Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nderim të heroit Adem Jashari, në Prekaz dhe viziton familjen e tij

Kryeministri Berisha e nisi ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë me vizitën në Prekaz, ku zhvilloi homazhe në varrin dëshmorit dhe heroit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës Adem Jasharit. Kryeministri Berisha shoqërohej nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe autoritete të tjera të larta. Kryeministri Berisha u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm, mes duartrokitjeve, përshëndetjeve, emocioneve, lotëve të atyre që kishin dalë për ta pritur në këtë vizitë të parë në Kosovën e pavarur.
Pas homazheve, Kryeministri Berisha, në nderim dhe vlerësim të sakrificës sublime të Adem Jasharit dhe gjithë familjes së tij, u shpreh:
“Populli shqiptar është kombi i sakrificave më të mëdha. Asnjë komb tjetër nuk ka bërë sakrificat e shqiptarëve për liri e dinjitet, por në sakrificën shqiptare në kohëra do të thosha se Prekazi përbën panteonin e sakrificës së kombit shqiptar. Adem Jashari, familja e tij përbën kurorën e përjetshme të kësaj sakrifice në historinë e luftërave dhe përpjekjeve tona, të cilat kanë qenë të panumërta e të vazhdueshme. Asnjë njeri nuk sakrifikoi për vendin, për dinjitetin, për kombin sa heroi, tribuni legjendar Adem Jashari, i cili ra për të fituar pavdekësinë me të gjithë familjen e tij dhe e shndërroi Prekazin për ditë të tëra në një Krujë të vërtetë. Shqiptarët do të nderojnë gjithnjë e më shumë tribunin legjendar Adem Jashari. Unë i ftoj të gjithë shqiptarët të vizitojnë Prekazin, të vizitojnë dhe të përulen me nderim të madh para veprës së Adem Jasharit, të përulem me nderim të madh para Prekazit, vendi i flakëve të lirisë së shqiptarëve dhe t’i shprehin nderimin më të madh për tribunin legjendar, tribunin e lirisë, për njeriun që me burrërinë, trimërinë dhe guximin është ylli në kurorën e sakrificës shqiptare.”
Më pas, Kryeministri Berisha iu drejtua shtëpisë së Adem Jasharit dhe u takua me familjarë të tij, të cilëve u shprehu mirënjohjen dhe nderimin për sakrificën sublime të kësaj familjeje.
“Asgjë nuk keni ne më frymëzuese se Prekazi, Krujën e dytë të shqiptarëve. U preka shumë, sepse ju i patë ata fëmijë. Ata kanë lindur të gjithë pas luftës, të gjithë kanë marrë emrat e martirëve të familjes Jashari, por, sërish, shndërrimi i ëndrrës dhe sakrificës së tyre në realitet është jetësimi më i madh për këtë familje, për tribunin legjendar dhe mbarë shqiptarët. Edhe një herë dua t’i shpreh nderimin tim më të madh familjes Jashari, të përulem para tribunit legjendar Adem Jashari, të gjithë anëtarëve të familjes së tij që u flijuan për të mos u dorëzuar për flamurin dhe dinjitetin e Kosovës e të gjithë shqiptarëve. Shpreh nderimin tim për Prekazin, një fshat me traditat më të kristalta, më të zhvilluara atdhetare dhe patriotike. Në Prekaz rezistenca e shqiptarëve ndaj pushtuesit nuk u shua kurrë. Ajo kulmoi me veprën e Adem Jasharit dhe është frymëzuese në çdo kohë, është udhërrëfyese për të gjithë shqiptarët, është diamanti në kurorën e sakrificës së shqiptarëve.”
Gjithashtu, Kryeministri Berisha bëri homazhe edhe në varrin e heroit Shaban Palluzha.
07/10/2009