E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takohet me kryetarin e LDD Nexhat Daci dhe kryetarin e AKR Bexhet Pacolli

Kryeministri Berisha zhvilloi dje në Prishtinë, takime të ngrohta edhe me Nexhat Dacin, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe Bexhet Pacollin, kryetar i Partisë  Aleanca për Kosovën e Re.

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e tij më të madh për rolin dhe për kontributin e tyre si në procesin e pavarësisë së Kosovës, ashtu dhe në ndërtimin e vlerave dhe të standardeve demokratike në Kosovë. Sikundër nënvizoi se gjatë diskutimit gjetën mirëkuptim të plotë për të bërë të gjitha përpjekjet e thellimit të bashkëpunimit ekonomik si forma më e domosdoshme për prosperitetin e Kosovës.

Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kosovë u ndalën edhe për procesin zgjedhor. Lidhur me këtë, Kryeministri theksoi se opozita ka si të drejtë më parësore të kërkojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe garantoi se për sa kohë ai do të ishte në pushtet do t’i njohë opozitës këtë të drejtë të shenjtë. Kryeministri shprehu dëshirën e tij dhe bindjen se procesi i ardhshëm zgjedhor në zgjedhjet lokale në Kosovë do të jetë në lartësinë e dinjitetit dhe aspiratave dhe maturisë demokratike të qytetarëve të Kosovës. Është shumë e rëndësishme që qeveria të krijojë qoftë në Shqipëri dhe qoftë në Kosovë kushtet për një proces të sigurt zgjedhor për të gjitha forcat politike.


07/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›