Kryeministri Berisha takohet në Munih me Zëvendësministrin e Jashtëm të Izraelit Daniel Ayalon
Kryeministri Berisha zhvilloi në Munih, një takim me Zëvendësministrin e Jashtëm të Izraelit, z. Daniel Ayalon.
Z. Ayalon falenderoi Kryeministrin për takimin dhe i përcolli përshëndetjet e Kryeministrit Netaniahu. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falenderoi për mikpritjen e shkëlqyer gjatë vizitës së tij zyrtare në Izrael, pak kohëve më parë.
Në takim u bisedua rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe veprimeve konkrete të nevojshme për të konkretizuar drejtimet e bashkëpunimit në të gjitha fushat, të cilat u diskutuan gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në Izrael. Theks i veçantë iu vu thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve. Kryeministri Berisha ritheksoi fushat me interes dypalësh, ku investitorët izraelitë janë të mirëpritur, si energjia e rinovueshme, bujqësia, turizmi, shkenca, etj..
Z. Ayalon nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe merr një rëndësi të madhe në kushtet e zhvillimeve ndërkombëtare dhe veçanërisht atyre ekonomike dhe se Izraeli u jep një peshë të veçantë, bazuar në marrëdhëniet historike mes dy popujve, por edhe interesat strategjikë të përbashkët. Hapja e ambasadës së izraelit në Shqipëri do të kontribuojë në mënyrë thelbësore në këtë drejtim.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajonin e Mesdheut dhe sfidat që ato paraqesin. Të dy bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin se rruga e demokratizimit është rruga më e sigurt dhe e qëndrueshme për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Në këtë kuadër, Europa mund të ndihmojë në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, në interesin më të mirë të popujve të rajonit.
04/02/2012