Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të Bankës Botërore
Kryeministri Berisha priti sot në takim z. Juan Jose Fernandez-Ansola dhe z. Jaime Jaramillo-Vallejo, nga Banka Botërore, si vlerësues të pavarur për llogari te Bordit të Bankës të projekteve në Shqipëri, në kuadrin e strategjisë së mëparshme të asistencës. Ky delegacion i Bankës Botërore ndodhet në Shqipëri për të parë më nga afër nëse projektet e Bankës Botërore kanë qenë në përputhje me prioritetet e qeverisë shqiptare dhe nëse strategjia e re e asistencës po konsultohet me qeverinë, në mënyrë që Banka Botërore të pozicionohet aty ku vendi e ka të nevojshme.
Kryeministri falënderoi përfaqësuesit e BB-së për vizitën e tyre dhe shprehu konsideratat e larta për këtë institucion, si një donator dhe partner serioz në të gjitha reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë. Ai solli në vëmendje rolin e Bankës Botërore në financimet e shumta, eficente dhe kontributet e suksesshme në infrastrukturë, veçanërisht të rrugëve rurale apo të rrugës Durrës-Kukës, në arsim, bujqësi, reformat rregullatore, mjedis, shëndetësi, në privatizimet etj.
Për strategjinë e re të asistencës nga Banka Botërore, Kryeministri përcolli mesazhin e një diskutimi të gjerë mes ekspertësh të Bankës dhe qeverisë, duke cilësuar prioritetet e qeverisë sërish në infrastrukturë: rrugët rurale dhe ujësjellëse, sidomos në zonën Tiranë-Durrës, në kujdesin shëndetësor, arsim, në reformën e tokës, në fushën e energjisë për sigurimin e digave dhe në mbështetjen e sektorit privat, përmes Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC).
Në përfundim të takimit, Kryeministri shprehu falënderimet e sinqerta për kontributin e Bankës Botërore në reformat në Shqipëri, përmes përzgjedhjes të ekspertëve shumë cilësorë dhe solli në vëmendje të Bordit të Bankës për një angazhim më të madh financiar në projekte me rëndësi për vendin dhe në ato të cilat janë demonstruar si të suksesshme ndër vite.
02/03/2010