqitur rreth 14 parti politike serbe që të marrin pjesë në zgjedhje dhe kandidatë të pavarur. Ne dëshirojmë që me këtë paraqitje, me punën që bëjmë në nivele të ndryshme, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, këta njerëz të marrin pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit. Mbase mund të jetë edhe një numër i atyre që ende mbesin peng i këtyre shtrëngimeve që vijnë nga jashtë, por mendoj se është koha e fundit që të kuptojnë se janë shtrëngime nga jashtë dhe se nuk janë vullnet i brendshëm njerëzve, nuk është vullnet i brendshëm edhe i qytetarëve serbë që duan të t’i prezantojnë apo duhet t’i prezantojnë. Kosova ka hyrë në një rrafsh të ri të zhvillimeve me mbështetjen ndërkombëtare të gjithë investimet që bëhen në Kosovë bëhen pikërisht për të pas karakterin e saj funksional edhe të prezencës multietnike. Dhe ne kemi garantuar edhe përtej standardeve ndërkombëtare, them se me Kosovën siç ka qenë trajtimit i saj sui generis, me idenë e Presidentit Ahtisari, sui generis është në standarde. Unë s’mund të gjej një vend nga studimet që kam bërë edhe në Evropë edhe jashtë që të ketë ofruar standardet më të larta të mundshme ekzistuese se sa Kosova që ka ofruar dhe i ka ofruar me vetëdije dhe si shans për të gjithë.
Kryeministri Berisha: Qëndrimet ndaj zgjedhjeve janë komplekse dhe diktohen nga shumë faktorë, por interesi më i mirë i serbëve në Kosovë është të marrin pjesë në zgjedhje, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, të përfitojnë një shans në vendosjen e standardeve të shkëlqyera të përfaqësimit, të lirive dhe të drejtave të minoriteteve. Uroj dhe shpresoj që problemet serbëve të Kosovës të mos bëhen probleme ndërpartiake politike në Beograd. Ky nuk është as në interes të Serbisë. Rrjedha kërkon që ato të marrin pjesë në zgjedhje. Unë jam i bindur që ky proces do të ecë drejt normalizimit.
06/10/2009